Rama i heq tenderët Enkelejd Jotit, i’a kalon Manastirliut blerjet e spitaleve
Medikamentet e spitaleve do t’i blejë Ministria e Shëndetësisë. Në këtë mënyrë, Ogerta Manastirliu me vendimin e sotëm të qeverisë merr në dorë tenderët e spitaleve dhe u lë këtyre vetëm blerje të vogla. Sipas vendimit, Ministria do të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të barnave dhe të pajisjeve mjekësore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, për nevojat spitalore, sipas parashikimeve të legjislacionit të prokurimit publik.
Humbësi më i madh Enkel Joti
Në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të QSUT, Enkel Joti, është autoriteti më i lartë administrativ që përgjigjet për plotësimin e nevojave të shërbimit spitalor Vitin e kaluar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikoi skandalin me maskat që përdoren në QSUT. Sipas provave të siguruara nga kreu i opozitës, administrata e spitalit u ka shpërndarë mjekëve dhe infermierëve maska të oksigjenuara, të cilat kishin afat skadence që në vitin 2011. Pavarësisht justifikimeve jo shumë bindëse, e vërteta është se, duke filluar nga Kryeministri e në vijim, kanë dhënë deklarata, të cilat ishin përgjegjësi e drejtorit të QSUT-së, Enkelejd Joti t’i jepte para publikut.
Tenderët e QSUT-së, 1.38 miliard lekë
7.5 miliardë lekë ka harxhuar shteti shqiptar që nga fillimi i pandemisë e deri në maj të vitit 2021, vetëm për tenderët në fushën e shëndetësisë për luftën ndaj Covidit si edhe për kontratat për sigurimin e vaksinave anti-covid. Institucionet shtetërore prej marsit 2020 dhe në vijim përgjatë 14 muajve rezulton se prokuruan 214 tenderë. Prej tyre janë finalizuar dhe përmbyllur 193 tenderë që kanë një vlerë prej 4.4 miliard lekësh. Kurse shpenzimet për vaksina shkojnë në 3.1 miliardë lekë, referuar asaj që është bërë publike nga qeveria shqiptare.
Në pjesën dërrmuese kuptohet se institucionet kanë patur më së tepërmi nevojë për pajisje që lidhen drejtpërdrejtë me pandeminë jo vetëm nga fusha e mjekësisë të tilla si vaksinat, oksigjeni, por edhe mjete mbrojtëse, teste/tampon, aparatura të ndryshme dhe barna dhe dezinfektues. Së paku këtë trend e tregon natyra e tenderëve të prokuruar.
Nga këto tendera, institucionet shëndetësore që kanë prokuruar më shumë tenderë gjatë pandemisë janë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Ministria e Shëndetësisë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Drejtoria e Spitalit Rajonal Lezhë, Instituti i Shëndetit Publik, Spitali Rajonal i Durrësit etj.
Përkatësisht SU “Shefqet Ndroqi”, i kthyer gjatë pandemisë në një spital anticovid ka prokuruar 76 tenderë. Ministria e Shëndetësisë, 29 tenderë, QSUT ka zhvilluar 16 tenderë, Drejtoria e Spitalit Rajonal të Lezhës 13 tenderë, ISHP-ja 10 tenderë dhe Spitali Rajonal i Durrësit ka prokuruar 6 tenderë.
Edhe pse ka prokuruar vetëm 29 tendera, shifra totale e tenderëve të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë kap vlerën e 1.38 miliardë lekë, për tu ndjekur më pas nga QSUT që ka zhvilluar vetëm 16 tenderë. Megjithatë totali i këtyre tenderëve shkon pothuajse sa Ministria e Shëndetësisë, pra 1.38 miliardë lekë, ndërsa në vendin e tretë për shpenzime qëndron Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, që ka shpenzuar rreth 620 milionë lekë. Në vendin e katërt renditet ISHP-ja me 10 tenderë të prokuruar dhe që kapin vlerën e shifrat e 252 milionë lekëve.
Ilaçet dhe barnat kanë qenë produkti më i kërkuar gjatë tenderëve të shpallur, dhe këtë e tregojnë 75 kontraktime në total të tenderuara nga Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe Ministria e Shëndetësisë.
Në vend të dytë radhiten tenderat dhe kërkesa për mjete mbrojtëse, që janë prokuruar nga 20 institucione dhe 40 kontraktime në total. Vendin e tretë e zënë tenderët për oksigjen me 33 kontraktime të kryera nga 15 institucione tenderuese. Pas këtyre renditen tenderët për blerjen e testeve/tampone ku janë zhvilluar 22 kontraktime nga 4 institucione ndërsa listën e top pesëshes e mbyllin 15 kontraktime sekrete sipas VKM nr.203, e zhvilluar në 2020, ku janë kryer 15 kontraktime nga 2 institucione tenderuese.
Sa i përket vlerës së shpenzimeve për mjete mbrojtëse, janë harxhuar rreth 953 milionë lekë, ndërsa për blerjen e testeve/tamponëve, 952 milionë lekë. Së fundi kujtojmë se kontraktimet për aparatura janë rreth 200 milionë lekë. Ndërsa ajo që bie në sy është fakti se, për dezifektues janë harxhuar vetëm 97 milionë lekë, gjatë periudhës kur njëkohësisht apeli kryesor i mjekëve dhe zyrtarëve të lartë ishte kërkesa për larjen e duarve.
Vendimi
Sipas VKM-së Ministria do të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që mund të zhvillojë në cilësinë e organit qendror blerës.
Nga ana tjetër, Ministria do të ketë të drejtë t’i vendosë vetë ose ndryshojë kriteret dhe cilësitë e barnave që do të blihen. “Nëse gjykohet se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në përputhje me ligjin për prokurimet publike dhe legjislacionin specifik, organi qendror blerës kryen rishikimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj”, thekson vendimi.
Ndërkohë, spitalet, brenda 5 ditëve nga njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si organ qendror blerës, të dërgojnë pranë saj të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat përkatëse.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kur vepron si organ qendror blerës, ka detyrat e përgjegjësitë që parashikohen nga legjislacioni i prokurimit publik në fuqi.