Sot, në shtëpinë e Sabrina Begajt, 23-vjeçares që disa ditë më parë u ekzekutua gjakftohtësisht nga ish-bashkëshorti Elton Meta, priten vizita ngushëllimi. Por pikërisht sot, Sabrina duhet të ishte duke festuar ditëlindjen me të afërmit dhe shoqërinë. Për familjarët e të resë gjurmët e gjakut në banesën “nuk janë fshirë” ende, teksa krimi i pasionit tronditi gjithë opinionin publik. Me dhimbje e të tronditur, familjarët kanë dëshmuar gjithë dinamikën e ngjarjes, sipas të cilës skena e krimit i ngjan një vrasjeje gjakftohtë. Dëshmitare e krimit ishte nëna e të resë, e cila tregon se Sabrina u vra nga një person me rrezik për shoqërinë, me pjatën në dorë, e rraskapitur nga puna. Ndër të tjera, ajo ka dëshmuar e tronditur se Eltoni ka qenë rrezik dhe për babanë dhe vëllanë e Sabrinës, pasi ai shfaqej krejt papritur me armë në dorë dhe i kërcënonte më jetë nësE nuk e kthenin Sabrinën tek ai.
“Dhe çdo natë kur ishte turn i dytë unë dilja sepse kisha frikë nga ai njeri i poshtër. Vajti ora 10:20, isha ulur te karrigia, nga frika që ka bërë terror në shtëpinë tonë. Ishte hera e dytë që vinte në shtëpinë tonë me kallash. E prita vajzën, ishte me bukë në gojë. Sa e pashë që do hapte derën e jashtme, se po prisja djalin, sa hapi derën thashë “mos ky do jetë Eltoni” me kallash. E mora me të mirë, para 10 muajsh ishe në burg, i thash, merre armën dhe kthehu. “Ku është ajo?”, – më tha. Vajza më thotë: “Ça është?”, doli me pjatë në dorë. Nusja i tha: “Mos e godit atë se është shtazënë”, aty po dilte vajza tjetër dhe ia bëra me dorë largohu. Sabrina i tha: “Hajde se s’ke punë me ata po me mua”, dhe sa ktheu kurrizin e goditi”, dëshmoi nëna e viktimës.
Edhe pse shumë vonë, babai i Sabrina Begajt që u vra gjakftohtësisht nga ish-bashkëshorti ka ngritur zërin dhe kërkon dënimin maksimal për autorin e vrasjes së vajzës. I tronditur e në lot ai ka treguar se vajza ka kaluar peripeci në lidhjen martesore që nuk ia uron t’i ndodhë asnjë vajze tjetër, se bashkëshorti e tradhtonte dhe familja e tij e fshehu pabesisht.
“Vite më parë në pabesi kjo familje më rrëmben vajzën, me mashtrim, për martesë. Në fillim nuk fola, për turp kundrejt të gjithëve që më njihnin, se donte të thoshte që ti nuk je i aftë dhe vajza të iku nga shtëpia. U detyrova, erdha në shtëpi dhe bëra paqe me fëmijën tim. U largova përsëri dhe çdo gjë po shkonte shumë mirë. Pas pak kohësh lindi një fëmijë, Noemi, që është një fëmijë i mrekullueshëm. Filluan grindjet! Ish-dhëndri, ky plehrë e shoqërisë shqiptare, filloi ta tradhtonte. E faktuam dhe vajza merr djalin në telefon dhe i thotë hajde më merr se unë nuk rri më këtu. Pas 5 ditësh vjen dhe e kërcënon në shtëpinë time me armë. Pasi e arrestojnë fillon e ëma, një mashtruese, doli në televizor dhe tha që armën e kishte marrë në shtëpinë time. Deklaron që unë kisha ndërhyrë në prokurori për ta çuar në një burg në veri”, shpjegon i ati i viktimës konfliktet me dhëndrrin dhe familjen e tij.
Akuza ka hedhur në drejtim të gjyqtarit Piro Sota dhe prokurorit Çlirim Sino, të cilët e nxorën nga burgu duke gënjyer se është i sëmurë mendor.
“Unë denoncoj publikisht prokurorin dhe z. Pirro Sota. Ata e liruan dhe sot iku ime bijë. Akuzoj ish-ministren e Drejtësisë. Kush janë këta mjekë që kanë lëshuar atë dokumentin që na qenka i sëmurë dhe ai të dilte nga burgu. Unë këtë nuk do ta kaloj në plumb, por në varje. U falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Vajza ime sot bënte 23-vjeçe.Në momentin e ngjarjes ka qenë aty edhe nusja e djalit. Vajza i doli para atij që të mos qëllonte kunatën. Unë akuzoj direkt gjyqtarin Pirro Sota. Ai të japë llogari personalisht. I njoh personalisht. Unë kërkoj dënim në litar. Nuk ka më të drejta njeriu me këto lloj fundërrinash. Nuk dua të kem asnjë kontakt me familjen e tij. Opinioni publik në radhë të parë duhet të ngrihet kundër këtyre plehrave në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai.
A. L / Gijotina.com