Jo të gjithë kandidatët për asambletë komunale dhe ata për kryetar komunash që duan të garojnë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të mund të jenë pjesë e listës zyrtare të garës zgjedhore. Kjo për faktin se të paktën 160 kandidatë, nga 30 subjekte politike kanë probleme me ligjin. Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shpjegon situatën aktuale me kandidatët që nuk meritojnë kandidimin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përgjigjet nga institucionet e ndryshme përgjegjëse për ligjin, lidhur me përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për Zgjedhjet e Përgjithshme, thotë Valmir Elezi. “Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kandidatë, të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, thotë Valmir Elezi.
Duhet bërë zëvendësimi i kandidatëve
Elezi sqaron, se bëhet fjalë për 160 kandidatë që kanë kandiduar për kryetar komune apo për Kuvende Komunale dhe që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit. “Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për kryetar komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit”, tha Valmir Elezi.
Sipas tij, partitë politike e kanë mundësinë që të bëjnë zëvendësimin e kandidatëve. “Sipas planifikimeve me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati. KQZ-ja do të marrë vendimet për certifikim, më së largu deri më 1 shtator. Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme”, tha zëdhënësi Valmir Elezi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mekanizmat përcjellës të zgjedhjeve, kanë kohë verifikimi edhe disa ditë në mënyrë që me datën 08.09, të hidhet shorti për renditjen e partive politike për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
IKD: Mungon vullneti për pastrimin e listave
Instituti i Kosovës për Drejtësi, një organizatë hulumtuese për sistemin e drejtësisë konstaton se “edhe në këto zgjedhje, partitë politike nuk kanë pasur vullnetin për t’i pastruar listat nga kandidatët për kryetar të komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. “Nga të gjithë kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave, IKD ka identifikuar një (1) kandidat, i cili në tri (3) vitet e fundit ka dënime të formës së prerë, një (1) kandidat me një dënim më të vjetër se tri (3) vite derisa tetë kandidatë të tjerë janë duke u ballafaquar me aktakuza aktive. Sipas partive politike, IKD ka gjetur se partitë politike, të cilat kanë kandiduar më së shumti persona, të cilët kanë probleme me ligjin janë AAK dhe PDK me nga tre (3) kandidatë, pasuar nga LVV me dy (2) kandidat dhe NISMA me një (1) kandidat”, konstaton IKD.
Ehat Miftaraj
Por si i komentojnë njohësit e çështjeve të drejtësisë listat e kandidatëve të partive politike që kanë probleme me ligjin, dhe prapë se prapë, tentojnë t’i kandidojnë anëtarët e tyre. Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i tha DW-së, se partitë politike nuk po e marrin seriozisht çështjen e integritetit të kandidatëve që propozohen për zgjedhje. “Është jashtëzakonisht shqetësuese që 160 kandidatë të dërgohen nga partitë politike që kanë problem me ligjin. Pra ato propozojnë persona, qoftë për kuvendet komunale, qoftë për kryetarë të komunave, të cilët kanë aktgjykime të formës së prerë në tre vjetët e fundit nga gjykatat”, tha Miftaraj për DW. Sipas tij, “partitë politike vazhdimisht proklamojnë parimet e sundimit të ligjit, se do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe në anën tjetër, në lista zgjedhore propozojnë persona që kanë precedent penal. Kjo është shqetësuese”, thotë Miftaraj.
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme që u mbajtën me 14 shkurt të këtij viti, Albin Kurti që tashmë është kryeministër dhe të dënuar të tjerë me vendim të formës së prerë, nuk ishin lejuar të jenë pjesë e listave elektorale. Kjo për faktin që një Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese ua kishte pamundësuar një gjë të tillë. Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese citohej ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili saktëson se “kushdo që dënohet me vendim të formës së prerë për vepër penale në tri vitet fundit nuk mund të bëhet pjesë e garës elektorale”. /DW/