Besmir Muslia, një i ri i talentuar që ka pasion mësimdhënien, ndryshe nga moshatarët e tij, u rikthye në fshatin e lindjes, pas studimeve të larta për të frymëzuar nxënësit se, arsimi është mjeti më i vlefshëm për një jetë cilësore.
Mësuesi idealist ka humbur betejën e misionit fisnik, pasi emigracioni është kthyer në mendësi edhe për nxënësit në fillore. Në një rrëfim për “Monitor”, ai tregoi se, tani fëmijët në Kukës nuk ëndërrojnë të bëhen profesionistë, por të ikin sa më shpejt në Britaninë e Madhe.
Kjo mendësi, sipas tij, ka ulur interesin për mësimin, teksa shkollat po zbrazen. Ai tha se, zbatimi i kurrikulës është i pamundur në kushtet kur në shkolla mungojnë mjetet më të thjeshta dhe kushtet janë të mjerueshme.
Zoti Muslia, ju prej vitesh jepni mësim në Qarkun e Kukësit, me çfarë sfidash apo shansesh po nis ky vit i ri shkollor?
Sfidat e arsimit në Qarkun e Kukësit përfshijnë:
Sfidat që kanë të bëjnë me zbatimin e kurrikulës së re, me bazë kompetencash, duke përgatitur mjediset shkollore të përshtatshme – bashkëkohore;
Sfidat cilësore.
Sfida të tjera siç janë përdorimi i duhanit, drogave, largimi masiv i nxënësve nga orët e mësimit etj.
Arsimi në Qarkun e Kukësit për sa u përket mjediseve, e them me plot gojën, është një gërmadhë e madhe. Mjediset e shkollave nuk plotësojnë kushtet për të organizuar orët mësimore sipas përcaktimit të kurrikulës së re. Ndoshta nuk mund të kërkojmë mjedise të mrekullueshme, ideale. Por mjediset në shkollat e Kukësit, sidomos atyre në njësitë administrative, janë skandaloze.
Këto problematika të mjediseve shkollore përfshijnë:
-Klasa të ngrohta gjatë dimrit dhe të freskëta gjatë periudhës së nxehtë;
-Ndriçim me nivele të ndryshme
-Klasa që “mbysin” zhurmat akustike;
-Kabinete laboratorike shkencore (fizikë, kimi, biologji), kabinete informatike, si dhe kabinete për lëndët shoqërore
-Internet plotësisht funksional
-Terrene të përshtatshme për edukimin fizik, si dhe elementet infrastrukturor për zhvillimin e gjimnastikës (paralele, trau i kalit, etj);
-Mjedise sanitare të pastra dhe të rregullta.
Këto janë disa nga kriteret e domosdoshme për mjedise shkollore, të cilat përcaktohen në kurrikulën e arsimit parauniversitar shqiptar, e cila është katapultuar “copy-paste” në shtetin tonë. Këto janë disa nga kriteret, të cilat janë përcaktuar edhe në teoritë e shumë psikologëve humanistë, p.sh. “Hierarkia e nevojave”, Abraham Masloë (1908-1970).
Sfidat cilësore në arsimin e Qarkut të Kukësit, të cilat lidhen ngushtësisht edhe me ato të mjediseve shkollore janë:
Zbehja dhe gradualisht zhdukja e analfabetizmit funksional. Disa vite më parë, sipas një raporti të Bankës Botërore, 57% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë, që do të thotë se nuk dinë kuptimin e asaj që shkruajnë apo që lexojnë. Në ndihmë të rritjes së këtij analfabetizmi, për mendimin tim, luajnë rol edhe fiktiviteti masiv i notave, si dhe përdorimi masiv i kopjes dhe tolerancës ndaj saj.
Forcimi i marrëdhënieve prindër-mësues-nxënës. Këto marrëdhënie janë cunguar. Sidomos marrëdhënia prindër-mësues është armiqësuar, do të thosha. Kjo gjë ka sjellë dëme të mëdha në cilësinë e arsimit, si dhe interesin e nxënësve për mësimet.
Heqja e metodës së mësimdhënies 1 lëndë, 2 orë (90 min), dhe rikthimi i 1 lëndë, 45 minuta – Këtë pretendim e bazoj në faktin sepse rritet volumi teorik dhe konceptual lëndor për nxënësit. Kështu rritet vështirësia e të mësuarit, kuptuarit, analizuarit etj., të mësimeve nga secili nivel i nxënësve, duke filluar nga niveli i dobët, nga niveli i mesëm dhe nga niveli i lartë.
