Ndërgjegjësimi, dhembshuria dhe veprime të rriturish, sipas psikologëve, janë çelësi që hap rrugën drejt dashurisë për veten. Po sikur t’i provoni? Psikologët tregojnë se si të gjitha veprimet dhe reagimet tona zënë fill në fëmijëri.
Është e habitshme se si i flasim vetes në momente të ndryshme. Nëse, kemi pasur një ditë të mirë, kjo shpesh reflekton mendime pozitive. Shpesh në këto momente, mendja jonë është e qetë dhe në paqe. Ndryshe ndodh në periudhat kur jemi të stresuar ose pas përjetimit të ndonjë zhgënjimi. Në këto momente, mendja jonë është e mbushur me negativitet dhe është shumë e “zënë”. Kur kjo ndodh, në shumicën e rasteve jemi duke ripërjetuar një “gjendje nga fëmijëria”: një ngjarje negative na ka çuar pas në kohë për të përjetuar ndjenja të fëmijërisë së palumtur. Kur të kemi kuptuar që kemi “kaluar” nga një i rritur në një fëmijë të pasigurt, kemi fituar një dhunti të mrekullueshme. Ne mund të ndjejmë dhembshuri.
Sa herë që kalojmë në një gjendje mendore të një fëmije të pasigurt (të gjithëve na ndodh ngandonjëherë), secili prej nesh “shkon në shtëpinë e tij” për të rikujtuar eksperienca të brendshme mbështetjeje, abuzimi ose neglizhimi. Në varësi të fëmijërisë që kemi pasur, do mundim të gjenerojmë dashuri dhe kujdes për veten apo në të kundërtën urrejtje dhe mospranim. Por sa herë që kjo ndodh, nuk është faji ynë. Kjo është një gjë e rëndësishme që ne duhet ta kuptojmë. Në momentin kur kuptojmë se këto sensacione vijnë vetvetiu atëherë fillojmë dhe ndjehemi më empatik (të dashur) kundrejt vetvetes. Fillojmë të ndjejmë dashuri për veten dhe për historinë tonë. Dhe tani jemi e ndihemi gati për të ndërmarrë veprime prej të rriturish.
Për disa prej nesh, “rikthimi” në fëmijërinë e palumtur, na bën të ndjehemi pasivë dhe të pashpresë. Të folurit me veten, në këto raste, përmban deklarata ankthi siç “Kurrë nuk do të jem i mirë aq sa duhet”, “S’mund ta bëj”, “Ah sikur”, ose deklarata kritike për veten tonë “Rritu…!”, “Boll i ekzagjerove gjërat” e shumë të tjera. Në momentin që e kuptojmë se jemi në një gjendje fëmijërore, dhe kemi dhembshuri për eksperiencat tona unike të fëmijërisë, duhet të këmbëngulim për të nxjerrë në sipërfaqe energjitë tona prej të rriturish. Veprimet prej të rriturish janë ato që na ndihmojnë për të dalë nga gjendja fëmijërore në gjendjen autentike dhe të pjekur të vetes sonë.
E thënë më thjesht, veprimet prej të rriturish përmbajnë më shumë kujdes për veten. Ngandonjëherë, kjo do të thotë t’i pranojmë ndjenjat e momentit si një reflektim i eksperiencave fëmijërore. Herë të tjera kjo do të thotë, thjesht që të kujdesemi për nevojat tona siç mund të jetë përgatitja e diçkaje që na pëlqen ose telefonata e ndonjë miku të ngushtë.
Pra, veprimet prej të rriturish, në thelb, veprojnë si një ‘prind i mirë’. Shpesh, ato shërbejnë edhe për të sfiduar imazhin negativ që kemi për veten. Kjo bëhet më e lehtë kur e kuptojmë se ai që po na “flet” është fëmija brenda nesh. Për shembull, kur jemi duke thënë një nga ato shprehjet tona katastrofike për të ardhmen “po sikur…”, mund të qetësohemi vetëm nëse e kuptojmë që mendimet tona janë më shumë ato të një fëmije dhe jo të një të rrituri. Kjo na jep dhembshuri… shpesh edhe një perspektivë më “rozë” për të ardhmen.