Ish- kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka komentuar iniciativën për ndryshimin e kushtetutës sa i përket zgjatjes së afatit të funksionimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përtej qershorit të vitit të ardhshëm.
Përmes një interviste televizive, ai kërkon që qeveria duhet të mendojë me kujdes çdo hap që do të ndërmarrë, sepse të dyja opsionet mund të shkaktojnë kaos në drejtësi. Sipas tij, shtyrja e afatit është mendim i mirë, por a do mund të arrijë qeveria të bëjë ndryshimet në Kushtetutë deri në verën që vjen.
Prandaj ai kërkoi që të merren parasysh efektet që do të shkaktoj ky opsion, por edhe pengesat që dalin për të arritur atje.
“ Unë nuk them se të dyja opsionet nuk qëndrojnë. Ajo që konsiderohet shumë e rëndësishme në gjykimin tim është se përpara se ne t’i drejtohemi nevojës ose rrugës për të bërë një ndryshim kushtetues, do të duhet të bëjmë një analizë. Kjo është themelore dhe e domosdoshme për të kuptuar se si ka ecur procesi, jo veç në këtë rast po për çdo ndryshim kushtetues. Nuk është një akt i lehtë dhe s’mund të jetë një dëshirë e momentit. Në këtë kontekst duhet të ketë një analizë që të mësojmë cilat janë arritjet, sukseset dhe avantazhet që e bëjnë të domosdoshme zgjatjen e afatit në krahasim me atë çfarë ka parashikuar sot Kushtetuta dhe cilat janë disavantazhet apo efektet që do shkaktohen? Nëse e kemi një analizë të tillë, atëherë mund të themi që na duhet një ndryshim Kushtetues për të shkuar në këtë rrugë vetëm me argumentet përkatës.
Është e thjeshtë të thuhet se do të bëjmë një ndryshim Kushtetues, por çështja është sa kohë, po pse kaq kohë dhe sa garanci kemi që në një vit, apo në dy siç thotë dikush? Këtu nuk është çështje subjektive si e mendoj unë apo dikush tjetër, prandaj është e nevojshme një analizë me argumentet përkatës dhe natyrisht edhe me përfundimet e nevojshme ku do të përfshihet në radhë të parë vetë Kuvendi, organet përkatëse, përfaqësues të shoqërisë civile dhe misionet e asistencës ndërkombëtare, përfshi këtu ONM dhe dy misionet që asistojnë reformën në drejtësi EURALIUS dhe OPDAT”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ai vuri në dukje se është shumë e rëndësishme të bindet opozita për të shtyrë afatin e KPK, se në të kundërt nuk mund të bëhen ndryshimet në Kushtetutë. Sipas tij, është e mira që të dy palët të lënë me një anë inatet politike dhe të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve. “E para nuk mund ta ulësh opozitën thjesht me faktin që unë mendoj kështu ose ne mendojmë kështu, edhe ju duhet të mendoni si ne. E dyta nëse ke argumente dhe ato janë të qenësishëm, opozita cilado qoftë ajo do ta ketë shumë më të lehtë të bëhet pjesë e një zgjidhje të tillë dhe të jetë kontributore për një zgjidhje. Është e rëndësishme edhe në një aspekt tjetër që t’i shpëtojë këtij kurthi politik.
Pra ne si mazhorancë por edhe opozita në mënyrë të veçantë, nuk duhet ta shohë këtë si arena e radhës ku përplasen kokat e nxehta politike. Jo, këtë duhet ta shohin në funksion të nevojës që kemi për të pasur sa më shpejt organet e reja të reformës në drejtësi të plotësuar edhe me elementin thelbësor siç provoi koha, të rivlerësimit të tyre”, tha ai.
Kujtojmë se që të bëhet shtyrja e afatit, duhet ndryshuar neni për këtë çështje në Kushtetutë dhe këto ndryshime kanë nevojë për konfirmimin e opozitës dhe mazhornacës.