Shpesh, në mënyrë peri odike, ne jemi vënë përballë kërkesave, përpjekjeve për interesa, pikëpamje a prirjeve të ndryshme për t’u larguara e abandonuar konceptin tradicional, historik, real, të bazuar mbi natyrën njerëzore, ligjet e ekzistencës, vlerat e pazëvendësueshme në shoqëri, të familjes së vërtetë, asaj të përbërë nga burrë, grua e me shpresë, më tej edhe me fëmijë.
Unë personalisht kam qenë ndër ata që u është kundërvënë këtyre përpjekjeve, të cilat cenojnë themelin e shoqërisë njerëzore, jo thjesht atë të mbijetesës së saj fizike, por dhe të vlerave që mbart për atë vetë e për shoqërinë. E kam parë këtë të lidhur edhe me një aspekt tjetër, të pazëvendësueshëm, të lidhur me të ardhmen e fëmijëve, jo thjesht fizike a shëndetësore, por shumë më gjerë, të cilën vetëm një familje e tillë me nënën e babanë, mund t’ua sigurojë atyre. Pa dyshim, këtu mund të ketë dhe devijime si pasojë e fatkeqësive, humbjeve të prindërve, divorceve, por kjo nuk përbën shumicën a të zakonshmen. Sidoqoftë, fëmija, edhe nën të tilla zhvillime, ruan imazhin, mesazhin e nënës e babait të tij, qoftë dhe adoptivë këta. Po kështu, asnjë përcaktim numerik si Prindi 1 e Prindi 2 nuk mund të zëvendësojë përcaktimin sublim Nënë e Baba. Tentativa të tilla unë i konsideroj të rrezikshme.
Pra, në çdo analizë, familja është e shenjtë dhe e pazëvendësueshme kjo me konfigurime, përbërje aspak të përputhshme me ato natyrale apo të dizajnuara nga Perëndia. Ne duhet ta ruajmë këtë me fanatizëm, me të gjithë forcën tonë, se kështu ruajmë shoqërinë tonë në të sotmen e të ardhmen e saj, ruajmë fëmijët tanë.
Pa dyshim, kjo duhet bërë pa diskriminuar kurrkënd, që për një arsye apo tjetër ka një koncept tjetër për familjen, prirje tjetër, por në radhë të parë nuk duhet të diskriminojmë shoqërinë tonë. Unë jam ai që p.sh., më 1992, kërkova të hiqen nga Kodi Penal dënimet barbare për homoseksualët, jam një nga ata, që punova për Ligjin e Antidiskriminimit etj., por duke u përpjekur për të ruajtur të paprekur konceptin thelbësor për shoqërinë, atë të familjes sonë, të drejtat e pamohueshme të fëmijës.
Dhe tashti të vijmë te çështja konkrete. Prej javësh kanë ardhur nga qeveria në Kuvend dy projektligje, që kërkojnë të bëjnë një sërë ndryshimesh në Ligjin e Birësimeve dhe Kodin e Familjes. Në fakt, aty janë futur shumë amendamente, në pamje të pare teknike, por aq shumë sa të bëjnë edhe të humbësh fillin e qëllimit, logjikës dhe nevojës për ato. Ato që lidhen me Ligjin e Birësimeve duken teknike, megjithëse për mënyrën e paraqitjes e sasinë e tyre krijojnë edhe amulli.
Por krahas këtyre janë paraqitur edhe shumë amendamente për Kodin e Familjes, që për hir të së vërtetës në tërësi nuk më duken të domosdoshme për të ndërhyrë në një Kod të tillë kaq të rëndësishëm, me këtë shpejtësi e sasi.
Në fakt, kjo tingëllon më shumë si një përpjekje për të kamufluar dy ndryshime të futura midis tyre në Kod, si pa rëndësi, ndryshime që në fakt godasin rëndë parimet thelbësore të lidhura me familjen e fëmijën aty.
Pra, që në krye dua të them se Kodi i Familjes mund të mos preket e as justifikohet kjo edhe me ndryshimet në Ligjin për Birësimet.
Sidoqoftë, në ndryshimet e paraqitura për Kodin e Familjes, veçanërisht të Nenit 241 të tij, dy janë esenciale e tingëllojnë sikur çdo gjë tjetër është bërë pikërisht për të futur këto në morinë e ndryshimeve dhe synojnë të bëjnë që:
1- E drejta e birësimeve t’u lihet edhe personave “single”, “të vetëm”, pa vendosur për këtë ato kushte rigoroze si të lidhjeve të ngushta familjare a diçka e tillë me fëmijën, gjë që është edhe në legjislacionet e vendeve të tjera ku kjo lejohet.
2- E drejta e birësimeve t’u njihet edhe çifteve të pamartuara, por që bashkëjetojnë prej tre vitesh. Mos harrojmë se bashkëjetesa realizohet me një kontrate të thjeshtë noteriale.
Pra, qartësisht këtu goditet koncepti i familjes së përbërë nga burri e gruaja, të sanksionuar me martesë e më tej nga fëmijët. Kjo, siç duket, është një tentativë që ka për qëllim të bëjë realitet, fakt të kryer, në mënyrë okulte e tinëzarë forma të tjera për një të ashtuquajtur “familje”, shumë larg konceptit tone për atë. Konceptimi ynë i familjes sanksionohet edhe në frymën e Kushtetutës sonë, veçanërisht në Nenin 53 të saj, frymës së përgjithshme të Kodit tonë të Familjes me Nenin 5 të tij që nuk ndryshon, apo me ligje të tjera në fuqi për këtë. Të bësh këto ndryshime, duhet të godasësh Kushtetutën, këtë Kod vetë e Kodë e ligje të shumta. Pra, në këtë tentative, e cila është në vete vetë edhe mjaft konfuze e kontradiktore siç ndodh me të gjitha përpjekjet si skuth, synohen ndryshime, qe bien ndesh jo vetëm me traditën tonë, vlerat mbi të cilat shoqëria jonë bazohet, por dhe me Kushtetutën e Kodet e vendit Sidoqoftë, pavarësisht nga këto, fëmija nuk mund t’i besohet ne birësim një personi të vetëm pa familje, përveçse në raste shumë të veçanta familjare të afërta a të ngjashme, që duhen parashikuar në ligj. Fëmija ka nevojë për familjen e tij, për Nënën e Babanë, qoftë dhe jo natyral. Futja e këtij ndryshimi të çon shumë larg në deformimin e koncepteve mbi familjen, traditës sonë, asaj që ne aspirojmë e duhet të bëjmë për atë. Të tilla ndërhyrje ekspozojnë familjen përpara dilemave të ekzistencës së saj, fëmijën përballë rreziqeve reale, shtrojnë “trasenë” për zhvillime të tjera edhe më të padëshirueshme e të papërshtatshme.
Po kështu, edhe dhënia e fëmijës në adoptim çifteve, qoftë dhe heteroseksuale, që vetëm bashkëjetojnë me një marrëdhënie noteriale, pra, nuk janë familje, jo vetëm godet përcaktimin tonë të familjes, por edhe e trajton fëmijën përsëri si një plaçkë, duke e ekspozuar përpara të papriturave të mëdha. Sipas të gjitha ligjeve tona, prej Kushtetutës, familje konsiderohet ajo që lind nga martesa e një burri me një grua dhe fëmija ka pikërisht nevojë për këtë. Çdo devijim i kësaj bie ndesh me parimet tona, me ligjet tona, pra, nuk mund të pranohet./ Nga Tritan Shehu