Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takim me demokratët në qytetin e Elbasanit.
Basha u shpreh në Elbasan si në asnjë vend tjetër, pati përplasje të botës së errët dhe botës së qytetëruar.
Ndërsa falënderoi drejtuesit e Partisë Demokratike, kryedemokrati tha se kjo forcë politike do të rrëzojë regjimin Rama-Doshi dhe do t’ua u kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.
“Elbasani, një qytet që është njohur për dekada dhe për shekuj, për shkollën, për festën e verës, për qytetarinë e tij, por që fatkeqësisht tashmë gjatë këtyre javëve mbeti në kronikat e lajmeve për vrasjet mafioze. Akoma pa u tharë një njollë gjaku, ndodh një tjetër ngjarje kriminale dhe kryefamiljarët e Elbasanit nxitojnë të bëjnë apelin e familjarëve të tyre me trishtimin dhe frikën në zemër se mos ndonjëri prej tyre është bërë pre, ka rënë pre, ka rënë viktimë e ndonjë plumbi qorr. Sepse Elbasani tashmë nuk njihet si qyteti i Normales, nuk njihet si qyteti i Festës së Verës, por njihet ashtu siç janë detyruar ta pranojnë edhe vet krerët më të lartë të institucioneve të ligjzbatimit në vend, si kryeqyteti i krimit. Kjo është e vërteta.
Ndaj, sot nga Elbasani kam një mesazh. Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit.
Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit”, u shpreh Basha.
Ndërsa u ndal tek kërkesa për bashkëpunim, Basha tha se Elbasani është përgjigja e qartë që tregon se si pushteti është bërë njësh me krimin.
“Atyre që pyesin pse nuk jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Edi Ramën, ju them ejani në Elbasan. Ejani dhe shikoni se si janë bërë njësh pushteti me krimin, krimi me pushtetin. Siç e ka thënë dikur gjyqtari i famshëm anti-mafia, Paolo Borselino, “krimi dhe politika ushtrojnë kontrollin mbi të njëjtën hapësirë. Ato nuk mund të jenë në paqe me njëra-tjetrën, por vetëm në luftë me njëra-tjetrën ose përndryshe njëra prej tyre ka fituar”.
Dhe ne e dimë fare mirë se çfarë ka ndodhur këtu. Ne e dimë fare mirë, siç e dinë të gjithë shqiptarët, se krimi dhe pushteti në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë janë bërë njësh jo thjesht dhe vetëm për përfitimet personale dhe vetjake materiale të bosëve të krimit të organizuar, por për këtë transaksion të pastër ku në këmbim pushtetarët e korruptuar nuk marrin vetëm paratë pjesën e tyre të trafiqeve të drogës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, por marrin mbështetjen kriminale në proceset zgjedhore. Kjo është e vërteta dhe këtë duhet ta dijë çdokush. Kush nuk e di, le të vijë në Elbasan.
Kush mendon se në do të biem në paqe me këtë realitet, kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur.
E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi.
Më tej Basha shtoi: Sot kam ardhur për t’ju dhënë dy mesazhe: së pari, për t’u përkulur me nderimin më të thellë para sakrificës tuaj dhe kjo nuk është një frazë goje. E kam të vështirë të gjej fjalët për t’ju shprehur mirënjohjen që më buron nga zemra mua, sikundër çdo qytetari, çdo prindi shqiptar për rezistencën që ju kryefamiljarë, baballarë, gra, burra bëtë para shtetit të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me shtetin. Se çfarë kurajo kjo kërkonte, se çfarë besimi kjo kërkonte kudo në Shqipëri e në veçanti në Elbasan, mirënjohje të thellë dhe garanci se Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk e harrojmë këtë fuqi, këtë energji, këtë sakrificë tuajën dhe të gjithë ekipit të demokratëve anembanë qarkut të Elbasanit dhe të gjithë qytetarëve të qarkut të Elbasanit që ju me kurajon dhe me besim në këtë betejë për ndryshim.
