Një adoleshent ukrainas, të cilin forcat ruse e kishin dërguar me zor në Moskë në vitin 2022, u ribashkua me familjen e tij. Atij iu plotësua dëshira e ditëlindjes që e kishte muajin e kaluar.
Bohdan Yermokhin u rrit si jetim në Mariupol, një qytet në rajonin e Donjeckut në Ukrainë, vend ky që u rrethua në javët e para të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndërsa forcat ruse morën kontrollin e qytetit, Yermokhin ishte në mesin e 20,000 fëmijëve për të cilët Ukraina thotë se janë dërguar jashtëligjshëm në Rusi prej fillimit të luftës.
Ai u mbajt në Rusi kundër dëshirës së tij derisa u lirua më 19 nëntor, ditën kur i mbushi 18 vjet, pas ndërhyrjes ukrainase dhe asaj ndërkombëtare.
Për largimin e tij nga vendlindja së bashku me 31 fëmijë të tjerë ukrainas, ai foli këtë muaj me Maryana Sych, nga shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë.
Nga shtëpia e tij e re në kryeqytetin ukrainas, ai foli për përpjekjet e Moskës për ta tërhequr atë në ushtrinë ruse për të luftuar kundër vendit të tij, si dhe për dëshirën e tij për të shpëtuar nga Rusia.
Më poshtë është një version i shkurtuar i intervistës së tij, pjesë e një serie që eksploron se si po shkon jeta e ukrainasve të shkatërruar nga lufta.
Radio Evropa e Lirë: Bohdan, tani jemi në qendër të Kievit. A keni qenë këtu më parë?
Bohdan Yermokhin: Jo, nuk kam qenë kurrë këtu. Por, këtu është shumë bukur.
Radio Evropa e Lirë: Rreth nesh shihni pajisje ruse të shkatërruara. Çfarë ndien, çfarë mendimesh ke kur shikon?
Bohdan Yermokhin: Ndiej ngrohtësi në shpirt. Ndiej se do të fitojmë së shpejti, se shpirti ynë nuk është i prishur dhe se jemi më të fortë se kushdo.
Radio Evropa e Lirë: Sa kohë keni qëndruar në Mariupol pas fillimit të luftës?
Bohdan Yermokhin: Rreth tre muaj.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodhi pastaj me ju?
Bohdan Yermokhin: Unë u dëbova në Rusi.
Radio Evropa e Lirë: A kishit mundësi të bënit zgjidhje, për të shkuar në Rusi?
Bohdan Yermokhin: Nuk na pyetën hollësisht. Nuk kishim dokumente; do të thotë nuk kishim zgjidhje reale. U përballëm me faktin: “Po largohesh”. Dhe kaq ishte. Ne u larguam me shpresën për më të mirën, me shpresën se ne – njerëzit inteligjentë – do të dilnim disi. Por, në secilin rast, ishte më e sigurt të largoheshe nga Mariupol. Ne nuk do të kishim mbijetuar në Mariupol për më shumë se një javë. Na kishte mbaruar ushqimi.
Radio Evropa e Lirë: Me sa kuptoj unë, në fillim ju dërguan në Donjeck [kryeqyteti i pushtuar i rajonit lindor të Ukrainës]. A mund të shpjegoni se si ndodhi që miqtë tuaj, shokët e klasës nga shkolla, të gjithë përfunduan në Donjeck në të njëjtin spital?
Bohdan Yermokhin: Ishte fati.
Radio Evropa e Lirë: Më pas ju dërguan në Rusi me autobusë dhe aeroplanë. Ju vendosën në një sanatorium, pjesë e një grupi prej 31 fëmijësh. A e dini se ku janë vajzat dhe djemtë e tjerë tani?
Bohdan Yermokhin: Në përgjithësi, po, ata janë të gjithë me familje [strehuese ruse]. Por shumica prej tyre – pasi ishim në Donjeck, pasi u transferuam, nuk i pashë më. Dhe, nuk dëgjova për ta.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju thanë për Ukrainën në Rusi, juve dhe fëmijëve të tjerë ukrainas?
Bohdan Yermokhin: Shumë gjëra: përfshirë atë që fëmijët ishin dorëzuar [nga Ukraina në Rusi]… Ka shumë histori propagandistike për këtë dhe shumë fëmijë edhe nga grupi im e besuan këtë, për fat të keq.
Radio Evropa e Lirë: A keni studiuar në Rusi?
Bohdan Yermokhin: Po, kam studiuar.
Radio Evropa e Lirë: Ku keni studiuar dhe për çka?
Bohdan Yermokhin: Në Shkollën Teknike Mozhaisk [në rajonin e Moskës] – për automekanik.
Radio Evropa e Lirë: E zgjodhët vetë atë profesion?
