Partizani i këtij sezoni synon që të përsëritë suksesin e vitit të kaluar, teksa fitoi titullin kampion. Boshti i skuadrës në këtë edicion është përqendruar shumë te loja e futbollistëve afrikanë, me 5 të tillë që janë pjesë e ekipit.
“Sport News” në “News 24” ka intervistuar pikërisht 5 futbollistët afrikanë të të kuqve, të cilët kanë treguar jetën e tyre të përditshme në vendin tonë, por edhe ambiciet që kanë. Në një bashkëbisedim me moderatoren Trevisa Tufa, ata kanë zbuluar disa nga sekretet e klubit të kuq.
Si po shkon jetesa në Tiranë? A ka qenë e lehtë të ambientoheni këtu?
Archange Bintsouka: Jeta këtu në Tiranë është shumë e bukur. Jam I lumtur që jetoj këtu. Nuk e kam parë shumë sepse pak kohë kam që jetoj këtu, por gjithçka duket në rregull.
Maguette Gueye: Tirana është një qytet i bukur. Në fillim e kisha të vështirë të ambientohesha, por tani jam I kënaqur që jetoj këtu.
Christian Mba: Në fakt kjo nuk është hera ime e parë që jetoj larg vendit tim. Kudo që kam shkuar jam ambientuar shumë shpejt. Edhe në Tiranë është njësoj.
Alfred Mensah: Po ka qenë e thjeshtë të përshtatem. Kur erdha në Tiranë isha i lumtur, sepse kam qëndruar në Korçë thuajse për 5 vjet. Atje ishte një vend I vogël, ndërsa Tirana është kryeqyteti. Kisha shumë dëshirë të jetoja në këtë vend.
Saliou Sembene: Viti i parë nuk ishte i thjeshtë. Ishte e vështirë të përshtatesha me njerëzit për shkak të gjuhës, sepse në vendin tim flitet frëngjisht. Megjithatë, tani çdo gjë është shumë mirë.
Çfarë ju pëlqen më shumë nga Tirana apo Shqipëria në përgjithësi?
Archange Bintsouka: Më pëlqen mënyra e jetesës në Tiranë. Dhe e rëndësishme për mua është që ndihem mirë në këtë vend.
Maguette Gueye: Më pëlqen gjithçka në Shqipëri. Tirana, ushqimi, njerëzit. Dua t’ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë.
Christian Mba: Ju flisni shumë për bukurinë që ka jugu i Shqipërisë. Dua ta vizitoj sa më shpejt. Ndërsa Tirana më pëlqen shumë si qytet.
Alfred Mensah: Më pëlqejnë shumë gjëra. Jeta në Tiranë është e bukur. Vajzat janë të bukura këtu në Shqipëri.
Saliou Sembene: Mua më pëlqen shumë qyteti I Tiranës në përgjithësi.
Si ju kanë pritur te Partizani, tifozët, drejtuesit apo lojtarët e tjerë, kur erdhët në fillim?
Archange Bintsouka: Jam pritur shumë mirë nga drejtuesit, stafi teknik dhe tifozët.
Maguette Gueye: Te Partizani më kanë pritur shumë mirë. Klubi ka bërë gjithçka për ne. Lojtarët, por edhe drejtuesit.
Christian Mba: Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. U mirëprita shumë mirë dhe isha mjaft I lumtur. Gjërat po shkojnë shumë mirë.
Alfred Mensah: Të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Shumica e lojtarëve më njihnin ,sepse kam luajtur me Skënderbeun. Kur erdha këtu isha i lumtur.
Saliou Sembene: Më kanë pritur shumë mirë. Të gjithë na kanë trajtuar shumë mirë. Presidenti apo dhe drejtori Rama janë kujdesur sikur të jemi fëmijët e tyre.
Ish-lojtari I Partizanit, Matondo, me të cilin ju keni luajtur, është shprehur në një intervistë se te Partizani drejtuesit janë racist, sillen keq me lojtarët afrikan. Si qëndron e vërteta? Keni patur probleme të tilla?
Archange Bintsouka: Ai është mendimi i Massangës, por jo i joni. Ky është viti im i parë te Partizani, por nuk kam patur problem me asnjë person deri më tani.
