Një forcë e heshtur po merr kontrollin e qyteteve juglindore të Siçilisë: mafia shqiptare. Në Vittoria dhe Ragusa, Luzim Ndreu, i njohur si “Giulio u testuni”, dhe familja Tosku po shndërrojnë qytetin në një nyjë kyçe të trafikut të drogës, gjobave dhe mashtrimeve të sofistikuara.
Ky është një alarm i ri për autoritetet dhe komunitetin: shqiptarët nuk veprojnë më si pjesëmarrës të thjeshtë. Ata kanë pushtet të sofistikuar dhe strategjik, duke diktuar tregjet, bizneset dhe marrëdhëniet midis klaneve. Ndreu është truri, Tosku dhe aleatët e tij janë krahu i armatosur, dhe bashkë ata krijojnë një rrjet që shtrihet nga Tirana deri në Sicili.
Ky është një alarm i paprecedentë: fuqia e mafias shqiptare është e sofistikuar, e organizuar dhe në rritje.
Shqiptarët nuk janë më thjesht krahu i zgjatur i mafies siciliane, por aktorë të parë në ridizajnimin e hartës kriminale të Vittoria-s. Figura si Luzim Ndreu dhe familja Tosku kanë shndërruar qytetin në një nyje strategjike të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke e lidhur drejtpërdrejt me Fierin, Rrogozhinën dhe Tiranën. Ata sjellin jo vetëm forcë ushtarake dhe disiplinë të hekurt, por edhe kapacitet për të menaxhuar flukset e kokainës nga Amerika Latine dhe për t’i shkrirë me ekonominë lokale bujqësore. Kjo prani shqiptare nuk është më një fenomen i kufizuar: është zemra e një modeli të ri kriminal, ku dhuna, paratë dhe aleancat shumë-etnike kanë zëvendësuar format klasike të mafies italiane. Në këtë mënyrë, Vittoria bëhet shembull i një realiteti të ri: një mafie pa kufij, ku shqiptarët janë katalizatori kryesor
Gjithcka nisi me një sekuestrim
Një 17-vjeçar, djali i një familjeje sipërmarrësish frutash, u rrëmbye të enjten e shkuar në qytetin e Vittorias, në Ragusa të Sicilisë. Rrëmbimi i shpejtë, i kryer para syve të shokëve të tij e në më pak se 24 orë u la i lirë. Kjo ngjare nuk është një episod i izoluar. Veprimi i sekuestrimit, skena e dhunshme demostrative në publik dhe mungesa e do kërkese për shpërblim e bëjnë të qartë një mesazh për qytetin: “Këtu komandojmë ne”.
Këtë interpretim e mbështet analiza e gazetarit antimafia Giuseppe Bascietto, i cili ka rindërtuar gjeografinë e re kriminale të Raguzës. Sipas tij, pak ditë më parë, në dy zona të izoluara të Vittorias, u zhvillua një takim sekret mes klaneve shqiptare dhe familjeve mafioze lokale, me përjashtim të Venturës. Nga ai pakt doli që shqiptarët, të fuqishëm nga ana e logjistikës dhe armëve, imponojnë Gianfranco Stracquadanin si regjent të trafikut të drogës, ndërsa familjet Greco dhe sipërmarrës të tjerë të lidhur me krimin mbajnë në duar menaxhimin ekonomik dhe lidhjet me jashtë provincës.
Kështu ridizenjohet zinxhiri i pushtetit: nga njëra anë krahu i armatosur i klaneve shqiptare, nga ana tjetër borgjezia mafioze që investon, pastron para dhe hap terren të ri. Projekti për një “konsorcium” përgjatë rrugës së Arceritos është vetëm shenja e parë konkrete e këtij kontrolli të ri kriminal.
Rrëmbimi i 17-vjeçarit nuk është thjesht një akt kriminal. Ai është një shfaqje dhune për të mbjellë frikë dhe për të treguar se kush ka sot kontrollin mbi fshatrat, serat dhe ekonominë e errët të Vittorias. Një sfidë e hapur ndaj shtetit dhe komunitetit lokal, që thekson forcën e rrjetit mafioz dhe nevojën për vëmendje dhe veprim të menjëhershëm nga autoritetet.
