Kreu i Kremlinit e justifikon sulmin e tij në Ukrainë me dëshirën për të “denazistifikuar” vendin. Sipas tij, ushtria ruse po çliron popullsinë nga zgjedha e ndjekësve të Adolf Hitlerit që po gangrenizojnë si ushtrinë ashtu edhe sferën politike.
Çështja që shtrohet : Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kremlini i vjen rrotull pikërisht këtij narracioni. Për të justifikuar « operacionin e tij special ushtarak », Vladimir Putin hodhi menjëherë argumentin e një “denazifikimi” të vendit. Sipas liderit, ushtria ruse po i çliron ukrainasit nga zgjedha e ndjekësve të Adolf Hitlerit, të cilët po helmojnë ushtrinë dhe sferën politike. Është ky motivi që është përsëritur disa herë nga zoti i Kremlinit dhe mbështetësit e tij. Të enjten, më 3 mars, gjatë një fjalimi televiziv, Vladimir Putin falënderoi kështu ushtarët rusë për “luftën e tyre të çmuar kundër neo-nazistëve”. Të dielën, më 20 mars, guvernatori i Sevastopolit njoftoi vdekjen e zëvendëskomandantit të Flotës Ruse të Detit të Zi “në luftimet për çlirimin e Mariupolit nga nazistët ukrainas”, duke iu referuar drejtpërdrejti regjimentit Azov, i famshëm në botë për idealet e tij pranë doktrinës hitleriane.
Në vitin 2014, gjatë aneksimit të Krimesëdhe luftës në Donbas, Rusia po e përdorte tashmë këtë argument duke e shënjëstruar Ukrainën si “fashiste”. Një anatemë që duket se përfshin nacionalistët ukrainas të të gjitha llojeve më shumë sesa një kërcënim hipotetik neo-nazist. Pra, a kemi të bëjmë me një element të pastër propagande apo me një shqetësim real të Kremlinit? A ka ende mbështetës të Hitlerit në Ukrainë? Dhe a mund të legjitimohet kështu pushtimi i një vendi sovran?
LE TA VERIFIKOJMË. Për të kuptuar akuzat e Moskës dhe peizazhin aktual politik të Ukrainës, duhet të kthehemi pas në kohë, atëherë kur pati një bashkëpunim të një pjese të popullit ukrainas me nazistët. Në shtator 1939, protokollet sekrete të paktit gjermano-sovjetik i dhanë Gjermanisë gjysmën perëndimore të Polonisë, ndërsa BRSS pushtoi pjesën lindore të saj. Galicia, në atë kohë një rajon polak, ra në duart e komunistëve. Popullsia e këtij rajoni që ishte pjesë e Perandorisë austro-hungareze, është “relativisht e afërt me idetë gjermanike”, shpjegon Pierre Lorrain, historian i specializuar në botën post-sovjetike dhe autor i « Ukraina, një histori midis dy fatesh ». “Ajo (popullsia e kësaj zone) e sheh ardhjen e BRSS si një fatkeqësi dhe natyrisht kthehet në Gjermani,” shpjegon historiani.
Një trashëgimi me ngarkesa kolaboracioniste
Kur u prish pakti midis Hitlerit dhe Stalinit dhe Wehrmacht-i pushtoi Galicinë për të bërë të njohur Frontin Lindor që nga fillimi i qershorit 1941, “gjermanët u mirëpritën si çlirimtarë” në këtë rajon, nënvizon Pierre Lorrain. Këtu shfaqet Stepan Bandera, një nga figurat më të rëndësishme në historinë e re të Ukrainës. Më 30 qershor 1941, partia e tij, Organizata e Nacionalistëve Ukrainas (OUN) shpalli formimin e një shteti ukrainas, përmes një teksti që flet vetë : « Shteti ukrainas i sapoformuar do të bashkëpunojë ngushtë me Gjermaninë e Madhe Nacional Socialiste, e cila nën udhëheqjen e liderit të saj Adolf Hitler, krijon një rend të ri në Evropë dhe në botë dhe ndihmon ukrainasit të çlirohen nga pushtimi moskovit ». Ishte fillimi i një bashkëpunimi të ngushtë midis Gjermanisë naziste dhe një pjese të popullsisë ukrainase, kryesisht të rajonit të Galicias, bashkëpunim të cilin Bandera, përfundimisht, nuk do ta jetojë, pasi u internua deri në vitin 1944 nga Hitleri, i cili i pa me sy të keq planet e tij për pavarësi.