Dua t’ju them se kokat duhet t’i kemi lart. Nuk ka forcë politike në Ballkan të mbetur që nga koha e rrëzimit të regjimeve komuniste që të ketë fuqinë që demonstroi Partia Demokratike në Shqipëri përballë këtij regjimi. Njësoj si në 91-shin, pa asnjë pushtet përveç pushtetit të zemrës, përveç besimit tek ndryshimi dhe kjo tregon se jo vetëm nuk jemi tkurrur, dobësuar apo lodhur, por jemi më të fortë, më të vendosur se kurrë. Me të gjitha marifetet e regjimit që nga ndryshimet antikushtetuese të Kodit, tek ndarja pa hesap e parave të grabitura të shqiptarëve për t’ju blerë votën, tek punësimet e paligjshme, tek kërcënimet derë më derë nga bandat e krimit të organizuar.
Në fund diferenca me të gjitha manipulimet zgjedhore përbehet vetëm nga votat e një familje kriminale, që është familja e Aqif Rakipit, djali dhe dhëndri i të cilit mblodhën më shumë vota se Edi Rama.
Diferenca është pothuajse njësoj sa votat e mbledhura nga çiraku i Edi Ramës në qarkun e Elbasanit, dy herë më shumë sesa vetë ai është prova më flagrante për këdo që kërkon prova se çfarë ndodhi në Elbasan.
E pra, mos ta harrojmë në radhë të parë se ky është fryt i punës dhe kurajoze tuaj. Asgjë tjetër nuk do t’i kishte rezistuar shtetit të bërë njësh me Partinë Socialiste dhe partisë të bërë njësh me shtetin dhe bandat dhe krimin e organizuar përveç bashkimit të zemrave të demokratëve dhe vendosmërisë për të qëndruar siç qëndruam.
E dyta, shtrihet përtej radhëve tona e ka të bëjë me ata 680 mijë shqiptarë që na ndoqën në këtë betejë. Na ndoqën sepse besuan se beteja nuk bëhej për karriget tona, nuk bëhet thjesht dhe vetëm për rotacion, por bëhet për një ndryshim për ta, për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre. Ky është në fakt edhe detyrimi më i madh që i kemi, detyrimi ndaj tyre.
Kujt t’ia lëmë fatin e tyre dhe të qindra mijëra të tjerëve që donin ndryshimin, por u penguan me dhunë e me kërcënime, e me shantazhe e me çmimin e mjerimit? Kujt do t’ia dorëzojmë fatin e tyre? I pushtetit të bërë njësh me krimin? I një drejtësie që nuk ekziston? Padiskutim që nuk do t’i lëmë në mes të rrugës.
Ndaj, e kam thënë prej ditës së parë betejën nuk e kemi nisur për karriget tona, betejën nuk e kemi nisur për karrigen time. Betejën nuk e kemi nisur thjesht dhe vetëm për pushtetin e Partisë Demokratike ndonëse e dimë siç e dinë shumica e shqiptarëve se nën drejtimin tonë Shqipëria e ka të hapur rrugën e ndryshimit për çdo shqiptar. Betejën e nisëm për shqiptarët e thjesht, për ata që sot janë nën dëshpërim dhe zhgënjim, në depresion dhe në zemërim dhe presin me sytë nga ne se çfarë do të ndodhë.
Nëse do t’i ulim flamujt e betejës, do të ulim kokat e do të pranojmë fatin e paracaktuar nga aleanca e reagimit Rama-Doshi? Apo do të qëndrojmë fort dhe këtë regjim që e kemi sjellë në buzë të greminës thjesht me forcën e shpirtrave tanë, me bindjen e thellë për ndryshim do ta çojmë aty ku e meriton, në fund të greminës.
Mesazhi që kemi për ta është një dhe vetëm një: ne e nisëm këtë fushatë në krahun tuaj dhe për ju, ne do ta vazhdojmë këtë betejë në krahun tuaj dhe për ju deri në fitoren e çdo familje shqiptare deri në fitoren e Shqipërisë që do të thotë përmbysje e regjimit Rama-Doshi dhe rikthimin e demokracisë, e zgjedhjeve të lira dhe i Shqipërisë të shqiptarëve.