Seanca e sotme parlamentare ka nisur me përplasje të ashpra mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe ministres së shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Lideri i opozitës ka ripërsëritur akuzën se qeveria ka fshehur shifrat e fataliteteve nga Covid dhe nuk ka bërë rimbursimin e ilaçeve për të infektuarit.
Nga ana tjetër akuzave për rritje të çmimeve si pasojë e keqmanaxhimit, nga qeveria, kryeministri Edi Rama tha se opozita është shndërruar si “mbeturina të Partisë së Punës”, që bën aleanca me viruse me tërmet, përmbytje dhe kriza në vend që të ofrojnë një zgjidhje.
Në seancën e sotme, pritet të miratohen ndryshimet në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin me vaksina nga kompania PFIZER dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Samiti i Sllovenisë, Basha: 5 vende i thanë jo Shqipërisë, nuk i hapin negociatat edhe sikur të hiqet vetoja e Bullgarisë
Pasi Rama e konsideroi PD si mbetje të Partisë së Punës, lideri i opozitës ironizoi duke i kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që gjatë kohës që fliste Rama gota me ujë të ishte plot, pasi i thahej goja.
“Kryeministrit herë tjetër vërja gotën e mbushur që mos ta ketë fytin e thatë. Ndoshta e ndihmon, ndoshta jo, nëse përsëritja e fakteve është nëna e dijeve, dalja këtu për të marrë kohë për të përsëritur ato që thashë unë, është nona e së keqes. Edhe baba e së keqes,” tha Basha.
Kreu i PD-së, ka hedhur akuza të forta duke thënë se 5 shtete në samitin e Sllovenisë kanë vendosur që të mos hapin negociatat edhe nëse Bullgaria vendos që të heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat edhe sikur Bullgaria ta heqë veton nga Maqedonisë së Veriut, pasi nuk ka një kryeministër që ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira, por me vjedhje si Lukashenko. Vetëm një raport e tregon këtë: Shteti duhet të garantojë lirinë e të drejtën e votës. Si Lukashenko i Serbisë. Aleanca me krimin e organizuar ka marrë dhenë. Ky vend është kthyer në një nyje të krimit të organizuar, e ndan pushtetin me ta. Nuk i hapen Shqipërisë negociatat, por shampanja është vu. Në Slloveni, pesë vende kanë vendosur të mos ia japin Shqipërisë negociatat edhe sikur të hiqet vetoja. Tregojuani gangsterëve të Ballkanit sepse nuk jua hapni negociatat, autokratëve, sepse ju dini gjithçka”, deklaroi ai.
Edhe Basha si Rama nuk mundi t’i shpëtonte tundimit, kur huazoi një shprehje të ish- kryeministrit Sali Berisha, kur tha se “kjo nuk është një garë as e brendshme e Partisë Demokratike, kjo është një garë mes patriotizmit të vërtetë. Pengut apo pengmarrësit të krimit të organizuar, të atij që përdoret nga ata, që është kukulla dhe i përdor ata si kukulla, është beteja mes llumit dhe tranzicionit shqiptar, këtij këtu dhe çdo tjetri që kanë 30 vjet që pavarësisht çdo qeverie sa vijnë e bëhen më të pasur”.
Kjo seancë parlamentare ka nisur me një përplasje mes kampeve politike, ku më herët Basha akuzoi qeverinë se ka fshehur shifrat e pandemisë.
“Jeni në garë kush është kukulla e kush pengu”, Rama replika Bashës me shprehjen e Berishës
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama iu drejtua opozitës duke iu akuzuar se janë mbeturina të Partisë së Punës, dhe për se për sa kohë përsërisin të njëjtën gjë, do të marrin të njëjtin rezultat.
