Ashtu sikurse ishte paralajmëruar më herët, kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me Këshillin e Ministrave, doli në një konferencë për mediet.
Rama tha se kishin pasur një mbledhje jashtë radhe për të vendime lidhur me planin e qeverisë për krizën e energjitike, që sipas tij, do të bëhet publik ditën e nesërme.
“Kemi pasur një mbledhje jashtë radhe. Për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin me energji elektrike, i ndikuar nga situata e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumenta financiarë, qoftë dhe me instrumenta të natyrës administrative. Me këtë vendim i japim rrugë ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm që do të bëhet publik gjatë ditës së nesërme”, tha Rama.
Duke iu referuar ekspertëve, Rama tha se kriza pritet të arrijë pikun nga mesi i vitit, ndërsa solli në vëmendje rritjen e çmimeve në vitin 2015.
“Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun e kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë se edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin para krizës. Ajo që na takon ne është që të mbrojmë konsumatorët tanë. Sigurisht me një rend prioritetesh, duke pasur parasysh ata që kanë më shumë nevojë, nga më të dobëtit tek më të fortët. Ndërkohë ja vlen t’ju sjell në vëmendje është se e vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në qeverisjen tonë është e vitit 2015. Çmimi u vendos në një pikë që nuk e mbulon koston dhe në funksion të mbrojtjes së familjarit e biznesit të vogël dhe diferenca mes çmimit të vjetër dhe të riut në atë kohë, për rreth 200 mijë familje paguhet nga shteti sot e kësaj ditë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, pensionistët dhe familje me ndihmë ekonomike marrin nga shteti 30 mln dollar çdo vit si kompensim.
“Kriza do të zgjasë”, paralajmërimi i Ramës: Çmimet mund të mos kthehen aty ku ishin
Kriza energjitike që pritet t’i kanoset vendit ka qenë në qendër të konferencës së kryeministrit Rama. Sipas tij, Shqipëria nuk e prodhon do të gjithë energjinë që i duhet, dhe ai vihet para disa zgjedhjeve, ose të shesë energjinë, ose të derdhë ujërat e mbledhura në HEC-e apo më keq akoma, të shkaktojë përmbytje me to.
“Shqetësimi i çdo qytetari është ky, por dhe i yni. Nëse zgjidhja do të ishte; ‘hajde po rrisim çmimin’, atëherë s’do të kishim bërë atë që do të bënte çdo qytetar për veten e tij. Ne jemi këtu për të mishëruar shqetësimin e çdo qytetari. Unë e ndjej çdo shqetësim të çdo qytetari. Unë e kam të pamundur që të mendoj se mund të vrapojë bashkë me vrapin që ka marrë çmimi i energjisë. Nga ana tjetër që edhe ata që e kanë këtë shqetësim dhe e thonë me të drejtë, të dëgjojnë kur i themi që thonë broçkulla që; “Shqipëria ka ujë, e prodhon energjinë vetë”. Këto duhen lënë mënjanë që të kuptojmë mirë se ça falsin. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet, ku është fakt. Shqipëria shet energji. Po pse? Në momentin kur ka reshje me tepri, ka dy rrugë; ose ta shes, ose ta derdhi prurjen e reshjeve. Jo ta derdhi, por edhe të përmbysi. Atëherë e shet. Kur është mot i përgjithshëm reshjesh dhe lagështie, çmimi është më i ulët dhe ti e shet kur kërkesa rreth e rrotull teje është e lartë”, tha Rama.
Mes të tjerash ai tha se këto çmime mund të mos kthehen si ishin në fillim, ndërsa theksoi se nuk duhet krahasuar fuqia blerëse e Gjermanisë me Shqipërinë.