Në metodën e mësimdhënies 1 lëndë, 2 orë mësimore, goditjen më të madhe dhe problemet e mëdha i ka niveli i dobët dhe i mesëm i nxënësve. Prandaj sot në shkolla vihet re që niveli i mesëm i nxënësve është i rrallë, dhe kemi një rritje të nivelit të dobët, apo rënie totale të interesit për mësimet.
Rishikimi dhe ulja e normave për klasat e plota deri në dy nxënës, një klasë e plotë, pra me dy nxënës për një klasë, nuk do kemi klasë kolektive. Këtë risi e parashtroj me faktin sepse klasat kolektive nëse do monitoroheshin me kontroll të jashtëm provimesh (nga drejtoritë, ministria) janë një dështim total. Në këto klasa normalisht do rritet edhe cilësia. Klasat kolektive të formohen vetëm kur numri i nxënësve është një për klasë.
Rritja e pagës së mësuesve dhe kontroll vlerësimi i jashtëm (drejtoritë dhe ministria) i mësuesve një herë në muaj.
Provime të rastësishme në lëndë të ndryshme, sidomos në gjimnaze (jo në të gjitha klasat, por në disa), nga drejtoritë dhe ministria, si dhe monitorim po nga drejtoria ose ministria. Kjo gjë të bëhet në kuadër të zbulimit të fiktivitetit, si dhe nxjerrjes së problematikave të ndryshme që kanë nxënësit në të nxënë, qofshin këto problematika nga sjellja e nxënësve, apo nga sjellja e kuadrove arsimorë.
E gjithë kjo të bëhet në kuadër të nxjerrjes së pikave për përmirësim dhe metodat se si të ndodhë përmirësimi, dhe jo për të ndëshkuar. Pasi burokracia dhe antivlera në këtë vend po bëjnë kërdinë për arsye se, në të tilla burokraci si kjo që ka Shqipëria, është e formuar nga një autoritarizëm injorant dhe shtypës.
Duhen rishikuar tekstet. Tregtarizimi i masivizuar i teksteve shkollore ka bërë që ato të kenë disa mangësi në temat mësimore. Disa kanë volum më të madh të temave mësimore. Të prodhohen tekste të standardizuara në jo më shumë se tre shtëpi botuese për librin shkollor.
Duhen bërë funksionale “smart bordet”. Patjetër që mund të këtë edhe shumë sfida të tjera si në ato të mjediseve shkollore, por edhe në sfidat e rritjes së cilësisë, por mendimi im është se këto janë thelbësoret, si dhe janë shtyllat kryesore për ta ringritur arsimin dhe interesin për arsimin në Kukës, si nga nxënësit, por edhe nga mësuesit dhe komuniteti.
Të gjitha këto pika ndihmojnë edhe në përmirësimin dhe ndalimin e përdorimit të drogave, duhanit, si dhe largimit masiv të nxënësve nga orët mësimore, gjë e cila sjell indirekt edhe një braktisje defakto të shkollës.
Qarku i Kukësit prej vitesh po përballet me një nivel të lartë të emigracionit. A është i përhapur ky fenomen te nxënësit e shkollave?
Emigracioni i lartë i kuksianëve është i dukshëm, i matshëm, i ndjeshëm. Fenomeni i emigracionit nga fëmijë të moshës për arsim parauniversitar, për fat të keq, është i pranishëm. Ata emigrojnë, birësohen nga familje apo prindër anglezë, ose që kanë pasaportë angleze, dhe monitorohen nga ato dhe shteti anglez.
Por fenomeni me shqetësues, për mendimin tim, që po përjeton sot arsimi universitar, është humbja e interesit nga nxënësit për arsimin dhe arsimimin e tyre, dhe futja te nxënësit e konceptit të emigracionit në shkolla, duke u diskutuar masivisht dhe me pasion nga ata.
Duke qenë se ju keni përvojë të konsiderueshme në mësimdhënie në disa shkolla, cilat janë arsyet se pse kaq shumë të rinj emigrojnë nga Qarku i Kukësit?