Bohdan Yermokhin: Ishte disi një zgjedhje.
Radio Evropa e Lirë: Si ju trajtuan nxënësit e tjerë?
Bohdan Yermokhin: Jo shumë keq. Por, duke qenë se nuk jam djalë i dobët, nuk më ofenduan hapur.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, si ju ofenduan?
Bohdan Yermokhin: Me faktin se më duhej të “gjunjëzohesha” – në fjalën e tyre – se duhet “të rrëzohesha”. Kjo është ajo që bëra, në thelb.
Radio Evropa e Lirë: Ju u vendosët në familjen kujdestare të Irina Rudnitska. Si u trajtuat nga kjo familje?
Bohdan Yermokhin: Nuk ishte aq keq në familje. Irina Rudnitska, kujdestarja ime, bëri aq sa mundi, edhe në fund, ajo donte që unë të mund të shkoja [në shtëpi]. Në parim, një person i mirë. Por, përsëri, ajo nuk do të shkonte kundër autoriteteve [ruse].
Radio Evropa e Lirë: Cilat ishin fjalët e fundit që ajo ju tha në aeroport?
Bohdan Yermokhin: Se ajo më do, si të birin e vet.
Radio Evropa e Lirë: Kur e kuptove se doje të largoheshe nga Rusia?
Bohdan Yermokhin: Sinqerisht, gjashtë muajt e parë u tërhoqa nga gjithçka. Unë u tërhoqa pas gjithçkaje që ndodhi në Mariupol. Nuk mund ta kuptoja se ku isha, kush isha. Por, kur u largova [nga Ukraina], kuptova se nuk isha në shtëpi. Unë nuk isha rehat.
Radio Evropa e Lirë: Pashë një video ku ju thatë se çdo ditë ishte një luftë me vetveten. A mund ta shpjegoni këtë luftë?
Bohdan Yermokhin: Fakti që të jesh në rrethin e armikut, patriotë të vendit të tyre, mund të të kthejë kundër vendit tënd. Ju e ndieni një luftë të brendshme.
Nga njëra anë, ju e kuptoni se duhet të flisni [në të mirë të situatës suaj]; dhe nga ana tjetër e kupton qe nuk mund të flasësh kështu. Ju keni një atdhe tjetër, dhe ata ju presin në shtëpi.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni shkruar një këngë për Mariupolin. Për çfarë bëhet fjalë në këngë?
Bohdan Yermokhin: Kënga flet për qytetin tim të lindjes, sa i bukur është, sa miqësorë janë të gjithë në të dhe për faktin se askush nuk do ta shohë kurrë ashtu siç ishte – vetëm në fotografi dhe kujtime.
Radio Evropa e Lirë: Cili është kujtimi juaj i fundit nga Mariupol?
Bohdan Yermokhin: Një qytet i rrënuar. Unë e quaj atë një qytet fantazmë, sepse shumë njerëz vdiqën atje. Unë jetoja në ndërtesën e vetme nëntëkatëshe në të gjithë zonën. Pashë të gjitha shpërthimet, të gjitha pajisjet ushtarake që lëviznin. Ishte më e frikshme sesa për ata që nuk i panë të gjitha këto.
Radio Evropa e Lirë: Ku u fshehe? Çfarë hëngre?
Bohdan Yermokhin: Të gjithë ishin në bodrum. Ata hëngrën gjithçka që mund të gjenin, gjithçka që kishin – furnizimet që kishin mbetur. Njerëzit nga ndërtesat fqinje kërkuan ujë dhe unë dhe shoku im vendosëm: Pse jo?
Ne shkuam për të marrë ujë për veten tonë, kështu që pse të mos u sillnim njerëzve gjatë rrugës? Na dhanë shishe – i mbushëm dhe i dorëzuam.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë keni parë në Mariupol?
Bohdan Yermokhin: Pashë shpërthime. Çdo e dyta shtëpi u shkatërrua – në gjysmë ose plotësisht. Në çdo oborr kishte 30 persona të vdekur. Ata u varrosën atje, në oborre.
Radio Evropa e Lirë: Më trego për vajzën në Mariupol të cilën e ke mbajtur në krahë.
Bohdan Yermokhin: Sinqerisht, është një histori e vështirë. Mund të them vetëm se e pashë kur ajo bërtiti: “Ndihmë!” [kur ajo] pa nënën e saj të vdekur aty pranë. E mbajta në krahë me shpresën se mund të bëja diçka. Por, kuptova që nuk do të mund të bëja asgjë. U përpoqa disi t’i tregoja me një buzëqeshje se gjithçka do të ishte mirë. Por, asgjë e mirë nuk ndodhi.
Radio Evropa e Lirë: A mbani mend ndonjë gjë nga prindërit tuaj të vërtetë?
