Disa politikanë në Amerikën Latine dhe në Europë, po e pranojnë këtë publikisht. Kokaina është e përhapur kudo në pjesët e largëta rurale të Kolumbisë. Fermerët mbjellin shkurret e forta e të larta, korrin gjethet e tyre dhe e shesin produktin me shumicë në laboratorët e vegjël vendas. Ata e kanë bërë vendin prodhuesin më të madh të kokainës në botë.
Personat që mbledhin gjethet e bimës, quhen raspachines. Ata janë kryesisht emigrantë të varfër që vijnë nga Venezuela ose gjetiu në Kolumbi. Duart e tyre shpesh vriten dhe gjakosen nga puna e rëndë. Kjo ka të bëjë me heqjen e gjetheve nga kërcelli.
Por fitimet janë më të larta se në rastin e kultivimeve të ligjshme. Fakti i të qenët i përfshirë në biznesin e palejuar të drogës, disave u jep një ndjesi epërsie. “Unë jam një raspachin”. Këndon këngëtari i grupit Los Bacanes del Sur, në këngën hit të vitit 2015. “Dhe i bëj për vete të gjitha gratë”.
Nuk ka mungesë të njerëzve që janë të gatshëm të mbjellin dhe të korrin kokainë. Nuk ka as mungesë të kokainës. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), prodhimi global arriti një rekord prej 1,982 tonë në vitin 2020. Numri është rritur me 11% krahasuar me një vit më parë. Gati sa dyfishi i sasisë së prodhuar në vitin 2014.
Kur ish-presidenti i Amerikës, Richard Nixon, nisi “luftën kundër drogës” në vitin 1971, fluksi i kokainës në Amerikë ishte shumë i pakët. Në krahasim me ditët e sotme. Pavarësisht miliarda dollarëve që shpenzohen çdo vit për arrestime, sekuestrime pasurish dhe shkatërrimin e bimëve të kokainës, ajo vazhdon të depërtojë ngado.
Rreth 2% e amerikanëve, afërsisht 6 milionë njerëz, mendohet se përdorin kokainë. Rrugët e reja të transportit po e përhapin ilaçin te konsumatorët nëpër Afrikë, Azi dhe Europë.
Shumë presidentë të Amerikës Latine kanë thënë se lufta kundër drogës nuk po funksionon. Megjithëse zakonisht e thonë këtë gjë vetëm pasi largohen nga detyra. Kështu shprehet Jonathan Caulkins, ekspert droge në Universitetin Carnegie Mellon. Tani disa politikanë në pushtet kanë filluar të flasin gjithashtu.
Në një intervistë me “The Economist”, Gustavo Petro, presidenti i ri i Kolumbisë, foli për butësinë e treguar ndaj anëtarëve të penduar të bandave të drogës. Si dhe dekriminalizimin e prodhimit të gjetheve të kokainës dhe krijimin e vendeve ku kolumbianët mund të konsumojnë kokainë, në një mjedis të mbikëqyrur.
Felipe Tascón, anëtar i ekipit të fushatës së zotit Petro, ka diskutuar për mundësinë e legalizimit të drejtpërdrejtë të drogës. Si dhe për bashkëpunimin me vendet e tjera të afërta që e prodhojnë drogën.
Një nga këto vende është Peruja, prodhuesi i dytë më i madh i kokainës në botë. Presidenti i saj, Pedro Castillo, ka emëruar Ricardo Soberón. Ai njihet si kritik i skemave të zhdukjes së kokainës, në krye të agjencisë antidrogë të Perusë.
“Pasi punova me fermerët e kokainës për 30 vjet, e di se ata duan që të trajtohen si qytetarë”, thotë zoti Soberón. “Ata janë trajtuar gjithmonë si narko-terroristë, ose fermerë narkotikë”.
Realitetet e politikës ndërkombëtare do të kufizojnë hapësirën për manovrim të zotit Petro. Por një skepticizëm i tillë publik nga një kryetar shteti në detyrë, shënon ndryshim të madh në diskutimin mbi drogën.
Kur ndodheni në një gropë, mos gërmoni edhe më thellë
Zoti Petro dhe zoti Soberón kanë të drejtë kur thonë se lufta ndaj kokainës ka dështuar. Arsyeja kryesore janë fitimet e mëdha që nxirren nga droga, e cila është e lirë për t’u prodhuar, por shumë e shtrenjtë për t’u blerë.