Plehu organik antisemit që iu hodh disa prej territoreve ukrainase në atë kohë – por që erdhi duke u shkrirë në vazhdim – ka shtyrë “shumë anti-hebrej të bashkëpunojnë vullnetarisht me nazistët”, duke u integruar në divizionet SS dhe madje duke krijuar “polici ndihmëse” për të bërë të mundur shfarosjen e hebrejve dhe armiqve të Rajhut, kujton Pierre Lorrain. Nga korriku i vitit 1941, në disa qytete të Ukrainës u kryen masakra me ndihmën e një pjese të popullsisë së saj. Këto abuzime arritën kulmin e tyre në luginën e Bab-Yar, në veri të Kievit, ku më shumë se 30,000 hebrej janë masakruar. Në atë kohë, më shumë se 40,000 ukrainas bashkëpunuan me nazistët, gjithnjë sipas Pierre Lorrain. Një shifër që u rrit në më shumë se 200,000 në vitin 1944, sipas specialistit amerikan të Holokaustit, Mordecai Paldiel.
Kjo pjesë e historisë ndoshta shërben si bazë për narrativën e Vladimirit për “denazifikimin” e Ukrainës. Sa më shumë që romani kombtar në Rusi u ndërtua rreth “luftës së madhe patriotike” kundër nazizmit, aq më shumë propaganda e Kremlinit s’harron ta kujtojë pareshtur atë. Megjithatë, Vladimir Putini harron se shumë ukrainas gjithashtu morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore në anën e sovjetikëve, duke përfshirë gjyshërit e presidentit Volodymyr Zelensky, i cili është vetë hebre. Kreu i Shtetit nuk kishte munguar ta kujtonte, pak orë para fillimit të pushtimit : “Si mund të isha nazist? Shpjegojani gjyshit tim, i cili e kaloi gjithë luftën në këmbësorinë e ushtrisë sovjetike”, tha ai duke iu drejtuar drejtpërdrejt rusëve.
Figura e simbole që vazhdojnë të gëzojnë lavdi.
Kjo trashëgimi me peshë të madhe negative, edhe pse ka të bëjë vetëm me një pakicë të popullsisë ukrainase, vë përballë sot, sa i takon memorieve historike, refuzimin e komunizmit nga njëra anë dhe mizoritë e kryera në emër të ideologjisë naziste, nga ana tjetër. Në vitin 2015, në pëpjekje të « dekomunizimit » të shoqerisë, janë ndaluar me ligj simbolet dhe monumentet që evokojnë lavdinë e BRSS, por edhe të Gjermanisë naziste. Të luash himnin sovjetik në publik dënohet edhe me pesë vjet burg. Por në të njëjtën kohë, mijëra njerëz ende festojnë figurën e Stepan Bandera çdo 1 janar dhe parakalojnë çdo 28 prill për të nderuar luftëtarët e divizionit SS “Galicia”.
« Popullsia ukrainase has në vështirësi për ta gjetur veten. Ukraina e pavarur ka vetëm 30 vjet histori, është një vend që nuk ka pasur kurrë mundësinë të ndërtojë një komunitet kulturor, memorial, mjaftueshëm të fortë », kujton Adrien Nonjon, studiues në Inalco, një specialist i Ukrainës dhe i ekstremit të djathtë post-sovjetik.
« Ukrainasit kërkojnë të rindërtojnë memorjen e tyre historike me ato pak simbole që disponojnë », Adrien Nonjon, studiues në Inalco.
Këto figura të herojve çlirimtarë, siç është ajo e Banderës, u rishfaqën veçanërisht me rastin e Euromaidanit (Manifestimet proevropiane në sheshin Maidan), në 2014. « Bëhej fjalë atëhërë, për ukrainasit, të rindërtonin një kujtim me ato pak simbole që kanë », analizon specialisti. « Gjë që nuk do të thotë se ukrainasit janë tërhequr pas këtyre simboleve », shton ai, duke kujtuar kalimthi se vendet e tjera, si Letonia, « ende festojnë vullnetarët e tyre në SS ». Për Adrien Nonjon, « ne nuk duhet ta shikojmë këtë me sytë tanë perëndimorë », por t’i vendosim këto elemente në kontekstin e tyre : « Popullsia feston për këtë komb ukrainas i cili gjithmonë ka luftuar për mbijetesën dhe pavarësinë e tij ».
Megjithatë, idetë ultranacionaliste, ndonjëherë të ngjyrosura me neo-nazizmin, dikur mbërritën në një numër të madh në Rada, parlamenti ukrainas. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2012, partia Svoboda, një pasardhëse e OUN dhe logoja e së cilës ishte deri në vitin 2003 një derivat i Wolfsangel-it, të mbajtur nga divizioni SS Panzer “Das Reich”, fitoi më shumë se 10% të votave, pra 37 vende, nga 450. Partia Pravy Sektor (Sektori i Djathtë) kurrë nuk mori pjesë në votime, por luajti një rol thelbësor gjatë Euromaidanit, si një konfederatë paraushtarake e trashëguar nga ushtria kryengritëse ukrainase e Stepan Bandera-s. Por në fund, këto dy parti sot përfaqësojnë shumë pak (një anëtar të vetëm të Radës) krahasuar me homologët e tyre europianë të ekstremit të djathtë të Bashkimit Kombëtar në Francë, AfD në Gjermani, VOX në Spanjë apo Lega në Itali. Krahasimi është megjithatë i ndërlikuar, pasi këto parti kurrë nuk i kanë shprehur hapur idealet e mundshme neonaziste.
