Kryetarja e Komisionit të Mediave dhe Edukimit Flutura Açka ka kërkuar zbardhjen e sulmit mbi Top Channel dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
“I bëjmë thirrje Kryeministrit shqiptar, t’i lërë sarkazmat me të dehur e sarhoshë që shëtisin me kallashnikovë netëve shqiptare në gjueti për terror, dhe ta marrë seriozisht këtë ngjarje të frikshme”, u shpreh Açka.
Deklarata
Në mbështetje të ndjeshmërisë së lartë publike të ardhur pas sulmit kriminal me armë zjarri mbi median kombëtare TOP Channel, ku mbeti i vrarë punonjësi Pal Kola, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, grupi i deputetëve të Opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, njëherësh me ngushëllimet e thella për familjen e të ndjerit, shpreh shqetësimin e shtuar se akte të tilla, të paralajmëruara më herët me akte të veçanta e sporadike të dhunës ndaj gazetarëve, disa prej tyre edhe të vetë kësaj medieje, mund të parathonë një stinë të vështirë elektorale ku po hyjmë.
Me ngjyrat, skenarin dhe dhunën e një akti të pastër terrorist, ky sulm duhet të kishte ngritur në këmbë shtetin shqiptar, jo vetëm se ai prek shenjtërinë e një prej pushteteve më të ndjeshme, më të brishta dhe më themelore të demokracisë, por sepse ai dëmton dhe vë në dyshim sigurinë e të gjitha fijeve të komunikimit publik, që është thelbi i fjalës dhe medias së lirë në një demokraci të shëndetshme.
Në të gjitha rastet e përsëritura të ngjashme, edhe pse jo të këtyre përmasave, opozita e ka ngritur zërin me shqetësim për një investigimin të plotë dhe nxjerrjen para drejtësisë së fajtorëve, duke denoncuar apatinë e plotë të organeve kompetente në zbardhjen e çështjeve të tilla. Tani jemi dy ditë më pas dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë po ndodh me gjetjen e terroristët dhe vrasësit e një shqiptari të pafajshëm në vendin e tij të punës.
Shqetësimi i menjëhershëm i ndërkombëtarëve, alarmi i aktorëve më të rëndësishëm publikë dhe i mbarë qytetarëve shqiptarë, dënimi i lehtësisë me të cilën krimi zotëron qytetet shqiptare, se si vret dhe ndëshkon shqiptarë të ndershëm, se si dërgon sinjale të hapura shantazhi ndaj fjalës së lirë, duhet t’i kishte shtyrë autoritetet shqiptare të ngarkuara ligjërisht për sigurinë dhe mbrojtjen e shqiptarëve, në dhënien e një prioriteti akut ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila gërvisht sovranitetin dhe prosperitetin e medias së lirë shqiptare, të ndërtuar me aq mund.
Ndaj, duke përcjellë mbështetjen tonë publike dhe solidarizimin me TOP Channel, me gazetarët dhe të gjithë stafin e tyre, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe personalisht zotit Çuçi, Policisë së shtetit, Policisë së Tiranës, të gjejnë sa më shpejt fajtorët dhe t’i çojnë ata para drejtësisë, të sigurojnë mbështetjen e tyre të pakufishme mbi median shqiptare, cilado qoftë ajo, edhe kur jo gjithmonë duartroket kinse sukseset e qeverisë shqiptare. Para ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë të gjithë jemi të barabartë.
I bëjmë thirrje Kryeministrit shqiptar, t’i lërë sarkazmat me të dehur e sarhoshë që shëtisin me kallashnikovë netëve shqiptare në gjueti për terror, dhe ta marrë seriozisht këtë ngjarje të frikshme. Mjafton t’i kujtojmë Kryeministrit shqiptar të shkujdesur dukshëm me krimin, se mjafton djegia e makinës diku për të humbur gjurmët, për të kuptuar skenarin dhe të gjithë regjisurën e banditëve të pastër. Sigurisht, një Kryeministër që bën vetë terror me tritol ditën për diell, ditën e festave, në zenit të verës në mes të plazhistëve, vetëm e vetëm të dëshmojë forcën e pushtetit, vetëm e vetëm të dëmtojë asetet e një medieje që ai nuk e kontrollon dot, e trajton si një shaka dhe lojë luftash barabatjen e krimit me shtetin, pse jo edhe duke e konkurruar atë plotësisht.
Ne i bëjmë thirrje edhe politikës shqiptare, segmenteve të caktuara të saj, të ndalin gjuhën, shpesh shumë të ashpër, shpesh me doza agresive, shpesh me shpifje e shantazhe, që nuk bëjnë gjë tjetër, veç i krijojnë një parajsë publike dhe një mjedis perfekt për frymëzimin e krimit dhe dhunës në shoqërinë shqiptare.
Si pjesë e një komisioni shumë të rëndësishëm parlamentar që drejtohet nga Opozita, grupi i deputetëve të Opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik u bën thirrje edhe disa analistëve politikë dhe me autoritet, të ndalin thirrjet e tyre publike për dhunë ndaj asaj që ata paracaktojnë me paragjykim si pjesë e madhe apo e vogël e opozitës shqiptare.
I bëjmë thirrje AMA-s të monitorojë me seriozitet të lartë rastet e shpeshta të kësaj natyre, në të cilat janë shfaqur ftesat publike për ndëshkim nga cilido shëtitës e bujtës i televizioneve shqiptare, si akte të një papërgjegjshmërie të lartë dhe nxitëse të përplasjeve në prag të fushatës së zgjedhjeve vendore.
Duke përsëritur qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetjen ndaj çdo gazetari dhe çdo medie shqiptare, ne nuk do të reshtim të kërkojmë nga shteti të përgjigjet dhe të veprojë në detyrimin e tij ndaj ligjit për sigurimin e jetës dhe mbarëvajtjes së punës së tyre se pushtetit të shenjë mediatik në Shqipëri.
Discussion about this post