GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Shembja në Elbasan-Qafë Thanë e paralajmëruar, studimi gjeologjik rrëzon propagandën e Ramës

08:19 - 05/03/26
në Aktualitet, Ekonomi & Sociale
Kohë leximi: 10 min
A A
Shembja në Elbasan-Qafë Thanë e paralajmëruar, studimi gjeologjik rrëzon propagandën e Ramës
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Prej rreth dy javë, e gjithë juglindja e vendit, pasi rruga e ndërtuar 30 vjet më parë u shemb. Sontë do të flasim për rrugën Elbasan-Qafë Thanë, por edhe për shumë akse të tjera të ndëruara gjatë qeverisë Rama, të cilat gjithashtu janë shembur ose gjatë ndërtimit ose pak pasi kanë përfunduar.

Kostoja totale e të gjitha e këtyre rrugëve, që do t`ju tregojmë sot, kap shifrën e 1.1 miliardë eurove, por të gjitha kanë të përbashkët dy gjëra, shembjet dhe padyshim faktin se ndërtimi i tyre është bërë gjatë kohës që ministrinë e Infrastrukturës e ka drejtuar Belinda Balluku.

Të njëjtin fat pati dhe rruga që është ende në fazën fillestare të punimeve, e cila supozohet se do të jetë Korridori i VIII, ajo Elbasan-Qafë Thanë.

Kryeministri Edi Rama dhe vartësit e Belinda Ballukut, këtë herë nuk fajësuan Saliun por shiun për shembjen e rrugës. Nga ana tjetër, inxhinierët kanë dhënë mendimin e tyre, duke treguar se shkaqet nuk janë aq natyrore sesa janë njerëzore. Dhe për të vërtetuar nëse faji është i shiut apo njeriut, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet. Por derisa hetimet të përfundojnë, bllokimi pa afat i juglindjes së vendit do të sjellë pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale. Ndërkohë, Plug, sonte do të hedhë dritë mbi investimin prej 215 milionë eurosh të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, e cila duket se është një tjetër aferë korruptive.

Shqipëria ka investuar në infrastrukturën e transportit rrugor një shumë prej 370 miliardë lekësh, gati 3.8 miliardë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për periudhën 2014-2025 dhe fondi i pritshëm për 2026-n.

Me këtë shumë mund të ndërtoheshin rreth 350 kilometra autostradë e re e tipit A nga fillimi, duke përshkuar të gjithë gjatësinë e vendit, nga Vermoshi në Konispol, duke marrë si referencë kostot që përllogarit BE-ja për vendet si Shqipëria.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, investimet në infrastrukturën rrugore janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, duke nisur nga një nivel prej 24.4 miliardë lekësh në vitin 2014, në 44.5 miliardë lekë më 2025.

Ajo që bie në sy është hovi i jashtëzakonshëm që ka marrë buxhetimi pas vitit 2022, ku shifrat pothuajse janë dyfishuar, duke arritur kulmin historik në vitin 2025 me 44.3 miliardë.

Ky shtim masiv i financave në vitet e fundit, ku vetëm viti 2024 ka regjistruar një vlerë prej 405 milionë eurosh, duhet të ishte garanci për një infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme. Por në fakt, vendi tani është në një kolaps total, pasi të gjitha investimet e reja të bëra vitet e fundit po shkërmoqen.

Ndërkohë që shifrat nga buxhetet publike shënojnë rekorde, në rrugët e sapo-përfunduara asfalti i shtruar me kosto miliona eurosh shfaq dëmtime strukturore pa u mbushur ende viti i parë i përdorimit. Kjo diskordancë ndërmjet buxheteve rekord dhe cilësisë së dobët të punimeve ngre pikëpyetje të mëdha mbi efikasitetin e mbikëqyrjes teknike dhe standardet e materialeve që përdoren në këto akse.

Nëse shohim parashikimin për vitin 2026, vihet re një ulje e lehtë e fondeve në 35.4 miliardë lekë. Cilësia e ndërtimit nuk ka ndjekur rritjen e buxhetit për transportin rrugor. Ekspertët pohojnë se miliardat e shpenzuara rrezikojnë të shndërrohen në një gropë tjetër financiare, ku paratë e taksapaguesve do të duhet të ridestinohen sërish për riparimin e veprave që sapo janë përuruar.

