Si Gjykata e Posaçme, po ashtu edhe SPAK, publikuan procesverbalin e seancës gjyqësore të rivlerësimit të masave të sigurisë dhe përgënjeshtruan Erion Veliajt, pas pretendimeve të këtij të fundit, se prokurori Ols Dado i ishte drejtuar me fjalën “ndyrësirë”. Por, duket se Erion Veliaj vazhdon të këmbëngulë në versionin e tij, teksa ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme në rrjetet sociale.
Seancën gjyqësore, Veliaj e konsideron si “kasaphanë” për ta vrarë politikisht, teksa pretendon se i janë drejtuar fjalët “gënjeshtar”, “je patologjik” dhe “ndyrësirë”.
Kryebashkiaku i Tiranës i kërkon Gjykatës së Posaçme që të publikojë audion e seancës dhe sipas tij, më pas qytetarët të vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Siç duket, kjo është dhe një strategji e Erion Veliajt për ta hequr vëmendjen nga dosja prej rreth 360 faqesh, ku ai akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash.
Postimi i Erion Veliajt:
Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme.
Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun.
Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.
Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot.
Discussion about this post