Pas hetimeve në kadastrat e Sarandës dhe Vlorës, drejtësia e re ka vendosur të futet në Kadastrën e Tiranës, me një grup të BKH, i cili me kërkesë të SPAK dhe prova nga raportimet e agjencive të anti-krimit, do verifikojë pasuritë e zyrtarëve të shtetit, të policisë e drejtësisë, vënë gjatë detyrave që kanë patur apo me tjetërsim pas ikjes prej tyre.
Objekt bazë i këtij hetimi, janë apartamentet, zyrat e njësitë tregtare, që zyrtarët e shtetit, i kanë marrë në pallatet dhe kullat e ndërtuara nga trafikantët ndërtues dhe biznesmenë ndërtimi, të cilat kanë përfituar nga fonde publike, leje ndërtimi e troje shtetërore.
Do hetohen ata zyrtarë, si rasti i ish-prokurorit Besnik Muçi, i shkarkuar për shkak se nëpërmjet shfrytëzimit të detyrës, kishte krijuar lidhje e kishte marrë apartamente, te kompleksi i ndërtuar nga firma “Arlis shpk”, me pronar Armand Lilon, person me dosje penale për disa krime.
Pra, do evidentohen zyrtarë të lartë shteti, drejtësie, pushteti lokal e drejtorë qendror, që kanë patur e kanë në dorë vula fondesh publike e dosjesh penale, dhe rezultojnë me nga 3-4 apartamente, zyra shërbimi e njësi tregtare, te komplekset e pallateve “Kodra e Diellit”, “Gener 2”, “Arlis”, “Fusha”, “Gjikuria” “Usluga”, “Victoria Construction” dhe 5 kullat “Abdi” te Sahati e në qendër të Tiranës.
Pas evidentimit në Kadastër, BKH do hetojë se me çfarë burimesh apo aktesh të tjera, i kanë marrë këto pasuri shtetarët, mbasi ka indicie për dhurime e shitje të tyre me letra fiktive, nga ndërtuesit Gentian Sula, Bashkim Ulaj, Ervin Mata, Armand Lilo, Shkëlqim Fusha, Sadri Abazi, Milo Gjikuria e Dajlan Abdia; të cilët në 8 vite kanë marrë mesatarisht nga 15 milionë Euro tendera e troje publike falas dhe nga 20 leje ndërtimi në Tiranë, Durrës e bregdetin Vlorë-Sarandë.
Nuk është rastësi, që ministra, drejtorë qendrore tatimesh, hipoteke, doganash, energjie, si dhe kryepolicë, kryebashkiakë, gjyqtarë e prokurorë të çdo posti e niveli, kanë marrë në këto pallate e kulla, apartamente, suita, dyqane, kafene e restorante me çmime nga 2000-3000 Euro/m2.
BKH ka në dorë, raporte që tregojnë se në regjistrat e Kadastrës Tiranë, figurojnë 22 ministra e ish-ministra dhe 183 prokurorë, gjyqtarë, shefa SHISH-i, drejtorë qendrore hipoteke, tatimesh, dogane e kryepolicë, që kanë shtëpi dhe dyqane te 3 komplekset “Delijorgji”, kur dihet sa janë pagat e sa janë çmimet për 1/m2 objekt në atë zonë.
Procesi ka nisur me prova nga formularët e pasurive, ku zyrtarët deklarojnë se apartamentet dhe dyqanet, i kanë marrë me gjoja blerje apo dhurime; që për “koincidencë” janë te kullat e ndërtuara nga trafikantë e biznesmenë, të cilëve u kanë bërë favore penale apo ekonomike. Hetimi i filluar në Kadastrën e Tiranës, është zbatim i urdhrit të Presidentit të SHBA, Joe Biden, që po kryhet me mbikëqyrje të plotë të Ambasadores Yuri Kim; e cila ka dhënë mesazhet, se pasuritë e krimit dhe korrupsionit, do sekuestrohen kudo që të jenë fshehur e nga cilido që i ka, qoftë dhe me fuqi e pushtet të lartë./Pamfleti