Problemet me zgjedhjet, korrupsioni, pronat dhe legalizimi i kanabisit janë disa nga problematikat që Komisioni Europian ka përfshirë në raportin ‘screening’ për Shqipërinë, një vit pas hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet
Raporti i publikuar në faqen zyrtare të Komisionit, evidenton gjithashtu problemet e ngritura për blerjen e votave, pretendimet për presion ndaj votuesve, veccanërisht administratës shtetërore, keqpërdorimin e burimeve të administratës etj.
Komisioni Europian kërkon depolitizimin e komisioneve zgjedhore, si dhe garantimin e votës për emigrantët.
“Sigurimi i depolitizimit të komisioneve zgjedhore edhe atyre të nivelit më të ulët. Sigurimi i votimit të shtetasve që jetojne jashtë vendit.
Mbetet për t’u adresuar rekomandimi nga ODIHR për zbulimin e të ardhurave nga fushata dhe shpenzimet e partive politike.
Financimi i partive, ka bërë hapa para por mbetet ende shumë për tu përmirësuar. Rishikimi i kornizës legjislative për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore ishte një hap drejt transparencës më të madhe dhe mbikëqyrjes më efektive, por ekzistojnë mangësi në lidhje me rregulloret dhe kufizimet për donacionet dhe shpenzimet të cilat duhet të shtrihen për palët e treta.
Garuesve duhet t’u kërkohet të zbulojnë më parë të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës së tyre; Kapacitetet e KQZ-së për të siguruar monitorimin e duhur të financave të partive mbeten për t’u konsoliduar për të kontribuuar në një kontroll më të madh, duke përfshirë një regjim auditimi më rigoroz”, thekson raporti.
Korrupsioni
Korrupsioni konsiderohet si një problem serioz, i përhapur në të gjitha degët e pushtetit si lokal ashtu dhe qendror. Në lidhje zyrtarët e lartë të dënuar për korrupsion, thuhet se deri më tani nuk ka asnjë të dënuar për akte korruptive të klasifikuara si krim të rëndë. Raporti thekson se duhet të rriten dënimet përfundimtare për zyrtarët e nivelit të lartë.
“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz pasi është i përhapur në shumicën e fushave të jetës e biznesit, duke përfshirë të gjitha degët e pushtetit qendror dhe vendor si dhe institucionet.
Në përgjithësi, masat kundër korrupsionit vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht vulnerabël si (infrastruktura publike, kadastra dhe të drejtat pronësore, doganat, taksat, administrate publike, arsimi, shëndetësia, prokurimet publike, kontratat PPP, etj.).
Ka patur disa dënime përfundimtare për akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë megjithatë deri më tani asnjë dënim nuk i referohet akteve të korrupsionit të klasifikuara si krim i rëndë.
Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë duhet të mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Sekuestrimi dhe konfiskimi/rikthyerja e aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin është ende mjaft i kufizuar”, shprehet Komisioni.
Legalizimi i kanabisit
Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit për sesionin parlamentar që u mbyll, para pushimeve, miratoi nismën e Qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
Por Komisioni Europian ngreh shqetësimin se mund të abuzohet me sasinë e kultivuar.
Shqipëria duhet të krijojë një Observator Kombëtar të Barnave dhe të forcojë kapacitetet e njësive të specializuara për luftën kundër drogës
“Në lidhje me projektligjin e paraqitur në parlament për të lejuar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale duhen vendosur mekanizmat për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kësaj sasie kanabisi tregjet e paligjshme.
Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të harmonizuar legjislacionin kombëtar me listën e substancave psikoaktive të BE-së e cila përditësohet shpesh.
Për të zbatuar një sistem gjithëpërfshirës të mbledhjes së të dhënave për drogat, Shqipëria duhet të krijojë një Observator Kombëtar të Barnave dhe të ndajë burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për funksionimin e këtij organizmi.
Shqipëria ka nevojë që të krijojë një sistem paralajmërimi të hershëm për shkëmbimin e informacionit për të rejat në zhvillimin e substancave psikoaktive.
Nuk ka ende një mekanizëm adekuat për identifikimin dhe vlerësimin e barnave të reja. Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e njësive të specializuara për luftën kundër drogës përmes pajisjeve moderne pasi nuk ka një incenerator për shkatërrimi e substancave e bimëve narkotike”, thekson Komisioni.
Pronat
Kthimi i pronave te pronarët dhe funksionimi i Kadastrës është një tjetër kritikë që Komisioni Europian rendit. Sipas raportit, Kadastra duhet të trajtojë 7 mijë kërkesa të pashqyrtuara dhe mbi 4 mijë vendime të dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
“Shqipëria duhet të sigurojë që Agjencia e Trajtimit të Pronës të përmbushë mandatin dhe që skema e kompensimit të zbatohet në mënyrë efektive. Duhen trajtuar 7 000 kërkesa të pashqyrtuara dhe mbi 4 000 vendime të prekura nga vendimi i GJEDNJ.
Beshiri kundër Shqipërisë duhet të zbatohet deri në vitin 2024 si dhe ekzekutimi i të gjitha vendimeve deri në vitin 2026. Vetëm 800 vendime janë ekzekutuar deri më tani.
Vlerësohet se rreth 80% e të dhënave për pronat e regjistruara janë të pasakta. Përafërsisht 10% (mbi gjysmë milioni prona) të territorit të vendit mbetet tërësisht të paregjistruara. Nevojitet një regjistrim efikas dhe transparent dhe i integruar i pronës.
Sistemi i menaxhimit, i cili ofron tituj të qartë dhe të sigurtë të pronësisë, duhet të jetë i vendosur për të siguruar në praktikë të drejtën e pronësisë. Të gjitha të dhënat kadastrale, duke përfshirë titujt e pronësisë dhe hartat kadastrale, duhet të jenë te dixhitalizuara dhe përditësuara me kujdes për të hequr sistematikisht të dhënat e mbivendosura ose të pasakta”, thuhet në raport.
Discussion about this post