Maguette Gueye: Që nga dita e parë që kam ardhur te Partizani, asnjëherë nuk jam trajtuar në mënyrë të tillë. Gjithçka ka qenë normale. Na kanë krijuar kushtet e duhura. E vetmja gjë që duhet të them, është të falënderoj klubin. Nuk mendoj se është e vërtetë ajo që ka shprehur Matondo për drejtuesit, sepse unë jam pjesë e këtij klubi prej 3 vitesh dhe asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e tillë.
Christian Mba: Gjithsecili ka mendimin e tij për mënyrën sesi është trajtuar apo se si është ndjerë. Nuk mund të them nëse ajo që ai ka thënë është e vërtetë apo jo. Por unë mund të flas për veten time. Unë dhe drejtuesit kemi një marrëdhënie të mirë. E kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin dhe kaq më mjafton.
Alfred Mensah: Për mua nuk është e drejtë të flas për deklaratën e Matondos. Ndoshta ai ka patur probleme me klubin, por unë nuk kam patur kurrë probleme. Gjithnjë kanë qenë korrekt me mua.
Saliou Sembene: Jo asnjëherë. Pak kohë më parë unë theva krahun dhe më duhej të operohesha. Klubi më ndihmoi shumë dhe bëri gjithçka që unë të isha përsëri në fushë shumë shpejt. Do I thosha Presidentit faleminderit për gjithçka që ka bërë për mua. Mendoj se disa gjëra që ka thënë Masanga nuk janë të vërteta. Çdo herë që kemi pushime klubi na blen bileta për të shkuar në shtëpi. Është e vështirë që në Shqipëri një klub të bëjë këtë. Dhe kur e pashë atë intervistë u ndjeva keq.
Flasim pak për sezonin e ri. Si po shkojnë përgatitjet? Si ju duket trajneri Zekiç?
Archange Bintsouka: Po punojmë shumë në stërvitje, për të bërë më të mirën në ndeshje. Trajneri është shumë i mirë, shumë i sjellshëm. Ai është i lumtur me të gjithë ne.
Maguette Gueye: Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Bëmë një paraqitje pozitive në Europë, por nuk ja dolëm dot të kualifikoheshim. Duhet të bëjmë maksimumin tani për të fituar SuperKupën dhe kampionatin. Ndërsa Zekiç është trajner shumë i mirë, ka karakter të fortë.
Christian Mba: Ne kemi bërë mirë këto muajt e fundit. Ai ka bërë një punë e mrekullueshme me skuadrën. Kam një marrëdhënie të mirë me të.
Alfred Mensah: Mua më pëlqen trajneri Zekiç, edhe ai më pëlqen mua. Ndërsa sa i përket përgatitjeve, po ecin mirë. Synimi është të fitojmë titullin kampion përsëri.
Saliou Sembene: Trajneri Zekiç më dha mundësinë të luaja sërish, të isha sërish titullar kundër Bate Borisov. Është një trajneri i mirë. Nëse ti punon shumë në stërvitje dhe e meriton të luash, atëherë do të jesh në fushë.
Sot kam mundësinë të intervistoj lojtarë nga të tre repartet e lojës. Cili nga ju mendon se ka punë më të vështirë? Të mbrosh portën? Të shënosh gol? Apo të organizosh lojën në mesfushë?
Archange Bintsouka: Mendoj që mbrojtja ka një punë të vështirë.
Maguette Gueye: Punën më të vështirë e ka mbrojtja, sepse duhet të mbrosh skuadrën që të mos pësojë gol. Ndërsa sulmuesi duhet të përpiqet të shënojë.
Christian Mba: Unë mendoj që më e vështirë është të shënosh gol. Kur shënon ekipi fiton dhe prandaj mendoj që të dërgosh topin në rrjetë është më e komplikuar.
Alfred Mensah: Unë mendoj se të gjithë lojtarët në fushë kanë role të rëndësishme. Nëse sulmuesit nuk shënojnë, është problem. Nëse mesfushorët nuk luajnë mirë, përsëri është problem. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtjen apo portierin. Pra të gjithë janë të rëndësishëm dhe kanë një punë të vështirë.
Saliou Sembene: Mendoj që të organizosh lojën në mesfushë është më e vështirë.
Bintsouka, fituat besimin e trajnerit shumë shpejt. Madje keni shënuar 3 gola me Partizanin. Duket si një fillim shumë i mirë?
Jam shumë i kënaqur për këtë fillim sezoni. Shpresoj të mos ndaloj së shënuari gola. Por më duhet të punoj shumë për këtë.