Sipas Jeremy McDermott, nga firma InSight Crime, që analizon krimin e organizuar, bandat meksikane mund të blejnë një kilogram kokainë për 3,000 dollarë në Kolumbi.
Ai vlerëson se një kilogram vlen midis 8,000 dhe 12,000 dollarë në Amerikën Qendrore. Por 20,000 dollarë në Shtetet e Bashkuara, 35,000 dollarë në Europë, 50,000 dollarë në Kinë dhe 100,000 dollarë në Australi. Bandat e drogës mund t’i rrisin fitimet edhe më shumë. Kjo duke e përzier kokainën me droga më të lira.
Këto ditë, pjesa më e madhe e kokainës që dërgohet në veri në Shtetet e Bashkuara, është e përzier me fentanil. Një qetësues opioid i fuqishëm që përdoret për dhimbjet. UNODC llogarit se kombinimi toksik i dy drogave, është arsyeja kryesore pse vdekjet e lidhura me kokainën në Amerikë, janë pesëfishuar që nga viti 2010.
Fitimet e mëdha u japin bandave nxitjen dhe burimet për t’u përshtatur me çdo gjë që mund t’u imponojë ligji. Në Kolumbi, disa dekada përpjekje për çrrënjosjen e kokainës që nisën në vitet e para të këtij shekulli, fillimisht, çuan në një rënie të prodhimit.
Por që atëherë, është rritur sërish. Kjoasi plantacionet janë zhvendosur në vende më të largëta dhe të paligjshme. Në të njëjtën kohë, bandat kanë rritur produktivitetin e të korrave.
UNODC llogarit se sasia e tokës për kultivimin e kokainës ra me 9% në Kolumbi në vitin 2020, krahasuar me një vit më parë. Por prodhimi i kokainës u rrit me 8%, në 1,228 tonë. Kjo falë bimëve me rendiment më të lartë dhe proceseve më efikase në laboratorë. Ato i kthejnë gjethet në pastë kokaine dhe më pas në pluhur kokaine.
Në të vërtetë, bandat i kanë rritur aq shumë përfitimet e tyre falë rritjes së rendimentit, sa që do t’i kishte zili edhe një firmë konsulence për biznesin. UNODC llogarit se sasia e kokainës e përfituar nga një hektar kultivim, u rrit me 18% në një vit. Nga 6.7 kg në vitin 2019, në 7.9 kg në vitin 2020.
E gjithë kjo do të thotë se, megjithëse bandat kanë zgjeruar bizneset e tyre gjatë dekadave të fundit, në fusha si trafikimi i qenieve njerëzore, minierat e paligjshme të arit, zhvatja dhe prodhimi i drogave të tjera si fentanili, kokaina mbetet një pjesë thelbësore e biznesit të tyre. Peter Reuter, kriminolog në Universitetin Maryland (i cili ka kontribuar në The Economist në të kaluarën), mendon se kokaina ende siguron shumicën e të ardhurave për bandat kriminale në Meksikë.
Bandat luftojnë egërsisht për të kontrolluar tregtinë e kokainës. Kjo ka ndikuar që Amerika Latine të bëhet një nga rajonet më të dhunshme në planet. Me më pak se një të dhjetën e popullsisë së botës, Amerika Latine është vendi ku ndodhin afërsisht një e treta e vrasjeve.
Në disa vende, bandat janë të pasura, të fuqishme dhe të armatosura mirë. Saqe ua kalojnë edhe forcave të rendit. Kjo ka qenë e vërtetë prej kohësh në pjesët e largëta të Kolumbisë. Gjithashtu dhe në zonat pranë kufirit meksikan me Shtetet e Bashkuara. Më 2 shtator, tetë oficerë policie u vranë në jug të Kolumbisë nga sulmues të panjohur. Edhe në vende si Uruguai, Paraguai dhe Ekuadori, ku në të kaluarën nuk ka pasur shumë dhunë nga bandat, në vitet e fundit, kanë ndodhur vrasje të tmerrshme në burgje.
