Europa është në krizë për shkak të furnizimit me gaz. Kudo politikanë dhe opinioni publik debatojnë, nëse Rusia në muajt e ardhshëm do të ofrojë në mënyrë të mjaftueshme gaz, apo nëse Putini në mënyrë artificiale po krijon probleme me furnizimin me gaz për të pasur një mjet presioni politik duke e bërë kontinentin të ngrijë këto muaj dimri.
Për një vend ky skenar është bërë tani realitet: Republikën e Moldavisë, një nga vendet më të varfra të Europës dhe plotësisht e varur nga gazi rus. Papritur monopolisti i gazit, Gazprom kërkon çmime shumë më të mëdha për gazin, madje do edhe shlyerjen me gjasë të borxheve të vjetra. Koncerni i reduktoi ndjeshëm furnizimet me gaz në këtë vend në javët e fundit. Ekspertët flasin për minus 35%.
Javën e kaluar qeveria moldave shpalli gjendjen e jashtëzakonshme energjitike. Kjo do të thotë kufizime për konsumatorët e mëdhenj të energjisë, që duhet të kërkojnë alternativa të tjera energjie. Në të njëjtën kohë me procedura të përshpejtuara qeveria moldave mund të nënshkruajë kontrata të tjera. Më 25 tetor u nënshkrua një kontratë me Poloninë e sipërmarrjen moldave Energocom.
Manovër presioni
Rusia edhe në të shkuarën e ka mbyllur rubinetin e gazit për Moldavinë. Vëzhguesit e shohin krizën aktuale të gazit si “manovër presioni” të Putinit. Sergiu Tofilat, ekspert i energjisë thotë për Deutsche Wellen, se “nuk është rastësor momenti për këtë presion”. “Kishte vite që nuk kishte probleme me furnizimin me gaz. Por tani ka ndryshuar diçka: Forcat proruse në vendin tonë kanë humbur pushtetin.”
Presidentja moldave, Maia Sandu
Nga dhjetori i vitit të kaluar është në detyrë presidentja proeuropiane, Maia Sandu. Ajo fitoi kundër rivalit të saj, presidentit të atëhershëm prorus, Igor Dodon. Edhe partia e tij i humbi në korrik të këtij viti zgjedhjet në vend, dhe ka kaluar në opozitë. Nga gushti Moldavinë e qeveris një koalicion proeuropian reformues i partisë Aksion dhe Solidaritet, PAS nën kryeministren, Natalia Gavrilita. Lidershipi i ri moldav kërkon të çlirohet nga ndikimi rus dhe synon integrimin europian dhe është duke ndërmarrë reforma të thella në drejtim të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.
Politikanët e rinj në pushtet nuk zgjodhën një kurs konfrontimi me Kremlinin, përkundrazi.Presidentja Maia Sandu dhe qeveria moldave theksojnë, se janë të interesuar për një marrëdhënie normale dhe të mirë me Rusinë.
Solidaritet me Gjeorgjinë dhe Ukrainën
Ky vend dikur pjesë e Rumanisë u aneksua nga Stalini në një pakt me Hitlerin në vitin 1940 dhe u shpall si republika sovjetike moldave. Kur në vitin 1991 Moldavia shpalli pavarësinë, në lindje të republikës u shkëput një pjesë e saj, Tranzistria. Aty janë në fuqi forca proruse, separatiste që nuk njihen ndërkombëtarisht. Rusia ka dërguar në këtë rajon disa mijëra ushtarë dhe ka stacionuar një arsenal të jashtëzakonshëm armësh nga koha e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1999 në një samit të OSBE në Stamboll, Moska premtoi se do të tërheqë trupat deri në vitin 2020, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani.