“Aty ju kam gjetur dhe aty do ju lë. Nëse vazhdoni të përsërisni këtë. Megjithatë kjo është zgjedhja juaj. Jemi në një garë kush është kukulla dhe kush është pengu. Deh kush shpif e shan më shumë se nuk është as kukull as peng. Urtësia e një populli ka një barometër dhe u bënë 5 ditë gjykimi rresht që u thotë populli “ju ta harroni” me këto mend që keni. Dje në samitin europian. Kishin kryefjalë se çfarë të bëjmë bashkë për krizën energjitike. Ju si pengu si pengmarrësi thoni se Shqipëria nuk ka lidhej me tregun. Po thatësirë ka Shqipëria? Blen Shqipëria? Dilnit ju në treg apo jo? E dyta ju u thoni se fatura e energjisë është më e larta në rajon. Është e pavërtetë. Fatura e energjisë në sistemin e energjisë. Rritja e çmimit në bursë, energji, naftë apo miell nuk pyet as se Spanja ka më shumë apo Shqipëria me pak. Ju partia e qendrës së djathtë ju e liberalizimit të tregut. Mendon se jeni mbeturina të Partisë së Punës. Me gjithë taksën e karbonit” tha Rama.
Kjo deklaratë e Ramës ka sjellë irritimin e opozitës ku shumë deputetë kanë ngritur zërin dhe nuk kanë munguar as ofendimet. Deputeti demokrat Belind Këlliçi i është drejtuar Ramës me fjalën “idiot”, ndërsa kryeministri Rama ka preferuar që të vazhdojë fjalën e tij pa replikuar me ta.
Belind Këllici: Shko ore, idiot! Shko ore s’të vjen zor.
Rama zgjodhi të mos reagonte, por të komentonte zhvillimet në samitin e Sllovenisë.
“Në samit kryefjalë kishin çfarë mund të bëjmë së bashku për të përballuar furtunën e krizës energjitike. Fatura e energjisë dhe të gjitha faturat në sistemin që kemi zgjedhur dhe të gjitha faturat që kemi zgjedhur, kemi vendosur që të kalojmë nga ekonomia komuniste e centralizuar në lirinë e tregut kapitalist. Rritja e çmimit në bursë, energji, naftë, miell nuk pyet as se Spanja ka më shumë as se Shqipëria ka më pak. Ju partia e qendrës së djathtë, e liberalizimit të tregut, po mos ju njohësh mendon se jeni mbeturina të partisë së Punës. Konceptet tuaja janë mbeturina të sistemit të vjetër. Tani më thoni me gjithë taksën e karbonit brenda, a është nafta sot më lirë se ditën kur ju latë qeverinë? Në 2013, diezeli 182 lekë benzina 186 lekë, merrni tabelën. Sa e blenin shqiptarët kur ju ishit në qeveri, diezelin”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama premtoi se qeveria nuk do t’i lërë vetëm shqiptarët ashtu siç nuk i la edhe pas tërmetit dhe në këtë periudhë pandemie.
“Kursimet janë rritur”, Basha- Ahmetajt: Tirja i ekonomisë harroi që përzuri 500 mijë shqiptarë
Zv.kryeministri Arben Ahmetaj nga foltorja e Kuvendit hodhi poshtë pretendimet e opozitës se shqiptarë janë sot më të varfër. Ahmetaj, njëjtë si pasardhësja e tij, Delina Ibrahimaj përsëriti edhe njëherë se Shqipëria ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon, prej 18%.
“Sigurisht fatalitet ishin prezencë por shumë më të ulëta se në shumë vende. Numrat që sillni nuk u fshehim. Ku i gjetët? Sot kemi shumë më pak vdekje për shkak të kujdesit shëndetësor, për shkak të heroizmit të mjekëve dhe të vaksinimit. Deri në fund të vitit do të vijnë 3 milion vaksina. Ka vende që akoma lypin dhe ne i kemi. E njëjta gjë ndodhi edhe me tërmetin. Përgjigjen e kemi në dorë. Mund të flasësh për varfërinë me klithma populiste por nuk e shpëton. Ulja e TVSH nuk shkon te konsumatori, përkundrazi e dëmton buxhetin. Shkon te ata që ju pretendoni dhe i shani këtu si oligarkë. Ka nevojë për më shumë institucione monitoruese. Por nuk bëhet për një ditë. U thoni shqiptarëve se u varfëruat. Ndërkohë modestisht dua të përmend se kursimet e vogla janë rritur”, deklaroi Ahmetaj.