“Një ekonomi e varur nga Zoti, pra nga reshjet, ka të mirën e vetë, pasi ka energji të gjelbër, por ka dhe të keqen e vetë se nuk ka energji të planifikuar. Kur e ble në kulmin e thatësirës dhe të nxehtit e ble më shtrenjtë. Çmimet si vendos Shqipëria, por kërkesa dhe oferta. Po ata që thonë; po mirë çmimet e energjisë janë kaq, dhe rrogat dhe pensionet janë kaq, tregu nuk të pyet nëse je Gjermani apo Shqipëri. Ne nuk krahasojmë fuqinë blerëse të Gjermanisë apo të Shqipërisë. Këto janë gjera që duhet t’i kuptojmë, në mënyrë që të jemi të qartë se çfarë po flasim. Qeveria duhet të mbrojë konsumatorët. Ne nuk jemi këtu për të dhënë lajme, por për të ngritur një digë midis futurën që vjen nga tregu ndërkombëtar dhe derës së shtëpisë së çdo shqiptari. Siç nuk i kemi lënë në rrugë kur ra tërmeti, apo kur doli përpara armiku i padukshëm. Por këto gjera nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, me propozime apo ide që nuk bazohen në fakte dhe shifra. Pyetja ka rëndësi dhe për një aspekt tjetër; kjo është për tani apo përgjithmonë. Ekspertët thonë; kriza do të ketë një kulm që do të zgjasë deri vitin e ardhshëm, por nuk parashikon që çmimet do të kthehen atje ku ishin. Kjo duhet parë”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, kryeministri tha se nuk mund të diskutohet më për çmimin e bukës, i cili ka ardhur në rritje, pasi ato të fundit i vendos tregu jo qeveria.
Plani me 7 pika i Bashës, Rama ironizon: Atavizma të kohës së Sudes dhe Vehbiut
Gjatë konferencës për mediet, kryeministri Rama ka komentuar edhe planin me 7 pika të propozuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha për t’iu përgjigjur krizës energjetike.
Ai kujtoi “piramidat” dhe i cilësoi atavizma të kohës së Sudes dhe Vehbiut propozimet për heqjen e TVSH-së për produktet e shportës dhe heqjen e taksës për karburantet, duke pyetur se me çfarë do t’i bëjë qeveria mbrojtjet.
“Së pari njëherë unë do t’ju kërkoj juve të verifikoni atë që thashë dje në parlament dhe atë që thashë sot. Verifikoni çmimin e naftës në 2013, i dieselit dhe benzinës. Sa ka qenë në pikat e karburantit të RSH. Sa e kanë blerë drejtuesit e automjeteve karburantin në Shqipëri në 2013? më lirë apo më shtrenjtë se sot? Vetëm kaq, pastaj diskutojmë të tjerat. Teoria ul këtu, hiq atje. janë para që ikin dhe pastaj me çfarë do i bëjë qeveria mbrojtjet. Nëse heqim të gjitha mundësitë financiare që krijohen nga kontributet, me çfarë. Sa paguajnë qytet atje për shtetin në Francë, Gjermani, nga kontributet. Sa paguajnë sigurime shoqërore atje për të marrë një pension më të lartë. Bëni krahasimet. Në aspektin e instrumenteve të mbrojtjes ne jemi shumë të qartë se çfarë do bëjmë, kurse këto kërkesat bëje rrafsh arkën e shtetit se shihemi nesër janë atavizma të kohës së Sudes dhe Vehbiut. Nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vehbiut”, ironizoi Rama.
Rama tha ndër të tjera, se aktualisht nuk do të ketë rritje rrogash e pensionesh me rritjen e çmimeve, por megjithatë, do t’i mbajë premtimet për rritjen e tyre vit pas viti.
Ai tha dhe më herët se rrogat rriten sipas kapaciteteve ekonomike, fillimisht duke e nisur me 32 000 mijë lekë.
“Kërkesa meqë rritët çmimet, rrisni rrogat, nuk funksionon kështu. Sepse rrogat nuk rriten sepse dua unë. Nuk ekziston një kryeministër që nuk do donte të rriste rrogat e pensionet menjëherë sa njerëzit do kërkonin. Po kjo është njësoj në shtëpinë e vogël pse nuk i rrit paratë që u jep fëmijëve. Do i gjesh nga puna ose borxh. Nëse do i japësh më shumë, do detyrohesh të shesësh shtëpinë. Nëse rrogat do rriteshin sipas dëshirave mirë ne që nuk kuptokemi, por Gjermania e Franca nuk i paska bërë 20 mijë euro për person. Rrogat rriten sipas kapaciteteve ekonomike. Rritet zinxhiri i vlerave dhe rriten të ardhurat e më pas rrogat e pensionet. Që të rriten të ardhurat duhet të ecim me vendosmëri përpara. Nuk do i shmangemi asnjë zotimi që kemi marrë. Rroga do të rritet vit pas viti, rroga minimale për vitin tjetër 320 mijë lekë. Pagat e tjera patjetër që do i rrisim vit pas viti, për mësuesit e infermierët, patjetër dhe sektori privat”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha më herët se planin për të dalë nga kjo emergjencë do ta bëjë publik gjatë ditës së nesërme.