Presidentja moldave ia kujtoi Rusisë në muajt e kaluar këtë premtim dhe kërkoi një zgjidhje të konfliktit me Transistrinë. Maia Sandu siç pritej shprehu edhe solidaritetin me Gjeorgjinë, po ashtu e prekur nga një konflikt i ngrirë dhe politika e agresionit rus, si edhe me Ukrainën, gadishullin e së cilës Krimenë, Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Parlamenti në Tiraspol, kryeqytetin separatist të Transistrisë
“Paturpësitë e mëdha antiruse”
Zyrtarisht politika ruse dhe Gazpromi e hedhin poshtë, se grindja aktuale për gazin ka sfond politik. Por në javën e shkuar, Valentina Matvijenko, kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse, numri tre në shtetin rus, shprehu zemërimin ndaj presidentes moldave. “Paturpësitë e mëdha antiruse” të presidentes moldave do të kenë pa dyshim ndikim në marrëdhëniet bilaterale, tha Matvijenko. Deklaratat e saj erdhën menjëherë pas takimit me presidentin moldav të parlamentit, Igor Grosu, ku u fol edhe për furnizimet me gaz.
Prej vitit 2007, Moldavia paguan për gazin rus një çmim që orientohet në vlerat mesatare të marrëveshjeve europiane afatgjata. Në kontratën që mori fund në shtator kjo nënkuptonte 150 dollarë për 1000 metër kubik gaz. Prej kësaj kohe Gazpromi kërkon papritur çmimin e tregjeve aktuale, tre herë deri katër herë më të lartë. Në kuadër të një marrëveshjeje provizore, Moldavia duhet të paguajë 800 dollarë për 1000 metër kubik gaz. Gazprom kërkon edhe 700 milionë dollarë borxhe nga e shkuara.
Shuma të mëdha janë zhdukur
Koncerni thotë, se bëhet fjalë për leverdinë ekonomike. Por Bjellorusia për shembull vazhdon të marrë gaz rus me 150 dollarë për 1000 metër kubikë. Qeveria moldave thotë se një çmim 200 deri në 300 dollarë është i pranueshëm. Edhe çështja e borxheve duket se ka dalë qëllimisht në pah. Firma që i ka borxhet, monopolisti i gazit, MoldovaGaz i përket në masë të madhe vetë Gazpromit. Nuk dihet qartë, se sa borxhe ka kjo degë bijë e Gazpromit tek koncerni mëmë. “Në të shkuarën tek MoldovaGaz janë zhdukur shumë të mëdha përmes mashtrimit dhe korrupsionit”, thotë Sergiu Tofilat. “Se kush i ka borxh kujt duhet që ta qartësojë një verifikim i zgjeruar tek Moldova Gaz. Por një audit të tillë të firmës nuk ka pasur asnjëherë.”
Javën e kaluar zëvendëskryeministrat moldavë, Andrei Spinu dhe Vlad Kulminski ishin në Rusi për një zbutje të konfliktit për gazin, dhe bisedimet nuk u zhvilluan vetëm me Gazpromin, por edhe me Dmitri Kozak, zëvendësdrejtuesin e administratës presidenciale të Putinit. Interesante është se Kulminski nuk është përgjegjës për çështjet e gazit, por për konfliktin me Transistrinë.
Eksperti Sergiu Tofilat
Që në konfliktin për gazin bashkënegociojnë Kulminski dhe Kozak, megjithëse nuk janë drejtpërdrejt përgjegjës, ka të bëjë edhe me ndërlidhjet jotransparente të tregtisë së gazit ndërmjet dy vendeve. Gazi rus shkon kryesisht në Transistrinë separatiste. Aty prodhon energji ndër të tjera centrali MoldGres, në pronësi ruse. Prej këtej furnizohet pastaj e gjithë republika moldave. Ky kompleks energjitik i padepërtueshëm është nën akuza për korrupsion.
Për shkak të situatës së komplikuar të furnizimit e konfliktit për gazin, në Moldavi janë shtuar zërat që kërkojnë kthesë radikale e çlirim nga varësia energjitike me Rusinë. “Neve na duhet të bëjmë gjithmonë përvojën se gazi rus përdoret si armë politike kundër nesh”, thotë politologu, Igor Botan. “Duhet që të nxjerrim më në fund mësime nga kjo. Prej kohësh duhet ta kishin diversifikuar furnizimin tonë me energji dhe ta kishim shtrirë në shumë degë.”