Nga këto, vetëm dy projektet, që prekin qarkun e Elbasanit, rruga Elbasan-Qafë Thanë dhe Automotoparku, deri më tani, kanë kushtuar rreth 226 milionë euro. Por të dyja këto projekte kanë nisur të shemben, duke u vënë në pikëpyetje që në fazën e ndërtimit.

Historia e ndërtimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, nisi një vit pasi Belinda Balluku u bë Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Më 29 korrik 2020, ARRSH hap një tender me objekt Studim Projektimi zgjerimi i segmentit rrugor dalje Elbasan-Prrenjas-Qafë Thanë, me fond limit 53 369 587 lek pa tvsh. Tenderi zhvillohet me urgjencë, pasi qëndron i hapur për vetëm 13 ditë, pasi në datën 12 gusht 2020, mbahet edhe procedura.

Çuditërisht, ndonëse afati i dorëzimit të ofertave ishte vetëm 13 ditë, për shpalljen e fituesit Autoritetit Rrugor Shqiptar iu deshën pesë muaj që të shpallte fituesin. Sipas të dhënave, më 31 dhjetor 2020 është shpallur fituesi dhe në datën 18 janar 2021 është lidhur kontrata me bashkimin e operatorëve InfraKonsult SHPK – HMK – Consulting, të cilat për vlerën e rreth 610 mijë eurove me TVSH dhe për një afat prej 9 muajsh nga lidhja e kontratës, do të duhet të kryenin studimin dhe projektimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

Pas tenderit për projektimin, në vitin 2022 nisën të shpalleshin me radhë edhe tenderat për ndërtimin e kësaj rruge. Deri më tani, për ndërtimin e rrugës Elbasan-Qafë thanë e cila ka një gjatësi prej rreth 50 km, janë lidhur kontrata për 8 lote me një gjatësi totale prej 27 km, ndërsa vlera e ndërtimit për këto 27 km rrugë është 215 milionë euro, ndërkohë që për ndërtimin e 23 km të tjerë, do të duhen edhe qindra milionë euro të tjerë.

Kontrata për Lotin I u lidh në datën 5 dhjetor 2022, ku fitues u shpall kompania Alb-Building shpk. Vlera e kësaj kontrate është 26 milionë euro me TVSH, për ndërtimin e 5 km rrugë. Konkretisht ndërtimi nis në km 1+440, rreth 1 400ml pasi kalon fshatin Labinot-Fushe dhe perfundon ne km 6+500 ne afersi te fshatit Mirake.

Kontrata për Lotin II u lidh më 27 qershor 2023, ndërsa kompanitë fituese në këtë tender janë: 4 A-M – ARKONSTUDIO – ELMAZAJ KONSTRUKSION – AGRI CONTRUCTION. Vlera e këtij tenderi është 29 milionë euro me TVSH, për një segment prej 3.8 km. Konkretisht, projekti për Lotin 2 nis ne fshatin Mirake ne km 6+500, prane kryqezimit ekzistues per ne fshatin Polis dhe perfundon ne km 10+340, rreth 600m para ures se Murrashit.

Kontrata për Lotin III u lidh më 19 dhjetor 2023, ku fitues për këtë tender u shpallën bashkimi i kompanive 2T dhe HASTOÇI shpk. Vlera e këtij projekti është 25 milionë euro me tvsh, për ndërtimin e një segmenti prej 11.2 km. Konkretisht projekti fillon ne fshatin Labinot Fushe ne km -0+120, prane ures metalike mbi lumin Shkumbin dhe perfundon ne km 11+140, fill pas ures se Murrashit. Por, ajo që bie në sy te ky tender, është fakti se 2T dhe HASTOÇi, do të kryejnë edhe asfaltimin e rrugës edhe për dy lotet e para që janë fituar nga kompania Alb-Builiding, 2T dhe HASTOÇi.

Kontrata për Lotin IV u shpall gjithashtu në datën 19 dhjetor 2023, ndërsa fituese u shpall kompania ANK. Vlera e këtij tenderi është 25 milionë euro me TVSH, të cilat do të shpenzohen për të ndërtuar vetëm 1.8 km rrugë. Thënë më ndryshe, ky lot nis ne hyrje te qytetit Librazhd ne km 14+600, 50m para ures ekzistuese dhe perfundon ne km 16+460, rreth 150m pas daljes se tunelit hekurudhor. Ky segment do te sherbeje si bypass i qytetit te Librazhdit.