Numri dy i qeverisë komentoi edhe planin me 7 pika të propozuar nga PD për krizën energjitike. Sipas Ahmetajt, plani serioz mendohet dhe nuk vjen për tre minuta.
“Raporti i BB e konsideron Shqipërinë me rritjen më të madhe në rajon, falë punës, falë sipërmarrjes. Unë skam ndërmend të shaj kënd. Duhet ta celebrojmë rikthimin e vendeve të punës. Mund të përfitonim më shumë nëse do kishim më shumë, pastaj kalojmë në fyerje. Nuk duhet të tallemi më shqiptarët, një plan serioz mendohet, nuk vjen tre minuta pas deklarimit të kryeministrit, se i bie për 7 pika kemi kaluar 3 sekonda”, tha Ahmetaj.
Deklarata e Ahmetaj shkaktoi reagimet e liderit të opozitës, i cili e akuzoi nuk foli për rritjen e naftës apo krizën energjitike që i kanoset vendit.
“I ra rreth e qark planit, por një gjë nuk përmendi Tirja e Ekonomisë taksën e naftën që kemi 7 vite që e kërkojmë. 240 lekë të vjetra ua mori ky dhe vazhdon t’ua marrë. Por siç iu thashë këtu nuk kemi ardhur për të sqaruar njerëzit çfarë rrenacakësh kanë pasur në krye të vendit për 8 vite për të mbuluar vjedhjet. 2.2 miliardë euro sa paketa mund të bëheshin për të mbuluar të varfrit. 120 milionë euro për luftën me Becchetin janë dyfish me paketat që gjasme ia dha njerëzve për t’i ndihmuar gjoja. Paga më ulët se Kosova. Sa për shifrat e Tires së Ekonomisë, BB thotë se 30% është në varfëri ekstreme, dhe ky thotë më parë kanë qenë 35%, por harron Tirja se janë 500 mijë shqiptarë që përzunë këta”, u shpreh Basha.
Më herët, Basha pati përplasje dhe me ministren Manastirliu për menaxhimin e pandemisë.
“Qeveria fsheh fatalitetet”, ministrja e Financave- Bashës: Të mos gjykohet pa argumente
Deklarata e kreut demokrat, Lulzim Basha se qeveria ka fshehur fatalitetet nga Covid dhe nuk ka bërë rimbursimin e ilaçeve, ka ngjallur reagimin e ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.
Ibrahimaj deklaroi sot në Kuvend se qeveria bëri reagim të menjëhershëm në lidhje me pandeminë, ndërsa shtoi se Shqipëria pësoi rritje ekonomike më të lartë në rajon.
“Është e lehtë të falësh dhe të gjykosh pa pasur fakte. U ruimbursuan 3 paga për të punësuarit në biznese. U akordua një pagë 400 mijë lekë për ata të punësuar që nuk punuan dot 3 muaj. Qeveria ndërhyri duke dhënë garanci sovrane bizneseve. Këto çuan që të kemi rritje të ekonomisë më të lartë në rajon. Zoti Basha i referohet një studimi të një studiuesi, që kam pasur fatin ta takojë, por ai nuk i referohet shifrave të varfërisë. Këto janë shifra të EUROSTAT”, tha ajo.
Përtej diskutimeve, rëndësi gjatë seancës së sotme do të ketë votimi i ndryshimeve në marrëveshjen mes kompanisë së prodhimit të vaksinave anti-Covid, Pfizer dhe qeverisë shqiptare.
“Akuzat shterpë nuk janë fakte”, debate të ashpra mes Bashës dhe Manastirliut
Nuk kanë munguar në Kuvend debatet mes ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryedemokratit Lulzim Basha për çështjen e shifrave të fataliteteve gjatë pandemisë.