Analiza e gazetarit Giuseppe Bascietto
Vittoria (RG) – Harta e re e pushtetit. Nga Shqipëria në Vittoria: si u zhvendosën ekuilibrat kriminalë në zemër të Ragusanos
Ekuilibrat kriminalë të Vittorias, një qytet me mbi 70 mijë banorë në juglindje të Sicilisë, nuk janë më ata të dikurshmit. Shahu i pushtetit është ridizenjuar, dhe lëvizjet e reja vijnë shumë më larg nga sa mund të lënë të mendohet rrugicat e qytetit.
Fronti shqiptar
Në qendër të skenës është Luzim Ndreu, i njohur si Giulio u testuni. Është ai që cakton kohën, që përcakton kush duhet të komandojë e kush duhet të bindet. Me të veprojnë Gaetano Abbate, i dënuar më parë për drogë, Pandeli Prifti dhe Kujtim Rapushi, gurë të çmuar në menaxhimin e trafikut. Përreth tyre lëviz familja Tosku: Giorgio, Dashor dhe tre vëllezër të tjerë. Një bllok i lidhur nga gjaku, gati t’i rezistojë çdo goditjeje, i frikshëm për tregtarët dhe parkuesit.
Fronti vittories
Nëse zemra e sistemit gjendet mes shqiptarëve, qendra vittoriese mban emrin Gianfranco Stracquadaini, i quajtur “fytyra e engjëllit”. I emëruar regjent në një mbledhje të shtatorit, megjithëse ishte në arrati për më shumë se një vit pas tentativës për vrasjen e Roberto Di Martino (u cuzzularu), është ai që dikton rregullat. Të gjithë zbatojnë, përfshi shqiptarët. Sepse, pavarësisht forcës së tyre ushtarake dhe ekonomike, ata kanë nevojë për Stracqudainin dhe të tjerët nga Vittoria për të mbajtur marrëdhënie me familjet mafioze të provincave siciliane. Përkrah tij, në një pozicion të tërhequr por aspak dytësor, qëndron Massimo Leggio, figurë urë mes të shkuarës dhe së tashmes, kujdestar i lidhjeve që ende vlejnë.
Mozaiku ndërprovincial
Zemra e lojës nuk luhet vetëm në Vittoria. Lidhjet e jashtme kalojnë nga Elio Greco, sipërmarrës me rrënjë në Gela dhe degëzime deri në Catania e Francofonte, dhe nga Roberto Salerno, një tjetër nyje thelbësore e mozaikut ndërprovincial.
Për të mbështetur sistemin janë sipërmarrësit e krimit: Pino Gueli, i Pack Art, dhe Giacomo e Michael Consalvo, njerëz që dinë të mbajnë një këmbë në ligj dhe tjetrën në hije. Me ta, bijtë e Elio Greco – Alberto, Nuçio dhe Saro – trashëgimtarë të një pushteti që ndërlidh ambalazhimet, serrat dhe gjakun. Degëzimet shtrihen deri në bregdet: Casuzze dhe Santa Croce Camerina, me figura si Ismet Totraku dhe Elis Rustami, pararojë shqiptare larg dritave të reflektorëve por afër rrjedhave të parave dhe drogës.
Krahu i armatosur i Toskuve
Nëse Ndreu është truri, vëllezërit Tosku janë krahu. Sipas hetuesve që i arrestuan në vitin 2016 për trafik dhe shpërndarje, më të frikshmit janë Giulio dhe Dashor: të dhunshëm dhe të gatshëm të mos ndalen para asgjëje. Pas rrëmbimit të shkurtër që trazoi qytetin, ata u kthyen menjëherë aktivë, duke imponuar ligjin e tyre në treg për llogari të Ndreut dhe Stracqudaini-t.
Ata qarkullojnë me një lloj “çmimoreje”: nga dy mijë në pesë mijë euro për parkuesit, shifra më të larta për bizneset, të llogaritura sipas xhiros apo parametrave të tjerë. Nuk mjaftohen me gjobat tradicionale. Kanë përsosur metodën e mashtrim-gjobës: blejnë mall bujqësor, e rishesin, fitojnë dhe pastaj nuk paguajnë. Tregtari e di, e merr parasysh, hesht. Kështu çdo marrëveshje bëhet një imponim. Dhe kur bëhet fjalë për borxhe ndaj klaneve, janë ata që trokitin: përmbaruesit e sistemit.