Loti V, që parashikon ndërtimin e Tunelit të Murrashit në Librazhd, është fituar nga kompania GJOKA KONSTRUKSION. Vlera e këtij tenderi është 29 milionë euro me TVSH për të ndërtuar vetëm 1.4 km rrugë. Me konkretisht projekti eshte i ndare ne dy segmente, ku segmenti i pare fillon ne km 11+140, pas ures se Murrashit (fundi i Fazes III), dhe perfundon ne km 12+280 (filimi i Fazes VI), ndersa segmenti i dyte fillon ne km 12+820 dhe perfundon ne km 13+160 (vazhdimi i Fazes VI).

Kontrata për ndërtimin e lotit VI u lidh më 16 korrik 2024. Fitues u shpall kompania ALB-STAR, vlera e projektit është 28 milionë euro me TVSH, për ndërtimin gjithashtu të rreth 1.8 km rrugë. Projekt-zbatimi për Fazën 6 të Rrugës Elbasan – Qafë Thanë është i ndarë në dy segmente, ku segmenti i parë fillon në km 12+280 dhe përfundon ne km 12+820 dhe segmenti i dytë fillon ne km 13+160, (fundi i Fazes V), dhe përfundon në km 14+600 (50m para ures ekzistuese).

Loti VII i kësaj rruge, është pikërisht ai që sot është shembur. Kontrata për nisjen e punimeve në këtë lot u lidh më 18 korrik 2024, ndërsa vlera totale e projektit është 27 milionë euro me TVSH. Ky lot parashikon ndërtimin e një segmenti prej 5.5 km. Me konkretisht projekti fillon ne km 16+460, rreth 150m pas daljes se tunelit hekurudhor dhe perfundon rreth 140m nga kthesa për në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë në km 21+800.

Le të ndalemi te ky segment, që sot po u kushton qytetarëve shqiptarë miliona euro dëm çdo ditë për shkak të shembjes së rrugës. Siç u përmend, për ndërtimin e këtij segmenti prej 5 km, që përfshinë të gjithë zonën që u shemb dy javë më parë dhe atë që u shemb disa javë më parë gjatë punimeve në afërsi të Librazhdit, qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë ANK 27 milionë euro.

Në garë për këtë tender, morën pjesë tetë operatorë ekonomik, por të gjithë u skualifikuan nga gara dhe fitues u shpall pikërisht kopania ANK. Tenderi është klasifikuar me flamur të kuq, shkak skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/Skualifikim i ofertës vlerë më e ulët.

Ajo që bie në sy, është fakti se shkaku kryesor i skualifikimit të 7 operatorëve të tjerë përveç fituesit, është se të gjitha këto kompani nuk plotësonin kriterin 2.3.7, Mjetet dhe pajisjet e kerkuara” pasi, mjetet e vetdeklaruara ne shtojcen 8, janë të angazhuara në një kontratë tjetër.

Mirëpo, edhe kompania ANK, që u shpall fituese, kishte gjithashtu një kontratë tjetër po në këtë projekt me ARRSH, atë të lotit 4 me gjatësi 1.8 km. Madje, në vitin 2024 kur është lidhur kontrata, ANK kishte dhe kontrata të tjera aktive me ARRSH, siç ishte rruga Korçë-Ersekë, që u shemb.

Ndaj mbetet e mistershme sesi ARRSH dhe Belinda Balluku i kanë dhënë ANK-s dy tendera për të njëjtën rrugë, ku pasi kjo kompani mjetet dhe stafin e kishte të angazhuar njëkohësisht edhe në kontrata të tjera. Madje, ANK-ja, ka garuar në disa procedura në tetë lotet e kësaj rruge, dhe ironikisht, është skualifikuar në disa prej tyre, me të njëjtin argument, se kishte aktive disa kontrata të tjera ku kishte të angazhuara mjetet dhe makineritë.

Teksa dhënia e 54 milionë eurove për ndërtimin e rreth 8 km rrugë të ndarë në dy lote në Korridorin VIII i mbetet SPAK të zbardh nëse ka abuzime nga ARRSH dhe Belinda Balluku, Plug shkoi më tej, për të kuptuar nëse punimet që po kryhen në këtë segment kanë ndikuar në shembjen e shpatit të malit. Sipas ekspertëve, një nga shkaqet e shembjes së rrugës ekzistuese kanë qenë pikërisht punimet për ndërtimin e rrugës së re, ku shpatit të malit i është shtuar peshë duke e bërë terrenin të paqëndrueshëm.

