Nga David B. KANIN
“Ombrella” aktuale e sigurisë e ndërtuar në Evropën Juglindore, nuk është më e qëndrueshme sesa paraardhëset e saj që kanë ardhur dhe ikur bashkë me drejtuesit e fuqive të mëdha që nga viti 1878. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se grindjet e fundit publike në Bosnje dhe Kosovë janë kërcënime ekzistenciale emergjente.
Qëkur u bë e qartë se politikat perëndimore atje nuk funksiononin mirë, zyrtarët dhe intelektualët e njohur kanë lëshuar periodikisht paralajmërime për konflikte të reja, dhe kanë bërë thirrje që të huajt t’i nënshtrojnë keqbërësit vendas.
Dogma mbizotëruese, është se institucionet, normat dhe sjelljet pro-transatlantike përbëjnë të vetmen rrugë të mundshme për të ecur përpara, dhe se “ndihma” perëndimore është shumë e nevojshme, sepse nacionalistët keqdashës dhe popullatat e mashtruara që banojnë në rajon, nuk mund ta bëjnë dot vetë “atë”. Nisma e dështuar e Butmir e vitit 2009, që mbuloi dështimet periodike për të imponuar një reformë kushtetuese në Bosnjë, ishte një shembull i dukshëm i kësaj patologjie diplomatike dhe retorike. Pra, edhe një herë, kërcënimet rituale të shkëputjes nga federata e Milorad Dodikut, përplasjet dhe turbullirat mbi targat dhe sovranitetin në Kosovë, kanë rizgjuar zilet e alarmit të institucionalistëve liberalë.
Ndaj sot po bëhet sërish thirrje që dikush t’i tregojë vendin Dodik. Një ekspert kërkon që Bashkimi Evropian dhe NATO ta largojnë nga pushteti presidentin Alekxandar Vuçiç për hir të demokracisë në Serbi dhe sigurisë rajonale, ndonëse nuk ka shumë prova se Vuçiç dhe partia e tij kanë qenë zgjedhja e vërtetë e shumicës së votuesve serbë, në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara që nga viti 2012. Vuçiç është i angazhuar në një nivel mbështetjeje për interesat e perceptuara rajonale të vendit të tij, diçka që është tipike për çdo lidership shtetëror. Por ngjarjet aktuale sërish po tregojnë se edhe nëse nuk çojnë në shpërthime të mëdha të akteve të dhunës, u kujtojnë të gjithëve se statuskuoja aktuale nuk mundëson stabilitet, dhe një ditë konflikti do të shpërthejë. Prandaj ka ardhur koha që të hiqet dorë nga modeli i hiperbolave retorike, dhe organizimi i takimeve të pafundme në mbështetje të “perspektivës evropiane” që supozohet se ekziston për kërkuesit ballkanikë të BE-së. Këto rituale banale e kanë forcuar ndjenjën e rrezikshme rajonale të të qenit të izoluar.
Sot po bëhet gjithnjë e më e mundur që të gjithë të mësohen aq shumë me këtë inerci, saqë në rast se ndonjë provokim çon në një luftë të re, vendasit dhe ndërkombëtarë nuk do të kapen në befasi, si në vitet 1914 dhe 1991. Ndaj do të ishte e dobishme që ekspertët të bënin një përmbledhje të situata dhe sinjaleve, që sipas tyre do të tregonin se diçka e rrezikshme po ndodh. Unë vetë ofroj një listë paraprake për shqyrtim dhe ftoj lexuesit të propozojnë të tyret:
– Milorad Dodik përgatit një referendum për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja, dhe cakton një datë konkrete brenda një viti. Në rast se nuk e bën këtë, kërcënimet e tij mund të injorohen pa problem.
– Udhëheqësit boshnjakë fillojnë një përpjekje të vendosur (sërish me data të caktuara dhe hapa praktikë) për t’i detyruar serbët dhe kroatët e Bosnjës që t’i nënshtrohen kërkesave të shumicës boshnjake dhe Perëndimit për të “përmirësuar” zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, duke krijuar më në fund një qeveri qendrore funksionale në Bosnje Hercegovinë.
– Serbia përshkallëzon kërcënimet për ri-integrimin e“Kosovës dhe Metohisë”, dhe i mbështet ato me veprime që u ngjajnë stërvitjeve ushtarake.
– Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë bëjnë lëvizje praktike drejt një shteti më të madh shqiptar apo bashkimit në një konfederatë, që do të përfshijë ndoshta pretendimet se kanë të drejtë të mbrojnë interesat e shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
– Polonia dhe Hungaria ose largohen nga Bashkimi Evropian – dhe ky është varianti më i besueshëm -ose krijojnë një organizatë jo formale por funksionale ekonomike dhe të sigurisë, në të cilën ata mund të ftojnë edhe Serbinë.
Kjo lëvizje do t’i ngjante disi sistemit të sigurisë të udhëhequr nga Italia në Evropën Lindore midis 2 luftërave, që përfshinte Shqipërinë dhe humbësit rajonalë të Luftës së Parë Botërore, që zhvlerësoi marrëveshjet e Francës me Poloninë, Rumaninë dhe atë që fillimisht u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe më pas Jugosllavi.
Sigurisht, asgjë nga këto që përmenda më lart nuk mund t`i përjashtojë surprizat. Ekziston gjithmonë mundësia që një ngjarje në rajon të shkaktojë një reagim zinxhir, si ai pas vetë-djegies së një të riu në Tunizi, që ndezi reagimin kundër-revolucionar në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në vitin 2011.
Dhe ashtu si me të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, një raund tjetër luftimesh në Ballkan do të ngjallte shpresa të parakohshme për një kthesë progresive. Por nga ana tjetër do të rriste frikën për një përsëritje të dhunës së përgjakshme të viteve 1870, 1940 dhe 1990.
Nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur nëse konflikti i ri do të ndodhë së shpejti – apo nëse po ashtu siç ngjau gjatë periudhës së vonë osmane – struktura aktuale e rreme e sigurisë do të zgjasë më shumë sesa frikësohen disa dhe shpresojnë disa të tjerë.
Sido që të jetë, asgjë nuk vendoset në jug të lumit Sava, ku në dallim nga pjesa më e madhe e pjesës tjetër të Evropës, Lufta e Dytë Botërore nuk zgjidhi dot mosmarrëveshjet mbi kufijtë dhe identitetin. Askush nuk e di se kur dhe si do të prishet statuskuoja aktuale, apo nëse do të kemi ndryshime të mëdha kufijsh.
Megjithatë, 3 dekadat e ankthit në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane, e kanë dobësuar në përgjithësi perspektivën që zbehja e fuqisë dhe normave perëndimore, mund të kapërcejë modelet rajonale ekonomike, sociale dhe të sigurisë diakronike të bazuara tek besimet e vjetra dhe të ngarkuara me konflikte. Nuk është shumë herët të heqim dorë nga hiperbola jonë retorike, dhe të fillojmë të mendojmë sistematikisht për atë që do të ndodhë në të ardhmen. /Eurasia Review