Sot mbushet një vit që kur Kosova dhe Serbia nënshkruan një dokument zotimesh në Shtëpinë e Bardhë , me ndërmjetësim të presidentit të atëhershëm të Amerikës, Donald Trump. Mirëpo, një vit pas zbatimi i shumicës së pikave të kësaj marrëveshje ende mbetet i paqartë. Nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja
Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dokumentin për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.
Deri më tani, nga kjo Marrëveshje janë zbatuar vetëm disa nga pikat, ndërsa përfaqësues të komunitetit të biznesit kërkojnë që politika t’i përmbushë zotimet e mbetura.
Marrëveshja që përmban 16 pika është nënshkruar në Shtëpi të Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Moratoriumi s’vlente për njohje të reja ndërkombëtare”, kështu shprehet Avdullah Hoti, ish-Kryeministri i Kosovës, i cili sot një vit – më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë kishte nënshkruar marrëveshjen ekonomike me Serbinë të cilën e kishte ndërmjetësuar, Donald Trump duke qenë President i SHBA-së.
“Po e sqaroj se marrëveshja nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë. Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili përfundon sot. Ky moratorium është kritikuar nga disa individë të cilët nuk e kanë idenë se si i ka realizuar Kosova anëtarësimet në organizata ndërkombëtare deri më tani”, është shprehur Hoti.
Ai në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje në intervistë për Klankosova ka thënë se nuk mund të shkohet asnjë rruge tjetër përveç asaj të respektimit të marrëveshjes, e cila kontestohet nga qeveria e re në Prishtinë me në krye Albin Kurtin.
“Kundërshtimi i kësaj marrëveshje nuk është në interesin e Kosovës. Ata që e kundërshtojnë janë kundër integrimit perëndimor të Kosovës, të cilën gjë e do Serbia”
Në përvjetorin e parë të nënshkrimit të marrëveshjes, Departamenti i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i cili foli për Zërin e Amerikës, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Kosovën dhe Serbinë, në përmbushjen e obligimeve, duke mbështetur, siç tha ai, qëllimin e normalizimit gjithpërfshirës të marrëdhënieve të tyre.
“Elementë të shumtë të marrëveshjes mbështesin prioritetet e vizionit tonë më të gjerë të rajonit – diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, aplikimin e një moratoriumi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur”, është thënë në përgjigjen nga Departamenti i Shtetit.
Kurse, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një deklarim pë r media ka thënë se, Marrëveshja konfirmon zotimin e shteteve nënshkruese për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik.
“Marrëveshja për normalizim ekonomik e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmon zotimin e shteteve për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik, integrim ekonomik rajonal, por edhe avancim të infrastrukturës transportuese. Ajo në të njëjtën kohë përfshin edhe zotimin e institucioneve financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financim të disa prej projekteve”.
Ai shton se ka pasur thirrje karshi palëve për t’i përmbushur zotimet e marra nga kjo marrëveshje.
“Është e vërtetë që ka ngecje në zbatim të disa pikave të marrëveshjes, edhe pse ka disa zotime që tashmë janë përmbushur, por besoj fuqishëm që në periudhën në vijim do të ketë një angazhim më serioz të qeverive të të dyja shteteve për përmbushje të të gjitha zotimeve që shtetet kanë ndërmarrë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ë ashingtonit, aq më tepër që ka pasur edhe thirrje të përfaqësuesve të Administratës amerikane drejtuar palëve për përmbushje të zotimeve të tyre”.
Ndërsa, për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshje janë të dobishme për vendin dhe rajonin.
“Deri tani ka një ngecje në ato zotime të Marrëveshjes së Uashingtonit. Po shpresojmë që së paku larg asaj që është politike ose çështje të caktuar të rëndësisë politike që t’i kemi këto projekte, të cilat do të ishin të dobishme edhe për vendin dhe për rajonin”.
Ish-ministri i Drejtësisë atë kohë Selim Selimi, kishte marrë pjesë në Uashington si përfaqësues i partisë në koalicionin qeverisës – Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Një vit pas, Selimi ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit është një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, pasi që është arritur me ndërmjetësim të ShBA-ve dhe në Shtëpinë e Bardhë.
“Garancat për këtë marrëveshje kanë qenë të nivelit të presidentit të ShBA-ve. Ajo marrëveshje është pozitive për Kosovën pasi që Kosova ka përfituar njohjen nga Izraeli. Pas kësaj marrëveshje gjithashtu është ruajtur integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Është ruajtur Liqeni i Ujmanit i cili ka qenë i diskutueshëm në atë kohë dhe është arritur që të bëhet pika vetëm për studim fizibiliteti të liqenit”.