Bohdan Yermokhin: Nuk ka shumë për të thënë për prindërit e mi të vërtetë. Vetëm emrat. Ata ishin me mua deri në moshën 6-vjeçare. Momente të tilla u shuan shumë shpejt nga kujtesa.
Radio Evropa e Lirë: Kush ishte kujdestari juaj në fillim të luftës?
Bohdan Yermokhin: Drejtori i shkollës sime. Ai u largua, mori të gjitha dokumentet e mia me vete dhe liroi veten nga çdo përgjegjësi. Unë mendoj se kjo ishte gabim.
Radio Evropa e Lirë: Ju njoftuan, drejtori apo punonjësit e shkollës, kur filloi lufta?
Bohdan Yermokhin: Jo, të gjithë na kanë braktisur. Ne u transferuam në një vend tjetër [në Donjeck] ku ata thanë se do të vinte ndihma.
Radio Evropa e Lirë: Ju ende nuk e dini se ku është ky drejtor tani?
Bohdan Yermokhin: Jo. Unë e di vetëm se ai hoqi dorë nga përgjegjësia e tij.
Radio Evropa e Lirë: Si ndiheni për këtë person?
Bohdan Yermokhin: Kam zemërim ndaj tij, por ne të gjithë jemi njerëz. Ndoshta ai kishte frikë nga lufta dhe iku… Ai të paktën mund të na kishte dhënë dokumentet tona, sepse pa dokumente nuk mund të kthehesha në territorin e mbajtur nga Ukraina. Unë pata një mundësi të tillë. Ka pasur autobusë nga Mariupol për në Zaporizhja- territorin e kontrolluar nga Ukraina. Por vetëm me dokumente.
Radio Evropa e Lirë: Si reaguan Irina Rudnitska dhe Maria Lvova-Belova (komisionerja presidenciale e Rusisë për të drejtat e fëmijëve, për të cilën Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti në lidhje me rolin e saj në dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas) ndaj përpjekjeve tuaja për t’u arratisur dhe ndaj dëshirës tuaj për t’u kthyer në shtëpi?
Bohdan Yermokhin: Rudnitska, ajo u soll normalisht, me mirëkuptim. Lvova-Belov – ishte shumë e zemëruar.
Radio Evropa e Lirë: Lvova-Belova ka thënë në disa raste se ju dhe ajo keni pasur një marrëdhënie mjaft të ngushtë. A keni folur vërtet me të dhe për çfarë keni folur?
Bohdan Yermokhin: U pamë disa herë dhe folëm. Në përgjithësi, nuk kishte diçka të tillë [si marrëdhënie].
Radio Evropa e Lirë: A është e vërtetë që keni qenë miq me Pylyp Holovnya (një djalë i dëbuar nga Mariupol) i cili u birësua nga Lvova-Belova?
Bohdan Yermokhin: Po, ai dhe unë ishim miqtë më të mirë.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, kur e keni takuar?
Bohdan Yermokhin: Kur studiova në Mariupol, në shkollën me numër 65, në klasën e nëntë. Ishte në klasën e tetë. Aty u bëmë miq… Dhe pastaj u takuam përsëri në Donjeck.
Radio Evropa e Lirë: Si është ai tani?
Bohdan Yermokhin: Nuk mund ta them. Do ta lëndonte shumë.
Radio Evropa e Lirë: Ju i keni kushtuar Ukrainës shumë nga postimet tuaja në mediat sociale, keni shkruar se ju ka marrë malli për Ukrainën. A nuk ishte e frikshme për ju të shkruanit gjëra të tilla kur ishit në Rusi?
Bohdan Yermokhin: Nuk ishte aspak e frikshme. Çfarë do të bënin ata? Në çdo rast, ata nuk do të ndryshonin mendimin tim në asnjë mënyrë.
Radio Evropa e Lirë: Jeni kërcënuar pas këtyre postimeve?
Bohdan Yermokhin: Ka pasur raste – nga përfaqësues të autoriteteve, përfaqësues të ligjit dhe gjithashtu civilë. Ata janë të gjithë patriotë të verbër.
Radio Evropa e Lirë: Ju i keni kushtuar një këngë mbrojtësve të Ukrainës. E di që ishte shumë e rëndësishme për ty që ata të dinin se e ke shkruar për ta. Pse?
Bohdan Yermokhin: Që të besojnë në veten e tyre, në fitore. Se derisa pozicioni i tyre është mjaft i vështirë, njerëzit ende besojnë tek ata. Dhe, kështu ata nuk pushojnë së besuari te fitorja, ndaj ka motivim, që të mos humbasin zemrën. Vetëm nëse nuk humbasim zemrën do të mund të fitojmë.
Radio Evropa e Lirë: Ju ofruan strehim në Rusi. Çfarë lloj strehimi ishte dhe pse e refuzuat?