Kalimtarët e pafajshëm shpesh terrorizohen. Në Flor de Ucayali, në Peru, 76 familje indigjene jetojnë rreth një pylli pranë buzës së lumit Utuquinia. Prej vitesh, toka e tyre është cenuar nga plantacione të paligjshme kokaine.
Vitin e kaluar, policia inspektoi disa nga fushat e kokainës dhe shkatërroi disa pellgje, ku gjethet e korrura të kokainës ngjyhen me ujë, gëlqere dhe vajguri, si pjesë e procesit të prodhimit të kokainës.
Sipas Saul Martinez, udhëheqësi lokal, mbjellja e kokainës nuk ka ndalur dhe ndërhyrja e shtetit vetëm sa i ka ekspozuar edhe më tepër banorët ndaj dhunës. Fshatarëve u janë dërguar video të tmerrshme të kufomave të copëtuara dhe vitin e kaluar, dy burra kërcënuan një grua të re se do ta vrisnin.
“Ne kemi pushkë, të përdorura dikur për gjueti, kurse ata kanë armë që përdoren në luftë”, thotë zoti Martinez.
Ndonjëherë bandat depërtojnë në shtet. Nëpunësit publikë abuzojnë me pushtetin për të mbrojtur ose për të ndihmuar tregtinë e drogës. Një raport në Kolumbi, ka treguar se gjatë luftës së vendit kundër Farc, një grupi guerilas të krahut të majtë, “disa grupe në ushtri, polici, forca ajrore dhe detare, u pasuruan nga trafikimi i lëndëve narkotike”.
Në fillim të këtij viti, Juan Orlando Hernández, ish-president i Hondurasit, u ekstradua në Nju Jork për t’u përballur me akuzat se ka komplotuar për të importuar kokainë në Shtetet e Bashkuara. Kritikët e tij e akuzojnë se e ka kthyer vendin në një “shtet narkotik”. Vitin e kaluar, vëllai i tij, Tony Hernández, u dënua me burgim të përjetshëm për trafikim droge në Shtetet e Bashkuara. “Tregtia e kokainës në thelb ndërtoi infrastrukturën kriminale të Amerikës Latine”, thotë zoti McDermott.
Duke ecur drejt
Ndërsa kokaina përhapet në mbarë botën, infrastruktura kriminale udhëton bashkë me të. Guineja-Bissau është bërë një rrugë e rëndësishme për kokainën e Amerikës së Jugut, me destinacion Europën.
Një tentativë për grusht shteti në fillim të këtij viti, ku persona të armatosur sulmuan pallatin presidencial, mendohet se ishte kryer nga bandat e drogës. Një pjesë e madhe e kokainës në Europë, importohet përmes Roterdamit në Holandë.
Disa gazetarë dhe avokatë holandezë që hetojnë tregtinë e kokainës, janë vrarë. Në fillim të këtij viti, policia zbuloi një dhomë torturash me izolim zëri, e ndërtuar në një arkë transporti. Kreu i një sindikate policore holandeze ka paralajmëruar, në mënyrë hiperbolike, se vendi rrezikon të bëhet një “shtet narkotik”.
Pikërisht këtë dhunë dhe korrupsion shpresojnë të frenojnë përkrahësit e dekriminalizimit të kokainës. Kjo mund të duket si një ëndërr. Në shumicën e vendeve, kokaina, së bashku me heroinën, është një nga drogat e kontrolluara më fort.
Megjithatë, ka përjashtime. Gjethja e kokainës ka qenë prej kohësh e ligjshme në Peru dhe në Bolivi, me kusht që të mos përdoret për të bërë kokainë. Fermerët e vendeve të Amerikës Latine, prej shekujsh i kanë përtypur gjethet e kokainës si një stimulues i butë (efektet janë të ngjashme me ato të kafeinës). Çaji me gjethe kokaine, përdoret për të lehtësuar të vjellat.
Prandaj Peruja ka lejuar prej kohësh rritjen e 22,000 hektarëve të bimës së kokainës nga rreth 34,000 fermerë që janë të regjistruar në qeveri. Ata ua shesin prodhimet e tyre vetëm blerësve të autorizuar.
Në Bolivi, në vitin 2012, qeveria asokohe e kryesuar nga Evo Morales, u tërhoq nga Konventa për Drogat Narkotike, një traktat i vitit 1961, që synon të harmonizojë politikat e drogës të vendeve nënshkruese.
