Tragjedia e një dite më parë që ndodhi në zonën e Astirit në Tiranë, ku për shkak të zjarrit të vendosur nga djali me probleme mendore, humbi jetën nëna dhe u plagos vetë ai, pasi u detyruan të hidhen nga ballkoni i katit të tretë, mund të ishte parandaluar, nëse policia dhe zjarrfikësit do të kishin kryer detyrën e përcaktuar nga ligji në kohën e duhur. Kjo, jo vetëm për vonesat e shkaktuara për t’u dhënë ndihmën e parë, por edhe për shkak të së shkuarës së kësaj familjeje.
Në derën e familjes Osmënaj, banesa e së cilës ndodhet në katin e tretë të pallatit Fratari dhe u dogj ditën e djeshme, policia kishte shkuar disa herë.
Shkak i vizitës së bluve të komisariatit nr.6 ishin denoncimet e shumta të banorëve të këtij pallati, pasi Klodian Osmënaj e dhunonte dhe grindej shpesh herë me nënë e tij 62-vjecare Hava Osmënaj, e cila mbeti viktimë e tragjedisë së mëngjesit të djeshëm.
Edhe pse e moshuara dhunohej vazhdimisht nga djali i saj, ajo asnjëherë nuk kishte kërkuar urdhër-mbrojtje, apo të kishte bërë kallëzim në polici për dhunë në familje.
Mësohet se viktima e tragjedisë së djeshme edhe pse dhunohej nga djali nuk kishte pranuar që të pajisej me urdhër mbrojtje edhe kur i ishte ofruar, pasi sipas saj djali i saj agresiv dhe me probleme mendore kishte nevojë për përkujdesjen e saj.
Megjithatë, kjo është një këmbanë alarmi për institucionet e mbrojtjes sociale dhe pabesueshmërinë që kanë në komunitet për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Gjithashtu, policia duhej të ksihte vepruar me iniciativë para kësaj ngjarje, duke parë rrezikshmërinë e personit me probleme mendore, veprimet e të cilit i morën jetën nënës, por shkaktuan dhe plagosjen e rëndë të tij.
Ndërkohë mësohet se ekspertët pas mbledhjes të të gjithë provave në banesën e shkrumbuar është në pritje të përgjigjes së ekspertizës për të mësuar vatrën e parë të zjarrit.
Përveç banesës së familjes Osmënaj e cila është shkrumbuar tërësisht, mësohet se dëme të mëdha janë shkaktuar dhe në katin e tretë, ku dëmtime kanë pasur dyert e katit ku ndodhej banesa. Gjithashtu, mësohet se si pasojë e flakëve ka marrë dëmtime edhe një fqinje e nënë e bir.
Më konkretisht bëhet fjalë për shtetasen me iniciale M. G., rreth 50 vjeçe, e cila ka marrë dëmtime të lehta, pasi tentoi të shpëtonte nga djegia tendën e ballkonit të saj, që ndodhet një kat sipër banesës së shkrumbuar. Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune rreth orës 05:40, në zonën e Astirit. Ishin fqinjët të parët që ndjenë tymin dhe njoftuan policinë dhe forcat zjarrfikëse.