GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Kosovë & Rajon

Absurde! Institucionet e Serbisë që funksionojnë lirshëm në Kosovë

18:36 - 24/03/23
në Kosovë & Rajon, Lajme
Kohë leximi: 6 min
A A
Absurde! Institucionet e Serbisë që funksionojnë lirshëm në Kosovë
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999.

Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit.

Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.

Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.

Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”.

Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende.

Në një raportim para Kuvendit të Kosovës, më 23 mars, Kurti ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim” dhe ka shtuar se nuk mund t’iu shmanget marrëveshjeve të mëhershme me Serbinë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes për normalizim, që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për REL-in, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se strukturat paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, do të futen në kuadrin ligjor të Kosovës kur ta formojë Asociacionin.

“…kështu që ato nuk do të jenë të udhëhequra nga Serbia, por nga Kosova, përmes Asociacionit”, ka thënë Escobar.

Por, ku gjenden këto struktura dhe si funksionojnë?

Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.

Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.

Duke qenë se komuna paralele e Prishtinës është më e madhja në Kosovë, REL-i ka vizituar objektin e saj në Graçanicë, por aty nuk është lejuar qasja e as fotografimi.

Kohë më parë, REL-i ka vizituar edhe komunën paralele serbe në Zveçan. Ajo është në të njëjtin objekt me Komunën e Zveçanit, të krijuar nga institucionet e Kosovës.

Në disa raste, kryetarët dhe stafi serb janë të njëjtë – punojnë edhe për sistemin e Kosovës, edhe për atë të Serbisë.

Qeveria e Serbisë emëron rregullisht persona në poste udhëheqëse në komunat e saj paralele në Kosovë.

Këto janë disa nga vendimet e nënshkruara nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, për komunën paralele të Prishtinës dhe atë të Suharekës:

 

Më 23 korrik, 2021, Qeveria e Serbisë emëroi drejtues dhe anëtarë në këto 16 komuna paralele në Kosovë: Kaçanik, Skenderaj, Fushë Kosovë, Shtime, Deçan, Podujevë, Prishtinë, Dragash, Vushtrri, Istog, Pejë, Gjakovë, Rahovec, Zveçan, Suharekë, Leposaviç.

Mbi 70 shkolla të Serbisë në Kosovë

Që nga përfundimi i luftës së viteve ‘98-‘99 e deri më sot, Serbia ka ruajtur sistemin e saj arsimor në Kosovë. Më shumë se 70 shkolla të të gjitha niveleve, të menaxhuara e financuara nga Serbia, funksionojnë në territorin e Kosovës.

Ato kanë plan-programet e tyre. Për shembull, një nxënës serb i klasës së dytë mëson nga i njëjti libër sikurse një nxënës i klasës së dytë në Serbi.

Disa përpjekje të institucioneve të Kosovës për t’i integruar këto shkolla në sistemin e arsimit të Kosovës, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Serbia udhëheq edhe universitete në Kosovë. Universiteti paralel i Prishtinës ndodhet në Mitrovicë të Veriut.

Ai nuk i jep llogari shtetit të Kosovës dhe nuk ka fare lidhje me sistemin arsimor në Kosovë. Financohet dhe menaxhohet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë.

Numri i saktë i punëtorëve të arsimit që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, nuk është publik.

Sistemi paralel i shëndetësisë

Ambulanca, spitale dhe qendra të tjera shëndetësore financohen dhe menaxhohen nga shteti i Serbisë në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Qendra të mjekësisë familjare ka në shumicën e fshatrave ku jeton komuniteti serb.

Spitalet më të mëdha të financuara dhe menaxhuara nga Serbia, janë tri: në Mitrovicë të Veriut, në Graçanicë dhe në fshatin Pasjan të Gjilanit.

Numri i saktë i punëtorëve shëndetësorë që punojnë në institucione të tilla, nuk është publik.

Zyrat për punësim, pensione dhe sigurime shëndetësore

Serbia mban aktive edhe një numër të madh zyrash për punësim në Kosovë.

Një e tillë është në Graçanicë, ku më 21 mars kishte qytetarë të shumtë që merrnin shërbime.

Zyra të tilla paralele operojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës, por më aktivet janë ato në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në tabelën në hyrje të objektit shkruan: Qendra Nacionale për Punësim, Zyra krahinore për punësim, Kosovë dhe Metohi, Dega Prishtinë.

Në Graçanicë dhe komuna të tjera me shumicë serbe funksionojnë, po ashtu, zyra për pensione të Republikës së Serbisë.

