Për kryeministrin Edi Rama, Shqipëria nuk është ende gati për anëtarësimin në BE. Gjatë konferencës së përbashkët me Ambasadorin e BE në Shqipëri, Luigi Soreca, Rama nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara për çeljen e negociatave dhe këto përpjekje sipas tij janë vlerësuar nga Komisioni Evropian.
Ai ka shtuar se Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në BE, por është e gatshme për hapjen e negociatave për të vijuar më tej përpjekjet për t’u përmirësuar në shumë aspekte.
“Raporti i progresit është dokumenti udhërrëfyes, ndërsa të gjithë të tjerat janë interferenca në progres me natyre politike. Së pari raportin e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm ë pikëpamje të integritetit në përputhje me standartet, se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe që janë reforma të shtetformimit si reforma në drejtësi ku vettingu nënvizohet si histori suksesi, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit përcaktohet si një luftë që përparon. Respekti për të drejtat e njeriut rikonfirmohet si vlerë e proceseve demokratike në vend. Politika e baraspeshuar në aspektin gjinor vlerësohet, përpjekjet tona për të pafruar progresin tonë me BE vlerësohen dhe të gjithë përpjekjet për angazhimin në pandemi përparon”, ka thënë ai.
Sipas tij, arsyeja se Shqipëria nuk është ende e gatshme për tu anëtarësuar në BE, janë sfidat, kërkesat dhe vështirësitë e këtij procesi që sipas tij vendi jonë nuk i përballon dot. Por nga ana tjetër ai shprehet se nuk ka asnjë anashkalim apo shmangie që na çon atje ku e meriton Shqipëria.
“Është dhe një dokument që nxjerr në pah dhe problematiket dhe ato që duhet të rregullojmë. Ky proces nuk bëhet sepse na e kërkojnë dhe na e imponojnë në Paris e Bruksel, ne e bëjmë për veten dhe që në këtë vend gjeneratat e tjera të kenë një vend që funksionon si një vend dinjitoz me vendet e tjera dhe ky është një proces i vështirë dhe me shumë sfida, por është e vetmja rrugë”, ka thënë Rama.
Konferenca e sotme, u zhvillua në kuadër të zbardhjes së raport-progresit z të Këshillit Europian për Shqipërinë.
Raporti i KE, Soreca: Vetingu, prioritet i integrimit
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka komentuar progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Sipas Sorecas, Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian dhe duhet të vazhdohet më tej me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ndër të tjera ka pohuar se duhet të përmbushen të gjitha kushtet, duke përmendur këtu vetingun dhe zgjatjen e tij. Gjetjet i janë dorëzuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, e njëjta dhe me Presidentin Ilir Meta.
Në raport thuhet se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga këshilli. Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Shtyrja ose vonesat do të kenë një ndikim negativ për besueshmërinë e BE. Shqipërisë i janë bërë të ditura disa fusha për të cilat kërkohet vëmendje. Soreca ka përmendur këtu lirinë e fjalës, e cila mbetet një çështje shqetësuese, ku kërkon të ndalet sulmi ndaj gazetarëve. Një tjetër pikë është reforma në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu ambasadori ka folur për pakicat në vendin tonë, ku pohon se duhet të miratohen ligjet që lidhen me këtë fushë.
Integrimi europian po jep rezultate dita ditës e Soreca pohon se të gjithë aktorët janë të gatshëm për ta vijuar më tej këtë punë.
Në përfundim, theksi është vendosur tek vetingu, e cila mbetet dhe pika kyçe për integrim.