Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Pogradec, ku drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Stropckë është arrestuar pasi dyshohet se ngacmonte seksualisht dy nxënëset e mitura.
Në një postim në rrjetet sociale, Kushi shkruan se drejtori i shkollës do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar. Kushi shprehet se në institucionet arsimore nuk ka vend për persona që dhunojnë pafajësinë e fëmijëve.
“Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe”, shkruan Kushi.
Teksa dënon veprimin e ndodhur, Kushi mes rreshtave e sheh ngjarjen si “rast suksesi” për shërbimet psiko-sociale në sistemin arsimor.
“Por kjo ngjarje thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve.”
Në Shqipëri rastet e abuzimit seksual në institucione nuk kanë munguar, raportimi i tyre në media është i vazhdueshëm. Një pjesë e mirë e këtyre rasteve kanë marrë vëmendjen e duhur vetëm pas zhurmës mediatike, ndonëse në raste specifike abuzimi mund të kishte vijuar me muaj apo vite me rradhë dhe institucionet edhe pse në dijeni të këtyre abuzimeve seksuale nuk kanë reaguar.
Disa nga abuzimet seksuale në institucione arsimore gjatë viteve të fundit
Më 30 maj 2020, policia arreston në Tiranë, 4 shtetas me akuzën e marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur. Një 65-vjeçar me inicialet A.D, roje shkollë në Babrru të Tiranës ka abuzuar seksualisht me dhune më një të mitur 15-vjeçe. Për më tepër roja i shkollës i kishte bërë video intime të miturës, të cilën më pas ua kishte shpërndarë disa të rinjve. Përmes shantazhit dhe nën kërcënimin se do të shpërndanin videon intime, shtetasit K.P., 20 vjeç, R.O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Që të katërt përfunduan në pranga.
05 mars 2020. Në një fshat të Këlcyrës, një 19-vjeçare është abuzuar seksualisht nga disa gjimnazistë të moshës 17-18 vjeçare. Dyshohet se vajza ka qenë e përfshirë në një lidhje me njërin prej tyre, i cili e kërcënonte vazhdimisht me një video intime për ta detyruar që të kryenin raporte seksuale, derisa përfundoi duke e përdhunuar së bashku me shokët e tij. Ka qenë vetë 19-vjeçarja ajo që ka bërë denoncimin e përdhunimit.
19 korrik, 2019. Një vajze 8-vjeçare në Arapaj të Durrësit i ka shpëtuar përdhunimit nga një bashkëfshatar 16-vjeçar dhe një tjetër 13 vjeçar. Prindërit e gjetën vajzën në tarracën e shkollës ku e kishin çuar djemtë, por vetëm një javë më vonë nëna denoncoi ngjarjen në polici duke vënë në lëvizje edhe gjykatën. Kjo e fundit caktoi masën arrest me burg për 20 ditë ndaj minorenit 16 vjeçar.
5 shkurt 2019. Ngjarja e rëndë në Kavajë, ku një vajzë 14-vjeçare ishte abuzuar seksualisht dhe shantazhuar nga 8 adoleshentë për një kohë të gjatë. Vajza kishte patur një lidhje dashurie me një nga djemtë e klasës i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të , por akti është filmuar nga një prej shokëve të djalit. Përgjatë nëntorit e dhjetorit vajza ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me 7 djem të tjerë, shokë të të dashurit, të cilët e shantazhonin me kërcënimin se do ti publikonin videon në rrjetet sociale. Në mes të janarit 2019 një nga mësueset ka rënë në dijeni te skandalit dhe ka informuar nënën e vajzës. Bashkë me vajzën me 29 janar kanë bërë denoncim në policinë e Kavajës.
Një vajzë 8 vjecare nga fshati Arapaj në Durrës është lidhur e më pas është bërë pre e agresionit seksual.
Ngjarja e rëndë ndodhi brenda shkollës së fshatit. Të paktën dy të rinj mësohet se morën me forcë fëmijën dhe duke e kërcënuar, e cuan në tarracën e shkollës. Burimet bënë të ditur se ata e lidhën vajzën 8 vjecare e më pas kryen vepra të turpshme.
Prokuroria sqaroi se agresorët nuk e përdhunuan vajzën, por vetëm e ngacmuan seksualisht atë. Ndërkohë, fëmija u gjet nga mësuesit e lidhur, e terrorizuar dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Discussion about this post