Rastet globale të depresionit dhe ankthit u rritën me më shumë se një të katërtën gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë, sipas hulumtimit të ri. Shkencëtarët mblodhën dhe vlerësuan të dhëna nga studimet para-ekzistuese për të vlerësuar ndikimin e Covid-19 në shëndetin mendor të popullsisë botërore, duke arritur në përfundimin se kishte 53 milionë raste shtesë të çrregullimeve të mëdha depresive dhe 76 milionë raste ankthi vitin e kaluar.
Gratë dhe të rinjtë u prekën në mënyrë disproporcionale, ndërsa vendet që regjistruan nivele të larta të infeksionit dhe përjetuan reduktime të mëdha në lëvizjen e njerëzve – rezultat iizolimit – patën rritjen më të madhe në përhapjen e këtyre kushteve. Autori kryesor Damian Santomauro, nga Qendra e Queensland për Kërkimin e Shëndetit Mendor, tha se gjetjet e raportit, të publikuara në “The Lancet”, theksuan “një nevojë urgjente për të forcuar sistemet e shëndetit mendor në mënyrë që të adresojnë barrën në rritje të çrregullimeve dhe ankthit të madh depresiv, çrregullimet më të shpeshta në mbarë botën.
“Përmbushja e kërkesës së shtuar për shërbime të shëndetit mendor për shkak të Covid-19 do të jetë sfiduese, por mos veprimi nuk duhet të jetë një opsion,” shtoi ai.
Në mungesë të pandemisë, vlerësimet e hulumtimit tregojnë se do të kishte pasur 193 milion raste depresioni dhe 298 milion raste ankthi. Sidoqoftë, studimi vlerëson se këto shifra u rritën me 28 përqind dhe 26 përqind respektivisht vitin e kaluar, ku gratë përbënin pjesën më të madhe të këtyre rritjeve. Deri më tani, asnjë studim nuk kishte analizuar ndikimin global të pandemisë në përhapjen e këtyre çrregullimeve të shëndetit mendor në vitin 2020. Shumica e punës së mëparshme konsistonte në sondazhe në vende të veçanta për një periudhë të shkurtër kohore. Hulumtimi i udhëhequr nga Santomauro u bazua në 48 studime, shumica e të cilave ishin kryer në Evropën Perëndimore (22) dhe Amerikën e Veriut (14), ndërsa vendet e tjera janë Azia e Paqësorit (5), Azia Lindore (2) dhe Evropën Qendrore (1).
Duke përdorur një mjet meta-analizimi të modelimit të sëmundjes, të dhënat nga studimet u përdorën për të vlerësuar ndryshimet në përhapjen e çrregullimeve depresive dhe ankthit për shkak të Covid-19 bazuar në moshën, gjininë dhe vendndodhjen-përfshirë në ato vende për të cilat nuk kishte studime të pranueshme. Të rinjtë u prekën më shumë nga çrregullimet e shëndetit mendor sesa grup moshat më të vjetra. Kishte 1,118 raste shtesë të depresionit për 100,000 njerëz të moshës 20 deri në 24 vjeç dhe 1,331 raste shtesë të ankthit.
Bashkautorja Alize Ferrari, e Qendrës Queensland për Kërkimin e Shëndetit Mendor, tha se pandemia Covid-19 ka përkeqësuar shumë pabarazinë ekzistuese dhe përcaktues socialë të shëndetit mendor.
“Mjerisht, për arsye të shumta, gratë kishin më shumë gjasa të preken më keq nga pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë. Përgjegjësitë shtesë për kujdesin dhe familjen kanë tendencë të bien mbi gratë dhe sepse gratë kanë më shumë gjasa të jenë viktima të dhunës në familje, e cila u rrit në faza të ndryshme të pandemisë”, shtoi Ferrari.
Autorët pranuan se studimi i tyre ishte i kufizuar nga mungesa e të dhënave me cilësi të lartë mbi efektet e pandemisë në shëndetin mendor në shumë pjesë të botës, veçanërisht vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Si rezultat, ata thonë se vlerësimet e ekstrapoluara të krijuara për vendet ku të dhënat mungonin duhet të interpretohen me kujdes.
Shumica e të dhënave të disponueshme u bazuan në shkallët e simptomave të vetë-raportuara që vlerësojnë vetëm rastet e mundshme të çrregullimit depresiv të madh dhe çrregullimeve të ankthit.