Arrestimi i Ndreu, Prifti dhe Rapushi nga policia në shkurt 2019
Emrat e Ndreu, Prifti dhe Rapushi nuk shfaqen vetëm në procesverbale mbledhjesh apo kronika lagjesh. Karriera e tyre kriminale është e shënuar tashmë nga hetime gjyqësore. Në një operacion të policisë, tre u arrestuan me 57 kg hashash, 2,5 kg kokainë dhe 330 kg marijuanë.
Një ngarkesë që nuk lindi në Sicili, por me rrënjë në Tiranë, prej nga droga ishte organizuar dhe dërguar. Një sekuestrim që portretizon profilin e Ndreut: jo një ndërmjetës i thjeshtë, por një njeri i aftë të menaxhojë njëherësh disa lloje substancash dhe disa rrjedha, në linjë me klanet shqiptare më moderne.
Përtej Adriatikut: origjina
Për të kuptuar Vittorian duhet parë përtej Adriatikut, në komunat Fier dhe Rrogozhinë, në prefekturën e Tiranës. Prej andej vijnë Ndreu dhe Tosku. Trafikantë dhe shpërndarës që gjetën terren pjellor në Vittoria, Santa Croce, Casuzze, Marina di Ragusa dhe Scicli. Gjeografia, këtu, nuk është detaj folklorik: është çelësi për të deshifruar lidhjet dhe aleancat që kanë rishtypur raportet e forcës.
Në fillim të viteve 2000 shfaqet Kompania Bello, e konsideruar gjatë si organizata më e fuqishme shqiptare dhe një nga rrjetet më të sofistikuara të narkotrafikut në Evropë. Nuk mjaftohej me rolin e ndërmjetësit: kontrollonte gjithë zinxhirin e kokainës, dhe falë marrëveshjeve me kartelët e drogës në Amerikën e Jugut, kontrabandës detare e tokësore, shpërndante drogën në Itali, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Forca e Kompanisë ishte tek teknikat e sofistikuara: komunikime të koduara, ndarje sekrete në mjete, pastrim parash përmes sistemit klandestin kinez të transfertave fei ch’ien, i aftë të lëvizte miliona pa lënë gjurmë. Prej andej nis depërtimi shqiptar në Itali.
Aleanca që dikton ligjin
Fraksione të bandave më të ashpra e të egra të Durrësit dhe Tiranës kanë marrë përsipër drejtpërdrejt fazën më të rrezikshme të trafikut – transportin – shpesh në dobi të mafieve tradicionale. Me kalimin e kohës, klanet shqiptare kanë lidhur aleanca me kartelët kolumbianë, bolivianë dhe meksikanë, deri sa kanë zbehur supremacinë e ‘Ndrangheta-s kalabreze.
Sot hetimet vërtetojnë se organizatat shqiptare kanë fituar një peshë të tillë sa të lënë në pozita të dorës së dytë edhe grupet italiane që bashkëpunojnë me to. Madje Cosa Nostra, ‘Ndrangheta dhe Camorra, dikur mbretëreshat e narkotrafikut, shpesh shfaqen thjesht si klientë.
DIA, në analizat më të fundit, flet për një model të ri: një bashkim mes mafieve vendase dhe organizatave të huaja, fillimisht rastësor, sot gjithnjë e më i strukturuar. Ndër të gjitha, konsorciumet shqiptare dallohen për aftësinë për të favorizuar qasje multietnike dhe për të konsoliduar bashkëpunime operative.
Harta e pushtetit nuk lexohet më vetëm në rrugicat e Vittorias apo në fushat e Ragusanos. Ajo vizatohet nga vija te padukshme që lidhin Tiranën me Sicilinë, Fierin me Scoglittin, Rrogozhinën me Vittorian, portet e Amerikës së Jugut me tregjet e frutave e perimeve. Një rrjet që nuk njeh kufij dhe që mban një vulë të qartë: atë të aleancës mes klaneve siciliane dhe shqiptare.
Dhe është kjo aleancë, e egër dhe e heshtur, që sot ritmon jetën dhe vdekjen./Alba Kepi










Discussion about this post