Gjatë fjalës së tij më herët, Basha u shpreh se qeveria ka dështuar me menaxhimin e pandemisë, ndërsa shtoi se janë dhënë shifra të rreme lidhur me vdekjet dhe vaksinimet.
“Ashtu si në traditën më të keqe të kësaj qeverie; ajo që thuhet nuk bëhet. Kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe as hera e parë që gënjejnë me pandeminë. Ju e dini se ata kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, për rimbusimin e të prekurve nga COVID-19, për tenderat me sekretin e dosjes që këndellet në gjumë SPAK dhe prokuroria, por mbi të gjitha kanë gënjyer për numrin e jetëve të humbura. Për jetët e humbura të cilat para 6 muajsh ishin 16 mijë prindër, nëna, baballarë që dergjen në vendprehjet dhe s’ndodhen më në shtëpitë e familjeve të tyre. 16 mijë më shumë se mesatarja e viteve të kaluara dhe jo shifra rrenacake të raportuara nga qeveria e rrenave. Këtë se themi ne paçka e lajmëruam, por këtë e njofton Komisioni Europian, që thuhet se Shqipëria ka shtesën e vdekjeve më të madhe”, tha Basha.
Deklarata e Bashës nxiti reagimin e Manastirliut e cila mori sërish fjalën duke reaguar e revoltuar se akuzat “shterpë nuk janë fakte”.
“E keni kthyer vdekjen në refren. Keni 8 muaj që hidhni vallen e vdekjes. Akuzat shterpë nuk mund të jenë fakte, sikurse shifrat nuk mund të jenë opinione. Shqipëria ia ka dalë ndërkombëtarisht të fitojë betejat e vështira. Loja me të vdekurit është një avaz i vjetër i kësaj politike shterpë, pa din e iman. Studioni më shumë për fatalitetet dhe mos fërkoni barkun. Të bashkohemi të gjithë së bashku që këtë betejë ta përballojmë siç duhet”, tha Manastirliu.
Pas fjalës së saj, Basha është çuar fillimisht nga vendi duke i përsëritur akuzat dhe më pas i është afruar foltores duke i kërkuar kryetares së parlamentit të zbatojë procedurën.
“Unë e kuptoj se je mësuar që të marrësh komanda me urdhra dhe butona, por kjo nuk është mbledhja e Asamblesë së PS, as mbledhje oligarkësh që të bësh gjërat si ke dashur, por këtu është Kuvend. Këtu e para punës nuk kishte të drejtë që të çohej zonja me fletën e parapërgatitur që e kishte bërë regjisori. Askush si përmendi emrin. Këtu është me regji qendrore. Është ajo regji qendrore që e mban në këmbë këtë shtet mafioz. Se gjysma prej jush nuk do të ishte këtu. Se ku do isha unë e di unë mirë, se ta tregoj dhe unë ty. Të paktën zbato procedurën, mos u kthe në hije të Lenka Çukos”, tha Basha.
Ai vazhdoi më tej, duke thënë se procedura s’të jep të drejtë që ta kthesh kuvendin në kotec.
Pandemia, Basha akuza Ramës: Gënjeu për viktimat dhe skemën e rimbursimit për ilaçet
Nga foltorja e Kuvendit, ku po diskutohet akti normtiv për marrëveshjen me kompaninë Pfizer për vaksinat, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi qeverinë “Rama” se ka mashtruar me numrin e vdekjeve dhe skemën e rimbursimit të ilaçeve për të sëmurët me Covid.
