Autoriteti Rrugor shqiptar vazhdon të derdhë miliona lekë në rrugën Kardhiq-Delvinë, të cilën e “inauguroi” Rama në 2 korrik 2022. Në çdo kontratë nga 20% shtesë! Ndërkaq, aksi Kardhiq-Delvinë, punimet për të cilin vazhdojnë prej 14 vitesh, ka marrë në fshehtësi një fond të ri. Me datë 29 qershor të këtij viti Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë disa ndryshime në kontratën për “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë, Loti 8” (Sinjalistikë dhe Siguri rrugore nga loti 1 deri në lotin 6). Këto ndryshime e kanë çuar vlerën totale të kontratës për këtë qëllim në 267.2 mln lekë, nga 220 mln lekë, që ishte më herët. Pra një shtesë me 47 milionë lekë të reja. Gjithashtu është shtyrë me një muaj kohë afati i punimeve. Edhe pse në korrik të këtij viti kjo rrugë u hap për turistët, punimet vazhdojnë dhe lekët shkojnë lumë çdo vit.
Në dokumentin e publikuar, ARRSH argumenton se “modifikimi i kontratës është bërë për shkak të rishikimit të projekt-preventivit si pasojë e ndryshimeve të konstatuara gjatë zbatimit të kontratave të ndërtimit e më konkretisht spostimi i Konstruksionit Metalik Portal dhe rishikimi i pozicionit dhe tipit të Guardrail H2Ë4, në kuadër të përmirësimit të projektit”.
Por, ky argument është bërë tashmë “bajat”, pasi çdo kontratë për këtë aks ka pësuar më pas ndryshime që kushtojnë. Kështu, të dhënat tregojnë se, vetëm si pasojë e shtesave të kontratave kostoja e rrugës Kardhiq-Delvinë është rritur të paktën me 20 milionë euro. Këtu nuk janë përfshirë mangësitë në projekt që mund të kishte lënë qeveria paraardhëse, që gjithashtu kanë “gllabëruar” fond shtesë.
Ja si fshihen kontratat qindra milionëshe!
Kontratat më të mëdha të rrugës Kardhiq-Delvinë janë prokuruar në verën e vitit 2018, ku në krye të ARRSH-së ishte Sonila Qato. Kjo e fundit është thirrur ditën e sotme në SPAK, ku është marrë në pyetje për pabarazinë e tenderëve për projektin Kardhiq-Delvinë. Qato u paraqit në prokurori lidhur me një kallëzim të KLSH-së për shkelje të barazisë në tenderë. Me kallëzimin nga ana e KLSH-së, më 30 janar të vitit 2020 u denoncuan edhe zyrtarë të tjerë. KLSH ka gjetur shkelje për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, si manipulim i fondeve, tenderë në shkelje të ligjit me fitues të paracaktuar, apo me “negocim”.
Kujtojmë se, pak muaj më parë Qato kundërshtoi zgjatjen e afatit të hetimit në lidhje me këtë çështje, por kërkesa e saj nuk u pranua. Shpresojmë që këtë herë Qato të mbajë përgjegjësi për miliona euro që janë derdhur për këtë aks rrugor, sidomos në vitet 2018-2019. Shpresojmë që këtë fat të ketë edhe pasardhësi i saj Ervis Berberi, si dhe ministrja e tyre, Belinda Balluku.
Ajo që bie në sy është se, kontrata e sipërpërmendur me shtesën 47 milionë lekë ishte nënshkruar në fund të qershorit, por nuk është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Në kundërshtim me ligjin kjo kontratë është nënshkruar në fshehtësi. Ndërsa është bërë publike vetëm ditën e sotme, pak orë pasi Qato u thirr në SPAK. Duket se tek ARRSH kanë filluar të kenë frikë nga hetimet!
20% shtesë për secilin nga 7 tenderët
Në fakt, instrumenti i shtesës së kontratës është parashikuar në ligj për raste të veçanta, kur në realizimin e një kontrate prokurimi dalin të papritura. Ndërsa për rrugën e Kardhiqit, të gjitha tenderët e hapur nga ARRSH shoqërohen më pas me shtesë.
Që nga viti 2007 kur nisën punimet e para, për projektin Kardhiq-Delvinë janë hapur 7 tenderë dhe secili prej tyre ka marrë shtesë kontrate në masën 20 për qind për çdo lot. Shtesat e kontratës bëhen pa garë, me negocim mes qeveritarit dhe kontraktorit privat. Buxheti i jep kompanisë private 20 për qind para shtesë mbi fondin me të cilin ajo ka fituar tenderin. Të 7-të tenderët e projektit kanë në dosje të papritura gjatë realizimit të punimeve dhe menjëherë iu jepet shtesa.
Rruga që ha buxhetin e shtetit dhe nuk mbaron
Sikur përmendëm më lart punimet për rrugën Kardhiq-Delvinë kanë filluar 14 vjet më parë dhe qeveria ka njoftuar si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022, por në buxhetin afatmesëm ky aks do të financohet deri në vitin 2024. Ndërsa projekti zgjatet në kohë edhe shpenzimet për të rriten, duke marrë vlerë të ekzagjeruar në raport më shifrën të cilën u prezantua në fillim. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, në buxhetin afatmesëm kosto fillestare e lotëve që po kryhen punime ishte 5.2 miliardë lekë, por me financimet shtesë kostot janë rritur edhe me 29 për qind, duke shkuar në 6.7 miliardë lekë.
Ndërkohë, nga dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve, vetëm për lotin 8 të shpërmendur janë shpallur 3 tendera. Ku njëri prej tyre me objekt “Sinjalistikë dhe Siguri rrugore” dhe fond limit 23.6 milionë euro u rrëzua nga KPP, pasi ishte hartuar në shkelje të ligjit. Tenderi tjetër po në lotin 8 kap shifrat 88 milionë lekë dhe ishte sërish për sistemimin e pjesëve anësore të rrugës.
Gjithashtu, KPP i ka rrëzua ARRSH-së edhe tenderin për lotin 6 të ndërtimeve në këtë aks rrugor dhe kërkoi rivlerësimin e operatorëve, si dhe kujdesin me fondin limit. Sipas të dhënave, ky tender kushtoi 24 milionë lekë, të cilin ARRSH e hodhi në garë sërish disa muaj më vonë.
Në vitin 2018 qeveria ka hapur një tender me vlerë 20 milionë lekë me objekt; rishikimi i projekt zbatimit të lotit 7 (tuneli) në aksin rrugor Kardhiq – Delvinë. Ndërsa vlen të përmendet se e gjithë rruga Kardhiq-Delvinë deri në vitin 2020 iu ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë plot 60 milionë euro.
Në Prill 2021, ARRSH ka dhënë pa garë 400 milionë lekë për ndërtime në lotin 5 të rrugës Kardhiq -Delvinë. Edhe pse ka kaluar 1 vit, asnjë masë nuk është marrë për këtë shkelje të prokurimit, ndërsa paratë iu xhiruan kompanisë “ALB-STAR”. Ndërkohë, kjo vlerë do të rritet, për aq kohë sa janë ende pa u nisur punimet në 3 lote të tjera. Të gjitha këto kontrata kanë marrë shtesë 20 për qind/ Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post