Bolivia, një vit më vonë, dekriminalizoi përtypjen e gjetheve të kokainës. Ideja ishte t’i jepej mbrojtje ligjore një tregu të vogël vendas që furnizonte produkte të lidhura me kokainën, si pije dhe pasta dhëmbësh.
Produkti më i pëlqyer është kokaina e lëngshme. Në La Paz, kryeqytetin e Bolivisë, ndodhet distileria El Viejo Roble, e cila prej vitesh prodhon pije alkoolike nga gjethet e kokainës.
Menaxheri i saj, Adrian, flet me entuziazëm për përfitimet shëndetësore të kokainës së lëngshme dhe syzet e tij të rrumbullakëta ngjyrë portokalli, i japin pamjen e një John Lennon-i nga Bolivia.
“Shikoni dhëmbët e fshatarëve të vjetër”, thotë ai. “Janë të gjelbër, por ama janë të përsosur”. Firma e tij prodhon rreth 500 shishe në muaj. Qeveria blen shishe për t’ua dhënë edhe diplomatëve të huaj.
Sindikatat e Bolivisë janë përgjegjëse për sasinë e kokainës që rritet në vend. Dhuna në Bolivi është në nivele të ulëta dhe duket se ka rënë edhe më tepër që kur ky model i “kontrollit të komunitetit” hyri në fuqi.
Sipas Joaquin Chacin, studiues në Universidad Mayor de San Simón në Cochabamba, Bolivi, midis viteve 2004 dhe 2021, ka pasur 15 vdekje nga konfliktet e lidhura me kokainën. Midis viteve 1982 dhe 2003, kishte 120.
Treg i ligjshëm?!
Por krijimi i një tregu të ligjshëm të gjetheve të kokainës, nuk është pa probleme. Si fillim, ekzistenca e kultivuesve të ligjshëm të kokainës, nuk duket se po i largon të jashtëligjshmit.
Pas një ndryshimi të qeverisë në Bolivi në vitin 2019, sipërfaqja e kultivuar me kokainë, u rrit me 15% në vitin 2020. Duke arritur në rreth 30,000 hektarë, nga të cilët, vetëm 22,000 ishin të ligjshëm.
Është një histori e ngjashme edhe në Peru. Sipërfaqja e kultivuar, u rrit me 30% në vitin 2021, në rreth 81,000 hektarë. Edhe kjo është një sipërfaqe shumë më e madhe se kufiri i vendosur nga qeveria.
Dhe sistemi i sponsorizuar nga shteti ka të meta. Regjistri zyrtar i fermave nuk është përditësuar. Kjo që kur u krijua për herë të parë në vitin 1979. Duke e bërë të vështirë mbajtjen e gjurmëve se ku po rritet bima.
Kompania kombëtare e kokainës, Enaco, ofron çmime të ulëta. Sasia e gjetheve të kokainës është përgjysmuar në 20 vitet e fundit. Të paktën një pjesë e kokainës që mungon, kompensohet nga tregtia e paligjshme e kokainës. Ku çmimet e ofruara janë shumë më të larta. Zoti Soberón, dëshiron të heqë monopolin e kompanisë Enaco dhe të lejojë blerës të tjerë.
Iván Marulanda, senator liberal kolumbian, ka hedhur një ide më radikale. Në vitin 2020, paraqiti një projektligj në Senat. Ai propozonte që Kolumbia të blinte të gjithë kokainën e prodhuar në vend, me çmimet e tregut.
Marulanda llogarit se kjo do të kushtonte rreth 2.6 trilionë pesos (560 milionë dollarë). Pra më pak se 4 trilionë pesos që shpenzohen për çrrënjosjen e bimëve çdo vit. Projektligji, i cili e kaloi leximin e parë përpara se të lihej në sirtar në prag të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, do të legalizonte edhe kokainën për përdorim shtëpiak.
Marulanda vlerëson se rreth 260,000 kolumbianë e përdorin drogën. Sipas propozimit të tij, kokaina do të vihej në dispozicion për personat mbi 18 vjeç. Ata duhet të kalojnë një test mjekësor. Steve Rolles, nga firma Transform, grup britanik për mbrojtjen e drogës, mendon se edhe një eksperiment kaq i vogël mund të “hapë debatin”.