“Ashtu si në traditën më të keqe të kësaj qeverie; ajo që thuhet nuk bëhet. Kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe as hera e parë që gënjejnë me pandeminë. Ju e dini se ata kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, për rimbusimin e të prekurve nga COVID-19, për tenderat me sekretin e dosjes që këndellet në gjumë SPAK dhe prokuroria, por mbi të gjitha kanë gënjyer për numrin e jetëve të humbura. Për jetët e humbura të cilat para 6 muajsh ishin 16 mijë prindër, nëna, baballarë që dergjen në vendprehjet dhe s’ndodhen më në shtëpitë e familjeve të tyre. 16 mijë më shumë se mesatarja e viteve të kaluara dhe jo shifra rrenacake të raportuara nga qeveria e rrenave. Këtë se themi ne paçka e lajmëruam, por këtë e njofton Komisioni Europian, që thuhet se Shqipëria ka shtesën e vdekjeve më të madhe”, tha Basha.
Basha akuzoi kryeministrin Rama se dilte nëpër media duke thënë gënjeshtra për shifrat, dhe duke iu mohuar ndihmën të infektuarve.
“Prandaj, kur të dielën që shkoi deklaroi se ‘do t’ia dalim siç ia dolëm me pandeminë’, ajo fjali triumfaliste, që nuk kishte asnjë lidhje me të vërtetën, tingëlloi si një shuplakë për atë që kanë hequr qytetarët e këtij vendi, ndërkohë që Edi Rama shfaqej nga mëngjesi deri në dark nëpër ekrane, për të mbushur me dokrra, boshllëkun që krijoi mungesa e ndihmës reale. Një shuplakë për familjet që humbën të dashurit e tyre. Një kalvar që qeveria e mohon. Ky pushtet i kishte larë duart me ta. E dimë se nuk kanë shpenzuar pak. Mesatarisht 1 mijë dollarë për tampon, ilaçe oksigjen për të gjithë ata që u kuruan në shtëpi. Skema e rimbursimit dështoi. Në fund të Evropës e lanë Shqipërinë dhe për masat gjysmake që i ofruan”, tha Basha.
Sipas liderit të opozitës, ky pushtet ka prioritet koncensionet, PPP dhe grabitjen e pronave publike.
Manastirliu kërkon “ndihmën e opozitës”: Thojini qytetarëve të vaksinohen se nuk është turp
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në prezantimin para Kuvendit të Aktit Normativ që i hap rrugën mbërritjes së 500 mijë dozave Pfizer brenda 3 muajsh, ka informuar deputetët në lidhje me sasitë e vaksinave pritet të mbërrijnë në Shqipëri.
“Akti normativ që miratojmë sot, i hap rrugë sigurimit në një kohë shumë të shpejtë, brenda 3 muajsh, të 500 mijë vaksinave Pfizer, seria e parë e të cilave vjen brenda tetorit. Është hapi i radhës, në një seri tashmë të panumërt hapash, në rrugëtimin tonë të nisur prej muajit dhjetor, për të sjellë në Shqipëri vaksina të sigurta dhe të certifikuara”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja tha se në vend kanë mbërritur dhe kanë nisur të shpërndahen 188 mijë doza të vaksinës AstraZeneca falë mbështetjes së Italisë si pjesë e instrumentit Covax.
“Kanë mbërritur dhe po shpërndahen sot edhe 188 mijë doza vaksine AstraZeneca, falë mbështetjes së Italisë mike, si pjesë e instrumentit COVAX, duke mbërritur në mbi 2 milion 262 mijë doza të ardhura në vend. Brenda këtij viti do të arrijmë në mbi 3 milion doza të mbërritura, dhe mbi 5 milion doza deri në vitin 2022, me kontrata e marrëveshje tashmë të siguruara”, tha Manastirliu.
Nga foltorja e kuvendit, Manastirliu i bëri thirrje opozitës që të bëhet pjesë e përpjekjeve për të nxitur qytetarët të vaksinohen, dhe mbrojtur shëndetin e tyre.
“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është vaksina. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze. Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: Vaksinohuni!”, tha ministrja.
Ndër të tjera, në fjalën e saj ministrja tha se luftës për jetën i bëjnë dëm deklaratat dhe debatet shterpë në kohën që qytetarëve u duhet bërë thirrje për t’u vaksinuar.