Maguette, jeni titullar fiks tashmë. Ndryshe nga sezoni kaluar. Çfarë ka ndryshuar këtë vit?
Çdo trajner ka mënyrën e tij të të luajturit, pra moduli është ndryshe. Zekiç më ka besuar mua. Në çdo stërvitje më thotë të punoj më shumë dhe shpresoj që të vazhdoj të luaj dhe të bëj paraqitje të mira.
Mba, është më e vështirë tani për një vend titullari? Duke parë konkurrencën në fazën sulmuese…
Padiskutim që është më e vështirë, por ky është një kompeticion dhe nëse je futbollist profesionist duhet të jesh gati gjithnjë. Të gjithë luftojnë për të qenë titullar, por në fund luan kush e meriton.
Mensah kur do të mund t’ju shohim në fushë? Pate një mungesë të gjatë…
Po është e vërtetë fatkeqësisht. Megjithatë shpresoj që javën tjetër do të rikthehem në fushën e blertë.
Sembene, sapo rifituat vendin në formacion, u dëmtuat. Fat I keq? Apo gjithçka ndodh në futboll?
Mendoj që është thjesht fat i keq
A është “Këpuca e Artë” synimi juaj? Kush do ta fitojë këtë sezon?
Archange Bintsouka: Nuk e di se kush mund ta fitojë këtë sezon “Këpucën e Artë”, sepse si gjithnjë është një surprizë. Por shpresoj që të mund ta fitoj unë.
Christian Mba: Padiskutim, por e rëndësishme është të fitojmë përsëri titullin kampion.
Alfred Mensah: Nuk e di se kush mund ta fitojë, por ndoshta Duamena i Egnatias. Megjithatë le t’ia lemë kohës sepse gjithçka mund të ndodhë. Ndoshta edhe Mba mund të jetë golashënuesi i kampionatit.
Çfarë do të thotë derbi për ju? Çfarë emocionesh ju përcjell? Edhe pse ti Bintsouka ende nuk e ke përjetuar?
Archange Bintsouka: Është emocion i madh të luash në derbi ndaj Tiranës. Ata kanë një ekip të mirë. Ndërsa eksperienca ime në derbi do të vijë shumë shpejt.
Maguette Gueye: Është një ndeshje e madhe për kampionatin shqiptar. Është një atmosferë e bukur në stadium dhe ti duhet të japësh maksimumin për të fituar ndeshjen. Mendoj që do vazhdojmë të fitojmë në derbi.
Christian Mba: Unë e shoh derbin si ndeshja e radhës ndaj Laçit. Mbase të tjerë e shohin si ndeshje vendimtare, sepse ka shumë njerëz në stadium, por unë nuk e shoh ashtu. Duhet të hyjmë në fushë dhe të fitojmë, njësoj si në çdo sfidë tjetër.
Alfred Mensah: Të gjithë duan të luajnë një ndeshje derbi. Kur isha në Korçë dhe shikoja derbit gjithnjë shpresoja që një ditë të luaja këtë ndeshje. Sepse më pëlqen shumë atmosfera e krijuar nga tifozët.
Saliou Sembene: Ne fituam derbi sezonin e kaluar. Dhe do të fitojmë përsëri këtë sezon, kjo ka rëndësi
Kush janë objektivat që keni këtë sezon?
Archange Bintsouka: Si fillim synimi im është që të jem mes golashënuesve më të mirë në kampionat.
Christian Mba: Synimi im është të fitojmë përsëri titullin kampion dhe të bëj më të mirën time për skuadrën.
Alfred Mensah: Këtë sezon shpresoj të shënoj 10 gola.
Saliou Sembene: Shpresoj të fitojmë kampionatin, Super Kupën dhe në fund të shkojmë në grupe në Europë.
Keni ndonjë nofkë që ju thërrasin?
Archange Bintsouka: Jo.
Maguette Gueye: Jo.
Christian Mba: Jo, por ndonjëherë ju më thërrisni Mba-ja. Nuk e kuptoj se pse. (qesh)
Alfred Mensah: Në Shqipëri jo, por në Ganë më thërrasin Mandzukiç sepse është lojtari im I preferuar.
Saliou Sembene: Jo.
Ushqimi i preferuar në Shqipëri?
Archange Bintsouka: Fasule.
Maguette Gueye: Pasta.
