Çështja e Teatrit Kombëtar është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas polemikave të shumta për shembjen, pronësinë dhe ndërtimin e godinës së re. Së fundmi, mësohet se qeveria në shkelje të plotë me ligjin, ka vendosur t’i akordojë bashkisë Tiranë 900 mln lekë, ndonëse gjykata Kushtetuese e konsideroi shembjen e teatrit si anti kushtetues, dhe godinën ia kaloi në pronësi ministrisë së Kulturës.
Por, ndonëse Kushtetuesja “e braktisi”, qeveria i qëndroi në krah qytetarit të parë të Tiranës, duke vendosur që fondet për ndërtimin e godinës së re, t’ia kalojë Bashkisë.
Ky vendim ngjalli debate të ashpra në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ku deputetja e PD, Jorida Tabaku reagoi e habitur se përse qeveria do t’i akordojë 900 mln lekë Bashkisë Tiranë për godinën e Teatrit Kombëtar. Ajo vuri në dukje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, ia ka hequr të drejtën Bashkisë Tiranë për ndërtimin e Teatrit.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për Teatrin Kombëtar, prishja është ilegjitime, prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës. Për çfarë arsye i kaloni Bashkisë Tiranë 900 mln lekë për Teatrin Kombëtar kur vendimi për prishjen është antikushtetues dhe prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës”, u shpreh Tabaku.
Tabaku tha se ky veprim nuk ka lidhje me pandeminë dhe as me rindërtimin, por është abuziv dhe po përpiqet të shkelet vendimi i Gjykatës.
Teatri Kombëtar është një çështje mjaft sensitive, pasi figura të shumta të jetës publike në vend, kanë reaguar pro dhe kundër shembjes së tij. Fatkeqësisht, Tetari u shemb në orët e para të mëngjesit të 17 majit 2020, duke shënuar fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës nga njëra anë dhe aktivistëve nga ana tjetër, të cilët e denoncuan atë njëkohësisht si një shembull tipik i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe memories historike të vendit.
Kundër shembjes së Teatrit Kombëtar reagoi edhe Bashkimi Europian, përmes Komisioneres Mariya Gabriel, e cila mbulon mes të tjerash çështjet e kulturës.
Kryeministri Edi Rama asokohe mori vetë përgjegjësinë për shembjen duke deklaruar atëherë se shembja u krye për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa ofendoi mbrojtësit e trashëgimisë kulturore si njerëz që nuk e duan zhvillimin.