Mëngjesin e sotëm përfundoi seanca plenare ku u votua kabineti i ri i ministrave ‘Rama 3’. Programi dhe përbërja e qeverisë “Rama 3” morën 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim. Pas votimit pritet që qeveria të betohet te presidenti Ilir Meta.
Seanca plenare nisi ditën e djeshme në orën 10:00 të mëngjesit me fjalën e kryeministrit Rama i cili prezantoi programin e qeverisë në mandatin e tretë. Më pas pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat e kabinetit. Pjesa e debateve të lira ka rindezur diskutimet dhe përplasjet e para mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Edi Rama prezantoi programin qeverisës për mandatin e tretë të PS në pushtet. Duke nisur nga procesi i Rindërtimit, e deri tek rritja e pagave, kryeministri preku para deputetëve në Kuvend të gjitha pikat e programit të qeverisë “Rama 3”.
Në nisje të fjalës së tij, kryeministri theksoi rolin kyç që do të kenë gratë në mandatin e tretë qeverisës, teksa tha se Shqipëria ngjitet në vend të parë për numrin e grave në qeveri.
“Në një ndjenjë të posaçme mirënjohje për të gjithë shqiptarët. Jam këtu sot për të kërkuar votëbesimin e qeverisë së re për mandatin e tretë. Kjo qeveri e re do të hyjë në histori me përbërjen më të lartë të grave. Jam krenar që kjo shumicë ka çuar vendin përpara tërë këto vite si asnjëherë më parë për ti dhënë grave dhe vajzave vendin e merituar. Kjo është një nga ato gjërat me rëndësi që koha u jep gjithnjë edhe më shumë mundësi. Me votëbesimin e këtij kabineti të ri Shqipëria ngjitet në vend të parë për numrin e grave në qeveri, pasi ka qëndruar në pesë vendet e para”.
Më pas, kryeministri u përqëndrua tek procesi Rindërtimit, një nga pikat më të rëndësishme të programit ku tha se në fund të pranverës së vitit 2022 do të përfundojë i gjithë rindërtimi. Sipas programit 60 miliardë lekë janë ndarë nga buxheti i shtetit në funksion të Programit të Rindërtimit për tre vite. Dhe në fund të pranverës së vitit 2022 pritet që të jenë mbaruar 4 mijë e 500 banesa individuale, 12 mijë apartamente si dhe 160 çerdhe, kopshte, shkolla e konvikte.
Sa i përket vaksinimit, ai lëvdoi veten kur tha se nuk kemi zili asnjë vend tjetër, pasi shifrat flasin vetë.
“Nuk ndryshon as vaksinimi masiv. Do vazhdojmë derisa të jetë domosdoshmëri. Sot ne nuk kemi zili asnjë qeveri apo vend tjetër. Faktet, shifrat flasin vetë. Dje morëm lajmin për green pasin, për lëvizjen në Evropë. Green pass gjenerohet përmes platformës E-albania. Ky është një mesazh kuptim plotë që të vaksinohen të gjithë pa humbur kohë, që të lëvizin lirisht jashtë vendit. Jo vetëm përpjekja jonë në këto dy fronte por dhe gatishmëria jonë do të jetë maksimale, kudo apo kurdo që opozita apo media nxjerr në pah të meta dhe gabime. Sot, do u them që të kërkojnë çdo informacion. Lajmet e rreme apo denoncimet e të tjera në ekrane, portale, dëmin psikologjik e bëjnë njësoj. Unë zotohem se çdo qëndrim kritik apo denoncim do të jetë i trajtuar seriozisht nga ne”.
Gjatë prezantimit, nuk mungoi as mungoi as presioni ndaj Bashkive, kur paralajmëroi kryebashkiakët e vendit, që të kujdesen për territorin e bashkive të tyre, pasi në të kundërt nuk do të përfitojnë asnjë grant nga qeveria.
“Do t’i mbështesim kujdestarët publikë të fëmijëve tanë, qoftë në aspektin profesional dhe financiar. Do të investohemi fuqimisht. Në fillim pastërtia, pastaj gjitha të tjerat. Rritja e konsumit, e veprimtarisë ndërtimore, s’mund të rritet me nivelin e papastërtisë. Bashkitë që nuk pastrojnë dhe nuk menaxhojnë plehrat, s’do të përfitojnë asnjë grant nga buxheti i shtetit. Pastërtia duhet të kthehet në kryefjalën e çdo qeverie vendore dhe çdo kryebashkiaku. S’do të tolerojmë më mbylljen e syve nga pushteti vendor, të ndërtimeve pa leje. Ligjin e kemi ri parë dhe ri forcuar në këtë funksion. Duam që ta bëjmë Shqipërinë e 2030-ës kampion të turizmit”.
Ndër të tjera, ai u fokusua dhe tek operacioni “Bregdeti Ynë” i iniciuar për prishjen e objekteve pa leje në bregdet, teksa tha se duhet të shmanget papërgjegjshmëria e zaptimit të territorit.
“Duhet të shmangim papërgjegjshmërinë e zaptimit të territorit. Sektori i turizmit ishte i mirë por dhe aq kambanë alarmi për mbetjet. Një plan i ri agresiv i ndërhyrjes së qeverisë ndaj këtyre armiqve të shpërfilljes së këtij vendi do të vihet në veprim që nga janari i vitit të ardhshëm. Vija e bregdetit të Shqipërisë, mund të përfitojë çdo vit e më tepër. Patriotizmi nuk është të urresh një komb tjetër por të duash vendin tënd. Është të sillesh me të si me shtëpinë tënde. Të paguash detyrimet që të takojnë dhe të ruash mjedisin që nuk të takon ty, për gjeneratën tjetër”.