Nazizmi në ushtri, shenjestra e vertetë e Putinit ?
Nga ana tjetër, e djathta ekstreme ukrainase është lehtësisht e dallueshme në rrugë. « Banalizimi i dhunës, brutalizimi i shoqërisë janë po aq trashëgimitë e Maidanit sa dhe të luftës », mbi të cilat kanë notuar ultranacionalistët, shpjegon Adrien Nonjon, i cili nënvizon se këto grupe kanë « përfituar nga fshirja e shtetit të nesërmen e Maidan-it, duke mbrojtur ata vetë rrugët dhe duke ndihmuar popullatën ».
« Për t’u bërë regjiment, Azov, u detyrua të zgjerohej me forca të reja rekrutuese, duke zvogëluar bërthamën themeluese dhe më radikalët u larguan nga radhët »
Adrien Nonjon, studiues në Inalco
Fraksione të tjera ultranacionaliste përfituan nga periudha, dhe veçanërisht lufta në Donbas, për të vënë në qendër të vëmendjes : batalionet vullnetare. Më i mediatizuari prej tyre është batalioni Azov, i cili gjithashtu mban si emblemë Wolfsangel-in e përmbysur dhe aktualisht përbëhet nga rreth 4000 luftëtarë. I formuar më 5 maj 2014 nga një bërthamë e militantëve neonazistë, ai e kishte ndërtuar legjendën e tij duke ua marrë seperatisteve pro-rusë, kontrollin e qytetit të Marioupolit. Por lidhja e tij me Gardën Kombëtare të Ukrainës që nga shtatori i vitit 2014, po përqendron aktualisht akuzat për neo-nazizëm kundër qeverisë ukrainase. Megjithatë, ky integrim « kishte për qëllim kontrollin dhe monitorimin e tyre », siguron Adrien Nonjon. Pasi u bë një trup elitar, regjimenti Azov u detyrua të depolitizohej. « Për t’u bërë një regjiment, Azov u detyrua të zgjeronte rekrutimin e tij, bërthama themeluese u bë pakicë dhe më radikalët u larguan nga radhët », nënvizon specialisti.
Kjo nuk i pengon disa nga anëtarët e saj që të shfaqin ende simbole ndjellëse të Rajhut të Tretë pa komplekse, siç dëshmohet nga figurat në ballë, por edhe paradat e shpeshta marciale të organizuara nga regjimenti, si dhe vazhdojnë të mbajnë Wolfsangel-in në kreshtën e tyre, megjithëse e kanë stilizuar me kalimin e kohës. « Si mund ta durojë qeveria ukrainase që një pjesë, sado e vogël, e ushtrisë së saj të mbajë simbole të tilla ?», pyet Pierre Lorrain. « Këta janë ushtarë që kanë përvojë pothuajse profesionale të dhunës dhe kanë kontribuar gjatë luftës. Nuk mund të largohen me sot e me nesër », përgjigjet Adrien Nonjon. Por për historianin « qeveria i toleron neonazistët sepse janë të fuqishëm ». Dhe shkon më tej : “Ajo (qeveria) ka frikë prej tyre sepse ata përfaqësojnë një forcë të nëndheshme që mund të kthehet kundër saj ».
Si përfundim, kombi i ri ukrainas duket se e ka të vështirë të tresë të kaluarën e tij, që kur u shqye midis nazizmit dhe komunizmit. Rrjedhimisht, ultranacionalizmi, madje edhe neo-nazizmi, është më i dukshëm dhe më i demokratizuar se në Evropë. Nëse këto lëvizje mbeten gjithsesi margjinale, shprehja e tyre bie më shumë në sy nëse krahasohet me vendet e tjera evropiane, ku një përshëndetje naziste në një takim shkakton menjëherë bujë. Nga ana tjetër, akuzat për “nazifikimin” e Ukrainës nga Vladimir Putini janë vërtetë një pretekst i thjeshtë për të pushtuar vendin. Aq më tepër që zoti i Kremlinit nuk ka hezituar ai vetë, e kjo në disa raste, « të mbështesë një numër të caktuar lëvizjesh të ekstremit të djathtë për të favorizuar pushtetin e tij », vëren Adrien Nonjon. Siç është për shembull grupi neo-nazist Russkii Obraz, « i cili mblodhi fonde për t’u bërë organizatë rinore e partisë Rusia e Bashkuar për të minimizuar opozitën e ekstremit të djathtë ndaj Putinit »./ Nga Hugues MAILLOT-Figaro
Përktheu nga frëngjishtja Valbona Qehaja-perkthyese interprete pranë ISM-Interpretariat-Paris, profesoreshë e shqipes pranë ASPLEF-Paris
Discussion about this post