Këtë fakt e konfirmon edhe raporti gjeologjik, i cili gjendet bashkëngjitur me dokumentet e tenderit. Në faqen 4 të raportit me 11 faqe gjitësej, teksa analizohet situata me rrëshqitjet, citohet se një nga shkaqet kryesore janë pikërisht rrëshqitjet antropogjene që vijnë nga ndërtimi i veprave inxhinierike.

RAPORTI GJEOLOGJIK

Rrëshqitjet lidhen me përhapjen e argjilave, me shkëputjet tektonike, me burimet që dalin në kontaktin me mollaset, me rreshjet e shumta që bien në këtë luginë dhe me prishjen e ekuilibrit të shpatit nga erozioni anësor e në thellësi i Shkumbinit. Gjithashtu mund të takohen rrëshqitje antropogjene nga ndërtimi i veprave inxhinierike.

Pra, ky argument është i mjaftueshëm për të rrëzuar jo vetëm ekspertizën e nxituar të kryeministrit dhe që më pas u deklarua me gjysmë zëri nga ekspertët pranë tij, se shkak i rrëshqitjeve ishte gjeologjia, por është gjithashtu i rëndësishëm për t`u vlerësuar nga prokuroria që ka nisur hetimet për të gjetur pikërisht shkakun e katastrofës.

Gjithashtu, një tjetër shkak që dyshohet se ka shkaktuar shembjen e kësaj rruge, është dhe gërryerjet masive të lumit Shkumbin. Qeveria ka licensuar disa nga kompanitë që po ndërtojnë askin Elbasan-Qafë Thanë, që të marrin inerte nga shtrati i lumit Shkumbin, me qëllim ndërtimin e rrugës së re. Inerte janë marrë edhe në zonën e njohur si Arra e Gurrës, ku pamjet e filmuara tregojnë se mjetet e tonazhit të rëndë gërryejnë shtratin e lumit.

Dhe loti i fundit i tenderuar deri më tani nga ARRSH, është loti VIII. Kontrata për punimet e këtij loti u lidh më 16 korrik 2024, fitues u shpall kompania FUSHA SHPK. Vlera e projektit është 26 milionë euro me TVSH për ndërtimin e një segmenti prej 5.2 km rrugë. Me konkretisht projekti fillon ne km 21+800, rreth 140m nga kthesa per ne vendin e quajtur Rrethi i Bardhe dhe perfundon rreth 300m nga kthesa per ne fshatin Xhyre ne km 27+000.

Deri këtu, për ndërtimin e vetëm 27 km rrugë, ku një pjesë e këtij aksi, kalon në trasenë e rrugës ekzistuese, qeveria Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku i ka ndarë 27 km rrugë në 8 lote. Vlera totale e këtyre tetë loteve, apo 27 km rrugë, vetëm për ndërtim sipas kontratave të lidhura kalon shumën e 215 milionë eurove, apo rreth 8 milionë euro për km.

Kjo është vetëm kostoja e ndërtimit, të cilës nëse i shton dhe kosto të tjera si projektimi, supervizimi, kolaudimi dhe në fund mirëmbajtja, mund ta çojnë koston e rrugës në më shumë se 10 milionë euro për km. Por nëse marrim në konsideratë kontratat e lidhura deri më tani, kostot e korridorit VIII mund të kalojnë vlerën e 500 milionë eurove për ndërtimin e vetëm 50 km rrugë, duke e bërë këtë segment një nga më të shtrenjtët në vendin tonë.

AUTOMOTOPARKU 11 MLN EURO

Ndërkohë, për supervizimin e 8 loteve të deritanishme, ARRSH ka lidhur kontrata me disa kompani me vlerë totale të 2 milionë eurove.

