Pavarësisht debateve të shumta që u zhvilluan ditën e enjte, Kuvendi miratoi me 73 vota pro, ligjin “për bashkëqeverisjen”, ku 42 deputetë votuan kundër. Deputetët e opozitës e kundërshtuan ligjin, duke thënë se rrit influencën e qeverisë te qytetarët, ndërsa mazhoranca shprehet se do të jetë zgjidhje për problemet e këtyre të fundit.
Ligji për Bashkëqeverisjen përbën një nismë për rikonceptimin dhe riorganizimin institucional të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, duke u nisur nga qëllimi i përfshirjes së qytetarëve. Kjo ka të bëjë gjithashtu me përfshirjen e teknologjisë në dhënien e shërbimeve.
Sipas ligjit, Agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative, të administratës shtetërore.
“Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara për konstatimin e fakteve të nevojshme të çështjes, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune, pjesë e të cilit do të jenë personat e ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë sipas përcaktimit në kërkesë”, shkruhet në ligj.
Ndërkohë, mes kompetencave, gëzon të drejtën e masave disiplinore për funksionarët e institucioneve që shkelin vendimet e saj me gjoba, deri edhe në largim nga puna. Ky ligj ishte propozuar nga kryeministri Edi Rama që në momentin e konsolidimit të mandatit të tretë.
Por përse e kundërshton opozita “Bashkëqeverisjen”?
Për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, ky ligj i propozuar nga qeveria sjell mbivendosje të ligjeve të tjera, ndërsa propozoi krijimin e një sindikate të administratës publike.
“Kjo agjenci nuk sjell gjë tjetër vetëm mbivendosje. Ka një mbivendosje të shumë ligjeve të tjera që ne i kemi miratuar. Ka ardhur koha që të ndërtojmë një sindikatë të administratës publike që do të sillte dhe oponencën ndaj ligjeve të tilla që bën qeveria”, tha Kryemadhi.
Për nënkryetaren e PD, Jorida Tabaku “Bashkëqeverisja” eliminon kontaktin që kanë mediat me institucionet e ligjit, dhe kthen zyrën e kryeministrit në zyrë kontrolli.
“Zyra e kryeministrit po kthehet në një kullë kontrolli, duke eliminuar kontaktin që kanë mediat me institucionin e ligjit, duke i mbledhur këto në një kullë kontrolli në zyrën e kryeministrit. Ligji që po diskutojmë mbivendos funksionet e Kodit. Shqiptarët nuk janë të shqetësuar as për kuvendin që është kthyer në një noter të qeverisë, por për situatën e vështirë e tyre. Unë do të miratoj çdo marrëveshje vaksinimi apo çdo gjë tjetër që ndihmon në zhdukjen e pandemisë, por ta harrojë ai që foli dhe kushdo qoftë që do të vendosim për bashkëqeverisje”, ka thënë Tabaku.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur se është kundër një nisme të tillë që rrit influencën e qeverisë dhe kushtëzon të drejtat e qytetarëve.
“Jam kundër këtij ligji sepse sa më e madhe qeveria aq më pak liri ka për qytetarët. Nuk është kontrolli i agjencive të partive por respektimi i ligjit ai që duan qytetarët. Çdo ndërhyrje nga strukturat e ndërtuara nga qeveria në emër të kontrollit dhe të qytetarëve kërkon që të rrisë kontrollin e qeverisë dhe u jep autoritet njerëzve të veshur me pushtet”, ka thënë ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi nga foltorja e Kuvendit, deklaroi se ligji për “Bashkëqeverisjen” është propagandë, duke shtuar se tregon që reforma e administratës ka dështuar.
“Ky ligj nuk duhet miratuar. Tregon që reforma e administratës publike ka dështuar. Ka dështuar ta depolitizojë dhe ta pastrojë nga koalicioni. Qytetarët e dinë sa të paaftë ka në administratë. Ka pasur gjithmonë por sot ka shumë. Shpesh iu duhet të paguajnë ryshfet që të marrin shërbimin. Dilni dhe thoni se kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh Bylykbashi.
Një tjetër panoramë japin propozuesit e ligjit, deputetët e mazhorancës, kur thonë se këtij ligji i duhet dhënë rëndësia e duhur, pasi sipas zv.kryeministrit Arben Ahmetaj do të ndihmojë në shërbimet e administratës dhe në uljen e korrupsionit.
Për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, ky është një ligj që do të ndalojë abuzimin e punonjësve të administratës ndaj shërbimit që bënin për qytetarët, të cilët endeshin nëpër zyra.
“Ato që ishin dikur zyra që duhej të zgjidhnin hallet e qytetarëve, ishin strukur miqtë e këtij apo të atij, që u kishin mbijetuar shumë administratave të majta dhe të djathta. Me ligjin e bashkëqeverisjes do të ketë luftë ndaj korrupsionit dhe ryshfetit, ndaj padrejtësisë që u bëhet qytetarëve”, tha ai.
Ligji në fjalë më shumë se një zgjidhje për problemet e qytetarëve pritet të jetë një tjetër formë e PS për propagandë mediatike, pasi dhe nismat e mëparshme lënë hapësirë për të diskutuar. Kjo marrë si shembull portali e-albania, ku herë pas herë qytetarët kanë denoncuar papërgjegjshmërinë rreth shërbimeve. Gijotina.com
Discussion about this post