Gjithashtu kryeministri shtoi se nga 1 qershori i vitit 2022 do të ndalet konsumi i qeseve plastike, duke i cilësuar si vrasës të mjedisit.
Rama zhgënjeu pensionistët kur foli për rritjen e pagave, pasi në kategoritë që përfshiheshin në rritje, mosha e tretë nuk bënte pjesë.
“S’kemi premtuar në fushatë asgjë domethënëse, as për pensionistët. Jo se nuk e dimë se ata meritojnë të shpërblehen më shumë se të tjerët. Përtej bonusit special që kemi vendosur në fundvit, nuk kemi mundur dot dhe s’mundim dot që të hedhim atë hap, pasi gropa e hapur nga skema e vjetër e pensioneve para se të merrnim reformën e pensioneve, akoma nuk është mbyllur në pikën që ne të hedhim një hap të guximshëm për rritje domethënëse. Dua të them sot, jo nga foltorja e fushatës, por nga Kuvendi, të gjithë gjyshërve dhe gjysheve se një plan i pavarur nga ecuria e kësaj reforme, është në tryezën tonë. Do të jetë dita më e bukur e jetës time publike dhe politike të marr shpërblim buzëqeshjen e tyre të bekuar për të vënë në zbatim plani për rritjen e pensioneve. Do ta mbajë çdo ditë në mendje marrjen e atij shpërblimi të shenjtë. Lus zotin që ta bëjmë realitet. Është një angazhim solemn në Kuvend për të bërë realitet këtë premtim të munguar. Kjo është diçka që ja vlen të bëjmë maksimumin”, tha ai. Sot e premtoj se kjo shumicë qeverisëse do të rrisë pagat e edukatorëve, të mësuesve, të mjekëve, infermierëve, me 40%. Pagat e administratës me 30%”.
Mes të tjerash Rama tha se duke nisur nga 1 janari, paga e trupës së Teatrit Kombëtar, Operas dhe Baletit do të dyfishohen.
Ai gjithashtu foli për arritjet që sipas tij qeveria ka arritur në sistemin e drejtësisë falë e reformës. Në fjalën e tij, Rama shtoi se drejtësia ka rritur ndëshkueshmërinë duke dërguar edhe një mesazh për të gjithë personazhet e lidhur me botën e krimit.
“Askush që ka llogari të hapura me ligjin nuk flet më i qetë. Kokat e botës së krimit janë prapa hekurave ose në skuta, ku numërojnë ditët pasi nuk u fshihen dot drejtësisë”.
Një nga pikat e rëndësishme të planit, ishte dhe nisma e “Open Balkan”, ku kryeministri nxitoi të thoshte se nuk është lojë e Serbisë, teksa nuk munguan kritikat ndaj qeverisë së Kosovës.
“Ballkani i hapur nuk është lojë e Serbisë. Nuk është devijim nga rruga e anëtarësimit të BE. Të gjitha këto janë përralla me gogol, në një luftë nga Facebook dhe kolltuku. Kosova dhe Shqipëria atë armik e kanë mundur realisht falë SHBA-së, kundër xhahilit të Beogradit si dhe falë UÇK. Foshnjat që lindën në atë luftë nuk ia kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë as në Prishtinë e as në Beograd. U takon atyre të marrin vendime dhe ne na takon ti respektojmë. Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë ti diskutojmë vëllazërisht, por jo ti shpallim si tradhtarë dhe konspiracionistë ruso-kinezë ata që mendojnë ndryshe”.
Kryeministri duket se nuk ka hequr dorë nga bashkëpunimi me Partinë Demokratike në Kuvend. Rama tha se dora vijon të mbetet e shtrirë për PD, duke thënë se me sherr e shamatë kanë humbur mundësinë për të bërë më shumë.
“Të gjithë nuk kemi shkëlqyer në sytë e qytetarëve. Shumë skena dhe fjalë për të cilat s’mund të jemi krenarë. Shumë sherr e shamata për të mos dalë askund nga kujtesa. Shumë mundësi të humbura për të bërë më mirë. Kur dalim që këtu pasi lëmë nam, gjithmonë fajin se kemi ne, ose gjithnjë ata, pala tjetër, si kalamajtë e ka kush e ka. S’dua të drejtoj gishtin te pala tjetër, por mbaj fajin tim, për aq sa na takon. Duhet të jetë më shumë se unë dhe ne nga sa na takon. Dora jonë është e shtrirë drejt PD, vijë mendimi, jo fjalë për kaluar radhën. Të jemi të qartë, nuk duam lëshim nga ju, jemi gati të dialogojmë për çdo lëshim që ju doni. Nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që nuk e dëshironi”, tha Rama.
Replika ka pasur me këtë të fundit, ku teksa Rama po fliste për menaxhimin e pandemisë, Basha nxitoi të replikonte. Basha pohoi disa herë me zë të lartë se janë regjistruar 16 mijë viktima nga koronavirusi në vendin tonë. Ndërkohë që Rama ia kthehu me ironi se pavarësisht shtytjes që i dhanë akuzat e opozitës, Shqipëria e përballoi me sukses pandeminë. Aktualisht ministrat po i përgjigjen pyetjeve të deputeteve për nismat e mandatit të tretë.