Kësaj pyetje do t’i përgjigjesha, duke e shtjelluar shkurt me teorinë e psikologut humanist amerikan Abraham Masloë-t, të cilën e ka emëruar “Hierarkia e nevojave”, të cilën e ndau në dy grupe nevojash:
Nevojat bazë, të cilat janë fiziologjike dhe psikologjike që përfshijnë: Ushqimin, shuarjen e etjes, pushimin, gjumin, strehën, seksin etj.;
Metanevojat ose nevojat rritjes (vetaktualizimi) që përfshijnë: Zhvillimin shpirtëror, profesional etj.
Rregulli është ky që: Nëse nuk arrijmë të realizojmë qoftë edhe një nevojë, nuk arrihet të mendohet ngjitja lart për të ndier apo për të dhuruar nevojat e tjera.
Do bazohem shkurtimisht vetëm në grupin e parë të nevojave sipas Maslov-t.
Kukësi, sipas statistikave të ndryshme, është qarku më i varfër i Shqipërisë dhe më me pa perspektivë për të ndërtuar jetën dhe familjen. Kështu që si i tillë, sigurimi i nevojave fiziologjike është problem i madh. Sigurimi i një strehe, p.sh., që është nga nevojat e grupit të parë, me kushtet ekonomike, me pagat e ulëta, një i ri e kupton se është i mposhtur nga jeta, ose është i skllavëruar për të vuajtur, nëse do të jetonte në Kukës.
Vështirësitë për të jetuar në Kukës një të riu, ia shtojnë edhe padrejtësitë si dhe nepotizmi masiv. Duke qenë se të rinjtë nuk sigurojnë dot nevojat fiziologjike dhe psikologjike (kjo kryesisht nga varfëria), atëherë organizmi i tyre do jetë gjithnjë në kërkim të realizimit të këtyre nevojave. Këtë realizim nevojash e gjen në emigracion.
Stimuli kryesor që i bën ata të mendojnë, ose i referohen si fakt të realizimit të nevojave të tyre që Masloë i quajti fiziologjike dhe psikologjike, janë emigrantët të cilët vijnë me makina të shtrenjta, kanë ndërtuar shtëpi (strehë) moderne, bëjnë pushime luksi etj., prandaj shoqëritë e huaja funksionojnë sepse janë të ndërtuara politikisht në baza shkencore, siç është edhe dijenia dhe aplikimi i mjeteve që sipas Masloë-t njeriu të vetaktualizohet.
A është cilësia e arsimit një shkak për të emigruar?
Një arsim problematik dhe jocilësor, është një fatkeqësi jo vetëm për Kukësin, por për të gjithë kombin shqiptar. Një arsim që nuk ofron kushtet për të qenë i tillë, bëhet irritues për nxënësin, i padëshirueshëm, pa interes.
Nuk të ofron mundësi që të përgatitesh për studimet universitare, të diplomohesh dhe të gjesh një punë. Këtij realiteti më pas i shtohet edhe tregu i punës, i cili nuk u ofron nxënësve mundësi punësimi, nëse ata marrin vendimin të vazhdojnë studimet e larta.
Do pyesni ju, po si e dinë nxënësit e arsimit parauniversitar këtë gjë, që nuk kanë mundësi punësimi?
Ata e dinë duke filluar që te të afërmit e tyre të ngelur pa punë, edhe pse mund të kenë mbaruar studimet e larta, ose duke parë të tjerët përreth. Duke parë të papunët, por edhe ata që nga pamundësitë gjithanshme që të ofron Kukësi, kanë ikur në emigracion.
A mund të na përshkruani se si do të nisë mësimi këtë vit në shkollën tuaj dhe çfarë mangësish logjistike keni?
Ky vit shkollor do të nisë me problematika të vjetra, madje pak më të thelluara. Me klasa me dritare të prishura, ku i ftohti dridh trupat e fëmijëve për muaj.
E kur trupi dridhet nga i ftohti, humbet dëshira dhe vëmendja për mësim.
Nxënësit duhet të paguajnë para për testet që u bëhen, sepse shkolla/at nuk pajisen me printera, fotokopje dhe letër format. Pavarësisht se sipas legjislacionit, pushteti lokal menaxhon dhe i ka fondet për këto gjëra.
Dërrasa të zeza jashtë standardeve, në të cilat nuk shkruajnë shkumësat, ose shkrimi nuk duket mirë. Për të mos e zgjatur, mungesa e logjistikës dhe problematikave reale në çdo shkollë të Kukësit janë sfidat me mjediset shkollore të përmendura më lart.
Marrë nga: Monitor
Discussion about this post