Deputeti i PD Flamur Noka, njëkohësisht një nga mbështetësit më të mëdhenj të ish-kryeministrit Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.
Në një prononcim për mediat nga selia blu, Noka tha se Basha po iu bën presion drejtuesve të degës që të sabotohen takimet e Berishës.
“Nga informacionet që kemi, ka disa ditë që ka filluar takime me drejtues të degëve duke u shtruar shantazh që të sabotohen takimet e Berishës. Kjo është e turpshme dhe e neveritshme”.
Sipas Nokës, Kuvendi Kombëtar do të mblidhet dhe askush nuk mund ta ndalojë këtë gjë, teksa shtoi se Kuvendi nuk mblidhet për diskutimin e vendimit të SHBA, por kundër Lulzim Bashës i cili sipas tij nuk përfaqëson më vullnetin e demokratëve.
“I bëra me dije që duhet të kontrollojë artikulimin e tij sepse nuk mundet që lideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturës si “proamerikanizëm” dhe të sulmojë bazën. Kuvendi Kombëtar do mblidhet por jo për të shqyrtuar vendimet e SHBA, por do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kundër kryetarit të PD i cili tashmë është minorancë ilegjitim dhe nuk përfaqëson vullnetin tonë. Gjithcka është në proces dhe asgjë nuk mund të ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD, tha Noka.
Sipas tij, vendimi i Bashës ka lumturuar vetëm kryeministrin Rama, dhe se asnjë nga mbështetësit e Bashës nuk ka qenë pro këtij vendimi.