Bohdan Yermokhin: Ishte një apartament. Unë refuzova sepse paratë nuk mund të blejnë ukrainas. Ne nuk jemi të tillë.
Radio Evropa e Lirë: Pasi u dërguat më pas nga Rusia në Bjellorusi, si ishte të ktheheshit në Ukrainë?
Bohdan Yermokhin: Ditën e parë kuptova se ku isha, si isha. Shpirti më gëzohej çdo sekondë dhe kisha një buzëqeshje në fytyrë. Ishte shumë e këndshme. Çfarë mund të prisja për ditëlindjen time të tetëmbëdhjetë? Definitivisht jo këtë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndiet kur patë Valerinë, motrën tuaj e cila erdhi të ju marrë?
Bohdan Yermokhin: Ndjeva lumturi, ngrohtësi, për faktin se një person i dashur ishte afër.
Radio Evropa e Lirë: Kur kaluat kufirin nga Bjellorusia në Ukrainë, çfarë emocionesh kishit?
Bohdan Yermokhin: Gëzim. Ata më dorëzuan menjëherë flamurin ukrainas dhe unë, duke e përqafuar, vazhdova përpara. Atëherë e kuptova se të gjitha përpjekjet e mia, gjithçka, kishin mbaruar. Por, kuptova gjithashtu që nuk ishte fundi. Ka shumë fëmijë që kanë nevojë edhe për mbështetjen tonë. Dhe, ne nuk duhet t’i harrojmë as ata.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë keni ndër mend të bëni tani?
Bohdan Yermokhin: Do të hapim një fond bamirësie me miqtë për të ndihmuar në kthimin e fëmijëve tanë. Unë besoj se askush në vendin tonë, absolutisht askush, nuk e di 100 për qind se si ndihet një fëmijë [ukrainas] atje [në Rusi], ose çfarë duhet bërë.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, si ndihen fëmijët ukrainas atje?
Bohdan Yermokhin: Ata ndihen të braktisur. Çdo fëmijë ndihet i braktisur… Pse, nëse e dimë se një fëmijë dëshiron të shkojë në shtëpi, nuk bëjmë asgjë?
Vetëm pas apelit tim drejtuar [presidentit ukrainas, Volodymyr] Zelenskiy, vetëm pas apelit tim në zyrën e [Komisionerit parlamentar ukrainas për të Drejtat e Njeriut Dmytro] Lubinets, të gjithë e kuptuan vërtet se doja të shkoja në shtëpi, edhe pse këtë e kisha deklaruar më herët.
Ne thjesht heshtim dhe presim derisa fëmijët të na urrejnë. Dhe, ne nuk duhet ta bëjmë këtë.
Radio Evropa e Lirë: A njihni shumë fëmijë ukrainas që u dërguan në Rusi?
Bohdan Yermokhin: Unë njoh shumë fëmijë dhe e di që shumë prej tyre duan të shkojnë në shtëpi. Por, përsëri, ne heshtim, nuk bëjmë asgjë. Ndoshta ne bëjmë diçka, por ne e bëjmë atë në prapaskenë – dhe ata as që dinë për këtë. Ata ndihen të braktisur. Ata ndihen të bllokuar atje dhe të braktisur nga atdheu i tyre. Është një ndjenjë shumë e tmerrshme.
Ne kemi një problem të madh që personat që nuk e njohin personalisht fëmijën, nuk mund ta marrin kujdestarinë. Dhe, ka shumë fëmijë që nuk kanë fare të afërm. Dhe, ne nuk mund t’i kthejmë ata në asnjë mënyrë. Shumica e fëmijëve atje janë në jetimore dhe nuk mund të bëjmë asgjë për këtë. Është shumë më e lehtë t’i ktheni fëmijët tek të afërmit.
Radio Evropa e Lirë: Në Rusi ju thirrën për t’u bashkuar me ushtrinë ruse. Tani ju jeni në Ukrainë, jeni 18 vjeç – tani ka një mundësi për t’u bashkuar me ushtrinë ukrainase. A jeni gati për këtë?
Bohdan Yermokhin: Ka një mundësi të tillë, por unë jam duke studiuar. Unë nuk kam frikë [të bashkohem me ushtrinë]. Por, nëse e bëj, do të jetë vetëm me vullnetin tim të lirë.
Radio Evropa e Lirë: Pas kthimit në Ukrainë, ju keni bërë një këngë të quajtur mëmëdheu. Për çfarë bëhet fjalë?
Bohdan Yermokhin: Për Mariupolin, në përgjithësi si u largova nga qyteti. Për Ukrainën, që pavarësisht se ku jam, nuk do ta harroj. Përveç në Ukrainë, nuk dua të jem askund tjetër.
Discussion about this post