Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Takimin e 10-të të Udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Qendrën e Kongresit të Brdos në Kranj dhe ku ishin të pranishëm edhe krerët e shteteve të Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Meta tha se anëtarësimi europian është përparësia më e lartë dhe qëllim strategjik kombëtar. Ndërsa kushtëzimin e vendosur nga BE-ja Meta e konsideroi një provë të rëndësishme për funksionimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit.
“Ju faleminderit për ftesën, mikpritjen dhe të gjitha përpjekjet që keni bërë për të na mbledhur dhe sjellë këtu, në këtë vend të bukur, në rrethanat shumë të vështira të pandemisë Covid-19, për të shënuar një ngjarje të rëndësishme: 10-vjetorin e Procesit Brdo-Brijuni.
Që nga Takimi i Tiranës, dy vjet më parë, rajoni ynë dhe e gjithë bota po përballen me një krizë shëndetësore globale, të shkaktuar nga pandemia COVID-19 si dhe është duke paguar pasoja të tmerrshme. COVID-19 shkaktoi vdekjen e njerëzve, si dhe sulmoi ekonominë reale, sipërmarrjet, vendet e punës, familjet dhe jetën tonë të përditshme shoqërore. Vende dhe qytete të tëra ishin të mbyllura e të bllokuara. Kufijtë ende nuk janë hapur plotësisht.
Kjo mbledhje e rëndësishme sot dëshmon se ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë dhe t’i japim një mbështetje më të fortë dhe më shumë solidaritet bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve shumëpalëshe për të kapërcyer pasojat e kësaj krize njerëzore globale. Samiti i Zagrebit shënoi një moment historik për t’iu përgjigjur bashkërisht krizës COVID-19. Ne jemi gjithashtu mirënjohës për ndihmën e Bashkimit Europian përmes instrumenteve të ndryshme për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në përballjen dhe kapërcimin e ndikimit social-ekonomik të pandemisë së koronavirusit.
Procesi Brdo-Brijuni përbën një mundësi të shkëlqyer për ta kuptuar më mirë mjedisin tonë rajonal, për të rritur bashkëpunimin rajonal, për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë, paqes rajonale, sigurisë dhe stabilitetit dhe për të përshpejtuar pronësinë rajonale dhe pranimin në Bashkimin Europian. Shqipëria e sheh të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtare të familjes së madhe të BE-së dhe e konsideron bashkëpunimin e mirë rajonal si përfitues për të gjitha vendet e rajonit ashtu edhe si një proces plotësues për integrimin në Bashkimin Europian.
Rajoni ynë nuk do të ketë sukses në rrugën e tij europiane nëse nuk punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë. Politika e jashtme shqiptare në rajon do të vazhdojë të respektojë e të përmbushë përgjegjësitë tona si një anëtare e NATO-s, për të promovuar dhe kontribuar në stabilitetin politik, paqen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik përmes bashkëpunimit si në nivelin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.
Anëtarësimi europian vazhdon të jetë përparësia më e lartë dhe qëllimi strategjik kombëtar në axhendën tonë të brendshme. Kushtëzimi i vendosur nga BE-ja është një provë e rëndësishme për funksionimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Ne e kuptojmë se duhet të ofrojmë reforma në shumë fusha dhe se kjo punë në progres do të çojë në një kalendar optimist kohor të negociatave me Bashkimin Europian.
Theksoj gjithashtu se ne mbështetemi tek anëtarët dhe miqtë tanë të BE-së të Procesit Brdo-Brijuni, Sllovenia dhe Kroacia, për të ushtruar ndikimin e tyre pozitiv mbi ato vende anëtare të BE-së, të cilat ende hezitojnë të lehtësojnë procesin e integrimit europian, pasi këto kushte të jenë plotësuar. 10-vjetori i Procesit Brdo-Brijuni përkoi me Presidencën sllovene të Bashkimit Europian dhe ne kemi besim se Sllovenia do të shprehë akoma edhe më shumë përkushtim dhe vëmendje ndaj zhvillimeve, bashkëpunimit politik, ekonomik dhe reformave të integrimit të vendeve të rajonit tonë, në mënyrë që ato të përshpejtojnë integrimin e tyre në Bashkimin Europian.
Mbështetja e Procesit të Brdo-Brijunit për ambiciet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të filluar sa më shpejt të jetë e mundur negociatat me BE-në, është një mesazh i fortë për të ardhmen strategjike dhe të pakthyeshme europiane të këtij rajoni. Jemi akoma në kohë për të treguar mençuri dhe pjekuri, duke vendosur që të shkëputemi nga e kaluara e errët dhe e dhimbshme e rajonit tonë, duke gjetur zgjidhje për problemet e mbetura hapur, për të parë drejt së ardhmes sonë të përbashkët dhe vlerave europiane.
Shqipëria do ta mbështesë dialogun Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje përfundimtare detyruese, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme që normalizon plotësisht marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe do të kontribuojë në paqen rajonale, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët europiane. Ne gjithashtu konsiderojmë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, pa vonesa të mëtejshme, nga Bashkimi Europian është një mbështetje për rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, një e drejtë ende e mohuar për qytetarët e saj.
Në këtë 10-vjetor të Procesit Brdo-Brijuni, mund të pohojmë sërish e të konfirmojmë se ai vazhdon të ofrojë një mundësi të shkëlqyeshme për një shkëmbim të hapur mbi zhvillimet aktuale që prekin vendet tona dhe rajonin në tërësi dhe një instrument të rëndësishëm dhe nxitës në sfidën e përbashkët të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”, tha Meta.