Lideri i burgosur opozitar rus, Alexei Navalny mori çmimin Saharov, i dhënë çdo vit nga Parlamenti Evropian (PE) në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit.
Zëvendëspresidentja e PE-së, Heidi Hautala, njoftoi se çmimi u nda për Navalny-n gjatë një seance në Strasburg.
“Ai ka bërë fushatë të vazhdueshme kundër korrupsionit të regjimit të Vladimir Putinit dhe ka ndihmuar në zbulimin e abuzimeve përmes llogarive të tij në mediat sociale dhe fushatave politike. Ai ka mbështetjen e miliona njerëzve në gjithë Rusinë. Ai u helmua dhe u burgos për këtë”, tha presidenti i PE-së, David Sassoli në një deklaratë.
Gjithashtu, Sassoli tha se BE-ja vlerëson “guximin e madh personal” të Navalny-t dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.
Këtë vit, 12 persona, përfshirë Navalny-n dhe tetë gra afgane, u nominuan për çmimin.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve pritet të zhvillohet më 15 dhjetor.
Çmimi Saharov ndahet çdo vit nga PE-ja në emër të fizikanit disident sovjetik, Andrei Saharov, për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.