Rama: Skavica ndërtohet brenda këtij mandati, ulja e TVSH nuk sjell benefite
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se hidrocentrali i Skavicës do të ndërtohet brenda këtij mandati. Ai tha pas mbledhjes së qeverisë se me ndërtimin e Skavicës do të bëhet e mundur që rezervat e ujerave të mbahen në këtë HEC dhe të shiten me një çmim të më shtrenjtë.
Rama theksoi gjithashtu se ulja e TVSh deri në 20% për çmimin e energjisë për konsumatorët nuk do të ndryshonte asgjë.
“Ajo s’doni të kuptoni dhe në këtë rast ju që jeni midis nesh dhe publikut, pasi qytetarët janë në një tjetër pozicion dhe janë në të drejtën e tyre në kushtet kur kanë ankthin që mos të dëgjojnë argumentet. Energjia shitet lirë sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët. Si rezultat i faktit se ne nuk e mbajmë dot, se për ndryshe duhet të përmbysim dynjanë. Se për çfarë arsye do e shisnim? Për ça arsye po e ndërtojmë Skavicën. Ajo do të na japë mundësinë e prurjet mos t’i derdhim, por t’i mbajmë rezervë. Nëse do të kemi atë, do të bëjmë një lojë tjetër, që do të kemi fuqinë që të diktojmë ne se kur dalin në treg për të shitur, dhe jo pamundësia për ta mbajtur. O do e derdhim, ose do e shesim. Skavica që ka filluar tani nga puna dhe do të ndërtohet brenda këtij mandati, me ndihmën e Zotit, se ndodhin gjëra që janë rrugës, do të na japë mundësi që të ruajmë rezerva. Ujë mund të kesh, por po nuk pate ku ta rezervosh, ça do bësh? Do rrish në dush gjithë ditën apo do e lësh që të ikë. S’ka prova që këto ulje sjellin benefite te konsumatori. Siç ndodhi te imputet bujqësore. Kush përfituan? Ata që i shesin”, tha kryeministri.
Për menaxhimin e krizës, Rama tha se s’mund të krahasohemi me Francën apo Gjermaninë pasi ato e kanë të zgjidhur problemin si me “sustë”.
Pa drita në dimër? Batuta e Ramës: Bëhuni gati, lajmet në orën 15:00 e 19:00 në errësirë
Kryeministri Edi Rama teksa u pyet nëse do të kemi një dimër pa drita, theksoi se nëse do të ishin para këtij fakti, atëherë do t’i kishte rënë shkurt, por sipas tij, qeveria po mundohet të shpëtojë konsumatorët nga furtuna.
“Nëse do të ishte dimër pa drita do i kishim rënë shkurt; bëhuni gati. Lajmet vetëm në orën 3 dhe në 7 errësirë dhe s’do të diskutonim këtu. Po diskutojmë që të mbrojmë konsumatorët që të mbrohen nga furtuna. Mbyllja e dritave do të ishte kollaj fare. S’po kërkoj që dikush të më qajë hallin mua, por po kërkoj që të vendoseni në vend të shtëpisë së madhe. Sot Britania e Madhe po kërkon një plan kufizimesh. 40% e ka rritur çmimin Italia në faturë. Kryeministri italian tha; ky nuk është çmimi real, një pjesë e subvencionin shteti”, tha kryeministri.
Sipas tij, një pjesë e njerëzve që “qahen” kanë të ardhura më të larta nga sa deklarojnë.
“I keni njerëzit në Itali, pyetini se sa të lumtur janë me rrogat dhe pensionet apo çmimet. S’ka ndodhur në Shqipëri, në Tiranë që të hapen pika për të marrë bukë falas. Ka ndodhur në Milano. Radhë të tëra për të marrë bukë falas. Bukë! Mos të harrojmë dhe një gjë tjetër. Një pjese e madhe dhe kryesisht ata që qahen më shumë, janë ata që kanë më shumë të ardhura se sa tregojnë. Mos ta harrojmë dhe këtë. Nëse i besojmë të ardhurave të deklaruara, shumëçka nuk do të shkonte si shkon. Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve, depozitave të vogla. S’po flas për depozitat e të pasurve”, theksoi ai.
Kryeministri tha më herët se planin për të dalë nga kjo emergjencë do ta bëjë publik gjatë ditës së nesërme.