Jo më shumë se tre javë pas takimit në Shtëpi të Bardhë, Kosova kishte nënshkruar dokumentin me Korporatën Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) që parasheh ofrimin e qasjes në një gamë të gjerë për investime.
“Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”, thuhet në dokument.
Po ashtu, në këtë dokument tregohet se, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.
“Kosova dhe SHBA-ja synojnë të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë Marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon”.
Kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë Marrëveshje, ka thënë se nuk do ta “injorojë” në tërësi, por se sipas tij, disa pika të saj janë problematike.
“Unë nuk kam thënë se ajo që është nënshkruar në Uashington, unë thjesht do ta hedh – jo asnjëherë. Pika e fundit, e cila ishte njohja e Izraelit për Kosovën është zbatuar dhe kjo është pjesa më e vlefshme e Marrëveshjes”, ka thënë Kurti.
“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Ish-Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Hoti, në muajin tetor të vitit të kaluar kishte miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e kësaj Marrëveshje, që parashikon zhvillimin e disa projekteve, duke përfshirë ndërtimin e “Autostradës së Paqes”, rrjeti 5G dhe studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
Pika e parë dhe e dytë e planit është zbatimi i marrëveshjeve për autostradën dhe hekurudhat Prishtinë – Beograd të nënshkruara më 14 shkurt.
Në pikën e tretë është ndërtimi i “Autostradës së Paqes”, lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdarës dhe asaj midis Prishtinës dhe Nishit, sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte bilaterale shtesë dhe prania ndërkombëtare e DFC-së me kohë të plotë në Serbi.
Pika e shtatë e këtij plani është që të dy palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.
Në pikën e tetë të planit thuhet se, Kosova dhe Serbia do të diversifikojnë furnizimet e energjisë elektrike. Kurse, pika e nëntë është ndalimi i përdorimit të pajisjeve 5G të furnizuar nga ofrues të dyshimtë në rrjetet e tyre të komunikimit.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, Kosova ka filluar zbatimin e pikës që ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt.
“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Pas nisjes së zbatimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka përgëzuar Kosovën, që siç ka thënë, është siguruar se rrjetet e saj të gjeneratës së pestë të komunikimeve, janë në rrugë të pastër nga ofrues që nuk u besohet dhe në linjë me Marrëveshjen.
“Ne e përgëzojmë Kosovën për sigurimin që rrjetet e saj 5G janë në një rrugë të pastër, jo nga shitës të pabesueshëm, në përputhje me Marrëveshjet e Uashingtonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës”, kishte thënë Kosnett përmes një shkrimi në Të itter.
Në Kosovë teknologjia 5G nuk është ende në dispozicion për përdoruesit e telefonave të mençur dhe as nuk janë kryer procedurat për lëshimin e licencave për përdorimin e radio-frekuencave të nevojshme.
Gjatë muajit qershor 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njofton se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
“Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Beogradit [sot] i kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë raportin për Liqenin e Ujmanit, kështu duke përmbushur një nga zotimet Marrëveshjes së Ë ashingtonit të 4 shtatorit”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.
Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.
Kurse, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë një konference për medie ka thënë se, Kosova ka hyrë në obligime për ndërtimin e rrugës Besi – Merdarë, pjesë e “Autostradës së Paqes”, pritet të nis së ndërtuari në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket ‘Autostradës së Paqes’, Kosova ka hyrë në obligime për ta realizuar rrugën Besi – Merdarë. Natyrisht që ky proces për shkaqe financiare mund të zvarritet, por është proces që do të përfundojë. Nga ana tjetër i njëjti projekt nënkupton që duhet të realizohet nga pala tjetër [Serbia] e që deri më tani nuk ka pasur fare asnjë. Nuk mund të themi me siguri të madhe, por mendoj që pranvera – do të kemi mundësi të mira për fillimin e asaj autostrade”.
Beogradi ka respektuar pikën kyçe të marrëveshjes së Uashingtonit që ka të bëjë me një moratorium njëvjeçar mbi fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, zyrtarët serbë drejtuan fushatë aktive për të tërhequr njohjet e Kosovës.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për shtyp, më 22 korrik, tha se nëse dikush merr një vendim për njohjen e Kosovës si të pavarur, Beogradi menjëherë do të fillojë fushatën për tërheqjen e njohjeve.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor./monitor