Është shoqëruar me debate dita e dytë e mbledhjes së Komisioneve Parlamentare, ku ka pasur sërish përplasje mes përfaqësuesve të PD dhe PS. Ndërsa deputetët demokratë u paraqitën fizikisht në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, deputetët e mazhorancës kanë këmbëngulur se do të zbatonin vendimin e marrë për zhvillimin e mbledhjeve online pa prezencë fizike.
Nënkryetari i Komisioni, njëherësh deputet demokrat, Helidon Bushati ka bërë thirrje që deputetët e mazhorancës të kthehen nga udhëtimet e tyre jashtë shtetit dhe të bëhen mbledhje normale me prezencë fizike, pasi online nuk po bëhej dot as lidhje teknike.
“Mazhoranca e sotme po kërkon ta kthejë parlamentin në tallava. Po kërkon që të kalojë ligje me deputetë që janë në bare, në avion apo në shopping center nëpër Europë. Kjo është e patolerueshme, ky është një turp për parlamentarizmin shqiptar. Sot së bashku me kolegët, përfaqësues të PD në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, u paraqitëm siç e kishim lajmëruar në sallën e Komisionit. Nuk na u dha fjala. Konferenca e Kryetarëve e ka të parashikuar qartë në dispozitën për punën e komisioneve online, që në raste të komisioneve të rëndësishme, të çështjeve të rëndësishme, punimet mund të bëhen edhe fizikisht”, tha ai.
Në po të njëjtin orar është zhvilluar edhe Komisioni për Arsimin dhe Median, ku deputetët e opozitës, shkuan në sallë. Kryetari i Komisionit, Agron Gjekmarkaj, tha se opozita u paraqit në sallën e komisionit, ndërsa maxhoranca jo, pasi nuk e do përballjen.
“Opozita u paraqit në sallën e Komisionit të Edukimit dhe Medias, për të respektuar lirinë e fjalës, por siç e shihni gjendemi përballë një situatë absurde. Maxhoranca nuk u paraqit, nuk do ballafaqim me opozitën, nuk duan të diskutojnë çështjen e arsimit në Shqipëri. Nuk duan të flasin për 2 orë mësim që po zhvillohen në shkollat shqiptare. Kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore. Opozita është këtu për të ruajtur vendin, e nuk lutemi, ne do jemi këtu për betejë të përditshme, betejë që ka dalë nga shitblerja që ka ndodhur këto 30 vite, do të jeni të sigurt që Rama nuk do ta ketë të lehtë me opozitën e Shqipërisë. Opozita u paraqit aty në mënyrë që seanca të zhvillohej normalisht, i bëj thirrje Nikollës të mos bëhet certifikuese e dëshirave të Ramës, të ndjekë shembujt më të mirë të parlamentarizmit shqiptar. Opozita i ka të gjitha mekanizmat që të vetëmbrohet,”– u shpreh Gjekmarkaj.
Dhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, PD ka shkruan të paraqitet fizikisht në sallë, ndërsa deputetët e PS, loguar online. Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi i ka kërkuar deputetëve të opozitës që nëse nuk futen online, atëherë të paraqiten në sallë e të marrin fjalën.
“Kam vetëm një kërkesë të lutem, mund të kundërshtojmë njëri-tjetrin, kjo nuk na shqetëson, por të jeni të papëlqyeshëm duke ndërprerë, ja dhashë z.Agalliu fjalën. Se çfarë them unë, dhe atë mund ta gjykoni më vonë. Do ju kërkoja të respektojmë ekipet. Po ju them që një nga debatet më të rëndësishme që duhet të bëjmë dhe në parlament është ajo që po bën bota, mbledhje online, komisionet, jo vetëm për sa kohë është pandemia, por dhe pas saj. Ju solla shembuj universitetesh, por dhe shembuj të tjerë, për mënyrën si do të operohet pas covid. Kam një kërkesë nga disa kolegë deputetë, s’dua të përmend vetëm mazhorancën. Do vendosim cilat janë mbledhjet që mund të bëhen me prani fizike. Nëse do të logoheni mirë, nëse s’do të logoheni do të duhet të vini këtu”, tha ai.
Deputetët e PD kanë marrë pjesë fizikisht edhe në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Deputetja e PD Sorina Koti, nënkryetare e komisionit tha se detyra e deputetëve është të përfaqësojnë qytetarët dhe se ata do të jenë në kuvend për të sjellë projektligjet që iu shërbejnë atyre. Koti iu bëri thirrje dhe deputetëve të PS t’iu bashkohen.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka kërkuar në emër të opozitës hetim për rritjen e çmimit të bukës e miellit. Tabaku thotë se brenda 3 javëve duhet thirrur Autoriteti i Konkurrencës në një seancë dëgjimore. Ajo theksoi se kjo rritje nuk varret nga faktorë të jashtëm, por të brendshëm dhe duhet transparencë se si çmimi i miellit e bukës u rrit brenda ditës.
“Të thërrasim në seancë dëgjimore Autoritetin e Konkurrencës. Rritja e çmimit të bukës dhe miellit brenda 1 dite, marrja e një iniciative për hetim në treg pa dalë me konkluzion nga Autoriteti, dhe situata e krijuar na detyron ne si Komision të jemi të përgjegjshëm, për ata që na kanë votuar, të na prezantojnë çfarë ka ndodhur, situatën, pse është rritur çmimi. Besoj që janë të gjithë të ndërgjegjshëm që kjo është një situatë që nuk varret nga situatë e jashtme, brenda 3 javëve të thërrasim Autoritetin e Konkurrencës, të hetojmë, dhe të ketë sugjerime, nga operatorët, besoj që deputetët e këtij komisioni kanë nevojë për transparencë,”- tha Tabaku.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj komentoi deklaratën e kreu të grupit të PS, Balla lidhur me mbledhjet e komisioneve parlamentare
“Më vjen mirë që pati një kthesë në ligjshmëri dhe reflektim për të zbatuar ligjin dhe rregulloren nga drejtuesit e Partisë Socialiste”.
Ai tha se ka qenë një kërkesë e deputetëve të PD, që të kryhej vaksinimi i anëtarëve të Kuvendit, ndërsa theksoi ndër të tjera se në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së kryetarëve do të mësohet se si do të zhvillohen sesionet e komisioneve në vazhdim.
“Por që t’iu përgjigjem pyetjes tuaj, në fakt nuk e konsideroj si betejë të fituar. Ata kanë rënë dakord që të zbatojnë ligjin. Është kaq e thjeshtë dhe nuk do të doja që të drejtën që qytetarët shqiptarë kanë në bazë të rregullores dhe Kushtetutës për transparencë, për të dëgjuar përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvend teksa diskutojnë për projektligje, për nismat që do të prekin jetën e tyre, të quhet si fitore. Përkundrazi, është diçka që drejtuesit e PS duhet ta bënin që në fillim dhe të mos futeshin fare këtij debati”, tha Rushaj.
Të dy kampet politik në vend kanë perceptime të ndryshme për mënyrën e zhvillimit të Komisioneve, ku qeveria është shprehur se komisionet do mbahen online, ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë vendim.
Debati u zhvillua javë e kaluan në Kuvend ku socialistët kërkuan që mbledhjet të zhvillohen online si vitin e kaluar si masë kufizuese për ndalimin e përhapjes së pandemisë, ndërsa deputetët demokratë kanë bërë të qartë se do të paraqiten fizikisht sepse nëse mbledhjet zhvillohen online, asgjë nuk do ishte e qartë për qytetarët.