Christian Mba: Nuk kam një ushqim shqiptar të preferuar. Më pëlqen më shumë ushqimi afrikan.
Alfred Mensah: Pilaf me pulë dhe biftek.
Saliou Sembene: Makaronat dhe pula.
Jeni zënë ndonjëherë me njëri-tjetrin?
Archange Bintsouka: Jo.
Maguette Gueye: Jo.
Christian Mba: Jo, asnjëherë.
Alfred Mensah: Jo asnjëherë. Ne afrikanët e shohim njëri-tjetrin si vëllezër. Gjithnjë na sheh duke qëndruar bashkë dhe nuk zihemi.
Saliou Sembene: Jo, jemi të gjithë shokë.
Archange Bintsouka: Jo, jo… Maget.
Maguette Gueye: Bintsuka.
Christian Mba: Mendoj që unë nervozohem më shpejt.
Alfred Mensah: Ndoshta unë dhe Mba.
Saliou Sembene: Unë.
Fjala e parë që keni mësuar në shqip?
Archange Bintsouka: Të dua dhe mirëmëngjes.
Maguette Gueye: Mirëmëngjes dhe të dua.
Christian Mba: Si je…
Alfred Mensah: Mëngjes dhe Si je?
Saliou Sembene: Përshëndetje, ça bone? Si jeni?
Lojtari më i vështirë që jeni përballur në Superiore?
Archange Bintsouka: Ky është viti im i parë në Superiore dhe deri më tani nuk jam përballur me një lojtar të tillë.
Maguette Gueye: Krymi.
Christian Mba: Nuk dua të them lojtar nga skuadra ime sepse nuk shkon, por lojtari më i fortë që jam përballur është Behiratche i Dinamos.
Alfred Mensah: Nuk dua të përmend një emër, por mbrojtësit në përgjithësi.
Saliou Sembene: Hasani and Seferi.
E ardhmja juaj si do të jetë?
Archange Bintsouka: Shpresoj që e ardhmja të jetë e mirë për mua. Por si fillim, duhet të përqendrohemi për të fituar kampionatin.
Maguette Gueye: Nuk mendoj për të ardhmen. Mjafton të mos kem probleme dhe të luaj mirë.
Christian Mba: Të luaj në një ligë më të mirë. Ndoshta me Çelsin në Premier Ligë. (qesh)
Alfred Mensah: Shpresoj që në të ardhmen të luajë në një ligë më të fortë. Nuk ka rëndësi se ku, mjafton që të jetë më e mira për mua.
Saliou Sembene: Tani duhet të fokusohem te Partizani, të fitojmë kampionatin. Më pas nuk e di.
Çfarë e konsideroni Partizanin?
Archange Bintsouka: Partizani do të thotë gjithçka për mua.
Maguette Gueye: Partizani ishte ekipi i parë që më dha mundësinë të nënshkruaj një kontratë profesionale. Nuk di si t’ia shpërblej klubit sepse gjithçka që unë kam sot, është nga kjo skuadër.
Christian Mba: Për mua është shumë i rëndësishëm. Do të bëj më të mirën që të ndihmoj skuadrën të qëndrojë në nivele të larta.
Alfred Mensah: Përpara se të vija këtu, shpresoja që të luaja për Partizanin. E dua shumë Partizanin.
Saliou Sembene: Partizani më ka bërë kontratën e parë profesionale. Më dhanë mundësinë të jem i njohur, sepse më përpara askush nuk më njihte. I jam falenderues për këtë mundësi.
Marrëdhënia me tifozët si është?
Archange Bintsouka: Kam marrëdhënie të mire me tifozët.
Maguette Gueye: Kam një marrëdhënie të mirë si të gjithë lojtarët e tjerë.
Christian Mba: Marrëdhënia me tifozët është e mrekullueshme. Ata na përkrahin gjithmonë, në ditë të mira dhe të vështira. Ata janë më të mirët.
Alfred Mensah: Kam marrëdhënie të mirë me tifozët, nuk kam patur probleme. Por nëse ti luan mirë të thonë gjithnjë bravo, nëse nuk luan keq ka momente që mund të thonë ndonjë fjalë të keqe. Megjithatë është normale dhe unë i dua tifozët.
Saliou Sembene: Ndonjëherë e mirë, ndonjëherë e keqe. Ato duan që gjithnjë të jesh në 100% tënd, por jo gjithnjë mund të jesh në kushte të tilla.
Discussion about this post