Serbia ka në Kosovë edhe zyra për sigurime shëndetësore, pasi çdo serb i Kosovës, sipas ligjeve në Serbi, ka të drejtën e sigurimit shëndetësor.

Posta e Serbisë, funksionale në Kosovë

Aktiviteti i Postës së Serbisë nuk është shumë i dukshëm në Kosovë, por para objektit të saj në Graçanicë shihen dhjetëra vetura të parkuara të këtij institucioni paralel.

Posta e Serbisë funksionon, po ashtu, pa pajtimin e institucioneve të Kosovës.

Sistem paralel i kulturës

Qendra të ndryshme kulturore, librari e biblioteka janë të shumta në lokalitetet ku shumica e banorëve janë serbë.

Në Graçanicë ushtron funksionin Teatri Popullor i Prishtinës – institucion paralel i financuar dhe menaxhuar nga institucionet e Serbisë.

Në të njëjtin objekt është edhe Qendra Kulturore e Graçanicës, e cila ngjashëm menaxhohet dhe financohet nga Serbia.

Biblioteka Kombëtare e Serbisë gjendet, po ashtu, në Graçanicë.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut janë funksionale: Biblioteka e qytetit “Vuk Karaxhiç”, Muzeu i Qytetit, Qendra kulturore “Dragica Zharkoviç” – të gjitha institucione paralele.

Atje funksionon edhe organizata humanitare Kryqi i Kuq i Serbisë.

Sporti paralel

Shumë klube sportive nga lokalitetet me shumicë serbe në Kosovë garojnë në garat shtetërore të Serbisë.

Vetëm në Mitrovicë të Veriut janë disa klube që nuk janë pjesë e ligave e as sistemit të Kosovës, si: Klubi i futbollit “Trepça”, Klubi i futbollit “Rudari”, Klubi i basketbollit “Trepça”, Klubi i atletikës “Trepça” dhe Klubi i hendbollit “Trepça”.

Klube të tilla ka edhe në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok, por edhe në komuna të tjera të banuara me serbë në pjesën jugore të Kosovës.

Serbia mban aktive edhe ndërmarrje publike

Në territorin e Kosovës janë aktive edhe ndërmarrje dhe kompani të ndryshme publike të Serbisë. Disa prej tyre që funksionojnë në baza të rregullta, janë: Drejtoria për Hapësirë Banesore dhe Afariste me bazë në Mitrovicë të Veriut, Drejtoria për Tokë Ndërtimore dhe Rrugë me bazë në Mitrovicë të Veriut dhe kompania publike e ujësjellësit “Ibri”, po ashtu me bazë në Mitrovicë të Veriut.

Në ueb-faqet e këtyre ndërmarrjeve shihen aktivitetet e tyre që përfshijnë ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen, riparimin e dëmeve e të tjera.

Të integruarit që u çintegruan sërish

Me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për të integruar disa struktura paralele serbe brenda sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Mbi 700 persona që kanë punuar në organizatën “Mbrojtja Civile”, e cila ka operuar në komunat në veri, janë integruar në institucionet e Kosovës në vitin 2016.

Për këtë organizatë ka pasur perceptime të ndryshme – nga institucionet e Kosovës, ajo është cilësuar si strukturë ilegale paraushtarake, ndërsa për serbët ka qenë strukturë për ofrimin e ndihmës për civilët në raste emergjente.

Shumica e pjesëtarëve të kësaj strukture janë integruar në Policinë e Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës./REL

Etiketa: analizaKosovaREL

Lajme të lidhura

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari
Aktualitet

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

22:22 - 05/12/25
Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet
Breaking Views

Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

22:01 - 05/12/25
“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit
Breaking Views

“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

21:27 - 05/12/25
Para
Ish-kampioni i botës i thotë ‘lamtumirë’ futbollit

Ozil: Zgjodha Real Madrid për shkak të Mourinhos

Discussion about this post

TË FUNDIT

Botërori 2026/ Presidenti Duka: Rruga e vështirë, por do luftojmë deri në fund
Breaking Views

Botërori 2026/ Presidenti Duka: Rruga e vështirë, por do luftojmë deri në fund

23:11 - 05/12/25

Pas përfundimit të ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria, në rast kualifikimi nga play-off-i, do të...

Lexo më shumë
Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

22:22 - 05/12/25
Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

22:01 - 05/12/25
“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

21:27 - 05/12/25
Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

20:29 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com