Policia ka proceduar penalisht administratorin e firmës së mirëmbajtjes së pallatit ku mbeten të bllokuar në ashensor 5 persona. 34 – vjeçari D.Sh akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë mesnatës, dyshohet se duke qenë i punësuar si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve, në kompleksin e pallateve “Fratari”, në Astir, nuk ka konstatuar problemin teknik që ka patur ashensori i njërit prej pallateve të kompleksit, i cili është shkëputur, duke rënë në gjendje të lirë sëbashku me disa shtetas që ndodheshin në të. Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. S., 27 vjeçe, e cila ndodhet ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Po në vijim të veprimeve është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” vëllai i tij shtetasi D. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës ku ishte i punësuar vëllai i tij shtetasi D. Sh si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve.
Ngjarja në Astir, banorët: Kishte probleme, hynim me frikë! Vrapuam të ndihmonim, pamë 26-vjeçaren e shtrirë rëndë
Anila Hoxha raporton se ngjarja ndodhi teksa disa banorë të pallatit kishin përfunduar festimet dhe po përcillnin miqtë, por menjëherë më pas tregojnë ata ka pasur një rënie drastike të ashensorit, që bëri që një nga personat të lëndohej rëndë.
Aleksandra Meko, një banore e pallatit dhe një nga dëshmitaret e para që vrapoi për të dhënë ndihmë e pyetur nga gazetarja Anila Hoxha tha se disa herë banorët e kishin shprehur shqetësimin se ashensori kishte problem, pasi disa herë kishte pasur lëkundje dhe ngecje.“Dëgjuam zhurmën menduam se ishte dhune familjare, thamë të vinim gjithësesi e të lajmëronim policinë, po kur pamë pamë ashensorin që kishte ngelur, pamë vajzën 26 vjeç që ishte lënduar rëndë, dera ishte shkallmuar nga familjarët saj, thuhej që ishin 5 vetë, mes tyre një fëmijë dhe një shtatzënë. Herë pas here ka pas lëkundje, ka pas probleme me servisin. Jemi ankuar te administratori , por s’kemi marrë ndonjë përgjigje. Ishte i kolauduar po. Ashensori here pas here ngecte ose tronditej hynim me frikë”, tha ajo.
Aleksandra tregon se banorët e kishin vendosur në dijeni administratorin.
Ndërkohë aktualisht raporton Anila Hoxha pritet të mbërrijnë ekspertë në pallat për të verifikuar ngjarjen.
Deri më tani janë të shoqëruar tre persona: Administratori, një inxhinier teknik dhe një mirëmbajtës ashensori, por nuk ka ende urdhër ndalimi apo arresti ndaj tyre për shpërdorim detyre, për sa kohe që para ngjarjes ka pasur ankesa nga banorët.
Hetimi i deritanishëm i prokurorisë së Tiranës pas pyetjes së tre të shoqëruarve, nga kqyrja e shkresave, tha një burim i Anila Hoxhës rezulton se, sipas ligjit administratori i pallatit kishte firmosur kontratë me kompaninë e mirëmbajtjes së ashensorëve. Por tekniku i mirëmbajtjes së ashensorit dyshohet se nuk ka bërë kontrolle dhe as mirëmbajtje./TCH
Shkëputja e ashensorit në Astir, dëshmitë tronditëse të banorëve: Hera e dytë që ndodh, punonjësit privat bëjnë si të fortë
Pas ngjarjes së rëndë gjë ndodhi në Astir, banorët e pallatit kanë treguar për mediat se ky ishte një rast i paralajmëruar nga ata.
Njëra nga banoret tha se, ky ishte rasti i dytë që ndodh dhe asaj i kishte ndodhur dy javë më parë.
“Ky është rasti i dytë që ndodh. Më ka ndodhur vetë para dy muajsh”, u shpreh banorja.
Ndërsa një tjetër qytetare, që banon në atë pallat tha se ata ky problem ka qenë i herë pas hershëm që në vitin 2017. Ajo tregoi se, janë ankuar tek punonjësit e ashensorit, por ata nuk i kanë marrë për bazë ankesat e tyre.
“Më morën në telefon, pyes si janë njerëzit, më thonë me e rëndësishme është ajo gruaja shtatzënë. Unë banoj këtu që në 2017, kemi pasur probleme. Kemi bërtitur disa herë se ulen ashensorët, janë punonjësit privatë. E ulin ata që rrinë këtu, bëjnë dhe si cuba dhe si të fortë. Ne vetë banorët e prishim, se kur bëhet defekti duhet të tregohet”, deklaroi një tjetër banore.
Ra ashensori, rrezikoi jetën e 5 personave, shtatzëna në gjendje të rëndë. Shoqërohet administratori i pallatit
Policia ka vënë në pranga administratorin e pallatit në “Astir” pas ngjarjes së ndodhur në mesnatë ku rrezikuan jetën 5 persona. Detaje të reja janë zbuluar nga shkëputja e ashensorit nga pallati në Astir. Ashensori është shkëputur në një kat, por është bllokuar në katin tjetër duke mos rrëshqitur deri në fund. Dyshohet se ashensori nuk ishte kolauduar, ndaj është marrë në pyetje administratori i pallatit për të mësuar nëse është e vërtetë ose jo. Policia po verifikon përgjegjësinë e firmës së kontraktuar për montim dhe mirëmbajtje të ashensorit.
Ndërsa administratori i pallatit, së bashku me banorë të tjerë kanë deklaruar se ashensori nuk ka shfaqur probleme të mëparshme.
Bie ashensori dhe plagosen 5 persona në “Astir”, një grua në gjendje të rëndë shëndetësore
Një ngjarje e rëndë tronditi mesnatën e së shtunës zonën e “Astirit”, pasi një ashensor me 5 persona brenda u shkëput dhe ra, duke rrezikuar jetën e tyre. Pas ndërhyrjes së policisë, dy gra janë dërguar menjëherë në spital pasi ishin në gjendje të pa stabilizuar shëndetësore. Më pas njëra është larguar nga spitali, ndërkohë që tjetra e cila rezulton të jetë edhe shtatzënë është në gjendje kritike për jetën. Policia bën me dije se ende nuk është identifikuar gruaja, ndërsa mjekët po kujdesen për stabilizimin e gjendjes së saj.
Mësohet se në ashensor mbetën të bllokuar 5 persona mes tyre një grua shtatzënë dhe një fëmijë i mitur. Sipas njoftimit paraprak të policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 00:05, në Astir, dyshohet se në një pallat është shkëputur ashensori. “Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. Q, e cila pas marrjes së mjekimit, u largua për në banesë, dhe një shtetase tjetër, ende e paidentifikuar e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja e rëndë ka alarmuar banorët e pallatit të cilët e kishin të pamundur nxjerrjen e personave të bllokuar, sipas tyre edhe policia hasi vështirësi. Fatmirësisht ata janë nxjerrë të gjallë nga ashensori.
/Gijotina.com