Megjithatë, projektligji nuk përfshinte masa konkrete për ndalimin e grupeve të paligjshme. Këtë e pranon Lorenzo Uribe, studiues. Ai ndihmoi në hartimin e tij. Dhe legalizimi ndoshta do të shoqërohej me të meta serioze.
Në një punim të vitit 2016, doktor Caulkins, shqyrtoi se çfarë mund të ndodhte nëse kokaina do të legalizohej në Amerikën Latine. Ai arriti në përfundimin se, megjithëse mund të gjeneronte një treg të ligjshëm kokaine me vlerë “disa qindra milionë dollarë në vit”, vendi do të përfundonte duke u bërë “gazi i botës”.
Doktor Caulkins mendon se Amerika dhe vende të tjera do të vendosnin sanksione në shenjë hakmarrjeje.
Kjo gjë nuk do të ndalte as krimin ndërkombëtar. Legalizimi i kokainës, në vendet ku konsumi është i ulët, nuk do të dëmtonte fitimet e bandave. Kjo sepse ato vijnë kryesisht nga vende ku konsumi është i lartë.
Dhe zbatimi i dobët i ligjit mund t’i lejojë bandat që të mbizotërojnë tregjet e reja të ligjshme. Ashtu siç kanë mbizotëruar tregjet e jashtëligjshme. Disa shtete amerikane kanë legalizuar kanabisin në vitet e fundit. Por Vanda Felbab-Brown nga Instituti Brookings, thekson se bandat meksikane kanë filluar të lëvizin edhe në ato tregje të legalizuara.
Dhe legalizimi në një vend të Amerikës Latine, mund të përfundojë duke rritur dhunën në rajon. Një studim i botuar në vitin 2016, nga ekonomisti Daniel Mejia dhe kolegët e tij, zbuloi një lidhje midis politikave të çrrënjosjes së kokainës në Kolumbi, dhe rritjes së dhunës në pjesë të Meksikës ku bandat e drogës garojnë me njëra-tjetrën.
Nëse bandat meksikane do ta kishin më të vështirë të shtinin në dorë kokainën, për shkak të ligjeve të reja, si projektligji i senatorit Marulanda, konkurrenca shtesë mund të çonte në më shumë gjakderdhje.
Problemi i kërkesës
“Problemi është te konsumi, jo prodhimi”, thotë zoti Petro. Pikëpamja e tij është se “shoqëria konkurruese është ajo që shkakton varësinë. Dhe është ajo që shkakton edhe një përdorim të gjerë të drogës”.
Shpjegimi i zotit Petro është i dyshimtë. Por diagnoza e tij është e saktë. Për sa kohë që kokaina mbetet e paligjshme në vendet e pasura që e konsumojnë atë, legalizimi i saj në vendet më të varfra që e prodhojnë, do të ketë një efekt të vogël.
Dekriminalizimi i plotë, e aq më pak legalizimi, nuk do të ndodhë në Perëndim. Por qëndrimet kanë ndryshuar dukshëm në vitet e fundit. Në vitin 2020, shteti amerikan Oregon dekriminalizoi zotërimin e të gjitha drogave. Përfshirë dhe kokainën.
Portugalia ka pasur një politikë të ngjashme që nga viti 2001. Më 7 tetor, Femke Halsema, kryebashkiakja e Amsterdamit, ndodhej në një takim të ministrave europianë të drejtësisë. Ajo tha mendonte se lufta kundër drogës kishte dështuar. Sipas saj, kokaina duhej të dekriminalizohej. Nëse dekriminalizimi ndodh në Amerikën Latine, mund t’u japë më shumë vrull ideve të tilla.
Madje edhe qeveria e Amerikës nuk është më aq armiqësore sa dikur. Në një takim me Petron më 3 tetor, Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit, tha në mënyrë diplomatike se administrata e presidentit Joe Biden mbështet “qasjen më holistike” të presidentit kolumbian për trajtimin e drogës. Ky është një lëshim i rëndësishëm nga një vend që filloi luftën kundër drogës, pesë dekada më parë. Revista Monitor
Discussion about this post