Jo vetëm rruga Elbasa-Qafë Thanë, por për shkak të gërryerjeve nga lumi Shkumbin, në Elbasan u shemb edhe një tjetër projekt propagandistik i qeverisë Rama. Një pjesë e rrugës lidhëse me motoparkun, u shemb për shkak të erozionit lumor. Por ajo që e bën më të rëndë këtë situatë, është fakti se pikërisht, për të mbrojtur Automotoparkun nga Erozioni Lumor, qeveria ka shpenzuar mbi 6 milionë euro për ndërtimin e argjinaturave mbrojtëse dhe rreth 5 milionë euro të tjera janë investuar për ndërtimin e rrugës që u shemb. Ndërkohë i gjithë projekti i automotoparkut, pritet tu kushtojë shqiptarëve më shumë se 180 milionë euro në total

Kompania fituese për projektin e pistës së parë sportive ‘Auto Moto Park Albania’ në Ebasan është shpallur Studio “Test & Training International”, në bashkëpunim me studion “GB Consult”. Kompania fituese bashkë me 3 të tjera që ishin në garë prezantuan projektet e tyre për pistën 5.3 kilometra të gjatë, me një sipërfaqe prej 500 000 m².

RRUGA E GJINARIT 1 MLN EURO

Rruga pranë liqenit të Gjinarit në bashkinë e Elbasanit, një prej fshatrave turistikë më të njohur të vendit tonë, ka pësuar dëmtime të dukshme në infrastrukturë. Aksi rrugor ka pësuar rrëshqitje të tokës, duke dëmtuar shtresën e asfaltit, për pasojë ka krijuar rrezik real për qarkullimin e automjeteve dhe sigurinë e banorëve.

Ky aks rrugor është jetik, pasi lidh disa fshatra të zonës së Gjinarit dhe përshkohet çdo ditë nga mjete private dhe automjete transporti. Çdo dëmtim në këtë segment jo vetëm vështirëson lëvizjen, por rrezikon seriozisht jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve. Sipas deputetit të Partisë Demokratike Blendi Himçi, investimi për këtë segment rrugor ka kushtuar rreth 1 mln euro./

Etiketa: elbasan rrugaKryesore1Ramastudim

Lajme të lidhura

‘Përdori gjuhë fyese’, PS kërkon përjashtimin e Shehajt për 20 ditë nga parlamenti
Aktualitet

Përplasjet me PS për banorët e Rrjollit, Agron Shehaj përjashtohet 20 ditë nga punimet e Kuvendit

10:11 - 05/03/26
Lëvizje të reja në Polici, ndryshime në disa komisariate të vendit
Aktualitet

Tjetërsuan tokën në Mëzez, arrestohen dy përfituesit dhe pezullohen edhe tre zyrtarë të Kadastrës

09:54 - 05/03/26
Grabitet me armë zjarri një pikë këmbimi valutor brenda qendres tregtare në Tiranë
Aktualitet

Grabitet me armë zjarri një pikë këmbimi valutor brenda qendres tregtare në Tiranë

09:45 - 05/03/26
Para
Integrimi në BE me kosto të larta: Qeveria ende pa strategji për të mbrojtur prodhuesit shqiptarë

Qeveria e Ramës dështoi në përmbushjen e reformave, Shqipëria zero fonde nga Plani i Rritjes i BE-së

Discussion about this post

TË FUNDIT

‘Përdori gjuhë fyese’, PS kërkon përjashtimin e Shehajt për 20 ditë nga parlamenti
Aktualitet

Përplasjet me PS për banorët e Rrjollit, Agron Shehaj përjashtohet 20 ditë nga punimet e Kuvendit

10:11 - 05/03/26

Deputeti i partisë Mundësia, Agron Shehaj është përjashtuar me 20 ditë punimet e Kuvendit. Ky vendim u mor sot në...

Lexo më shumë
Lëvizje të reja në Polici, ndryshime në disa komisariate të vendit

Tjetërsuan tokën në Mëzez, arrestohen dy përfituesit dhe pezullohen edhe tre zyrtarë të Kadastrës

09:54 - 05/03/26
Grabitet me armë zjarri një pikë këmbimi valutor brenda qendres tregtare në Tiranë

Grabitet me armë zjarri një pikë këmbimi valutor brenda qendres tregtare në Tiranë

09:45 - 05/03/26
Rëndohet bilanci/ Numri i të vdekurve në Iran pas sulmeve SHBA-Izrael shkon mbi 1100 viktima, 183 janë fëmijë

Rëndohet bilanci/ Numri i të vdekurve në Iran pas sulmeve SHBA-Izrael shkon mbi 1100 viktima, 183 janë fëmijë

09:39 - 05/03/26
Qarku i Korçës përfitoi miliona euro investime për rrugë që shemben pa u marrë në dorëzim

Qarku i Korçës përfitoi miliona euro investime për rrugë që shemben pa u marrë në dorëzim

08:49 - 05/03/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com