I frikësuar nga përfolja në media e mundësisë që Rama të mos e kandidojë në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj duket se ka kërkuar bashkëpunimin e kundërshtarëve të tij, bashkëpunim që nuk e ka për herë të parë. Duhet të kujtojmë se bashkëpunimi i tij me Berishën ka filluar që në vitet 2003-2004 kur ai furnizohej me militantë për të organizuar protestat ndaj Fatos Nanos. Vetë Berisha ka pohuar se dosja e bashkëpunimit ndërmjet tij dhe Berishës është e pasur.
Në paranojën e kandidimit, Veliaj ka identifikuar si kundërshtaren e tij më të fortë brenda Partisë Socialiste, zv. Kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ministria e Infrastrukturës është një megaministri që ka në varësi institucione të rëndësishme qëndrore si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, apo Autoriteti Rrugor Shqiptar. Këto institucione janë instrumenta të pakonkurrueshëm pushteti pasi garantojnë një marrëdhënie të ngushtë me oligarkinë ekonomike e mediatike të vendit. Ato menaxhojnë qindra miliona euro buxhete e miliarda euro resurse që Erion Veliaj nuk do të mund t’i shohë as në ëndërr.
Një tjetër shkak i arsyeshëm për paranojën e Veliajt është edhe lidhja e fortë e Ballukut me bazën e Partisë Socialiste. Ajo vjen nga një familje e rëndësishme e diktaturës, është me origjinë nga Tirana dhe kjo i jep asaj një marrëdhënie preferenciale me strukturat tradicionale të të majtës. Në dallim prej saj, Veliaj është një i ardhur në Tiranë, pa asnjë lidhje me strukturat tradicionale të Partisë Socialiste dhe është katapultuar në forumet drejtuese të kësaj partie dhe Bashkisë së Tiranës nga shoqëria civile që dikur protestonte kundër pushtetit të socialistëve.
Veliaj e di shumë mirë se ai shikohet si mish i huaj në Partinë Socialiste dhe megjithë përpjekjet e tij për t’u lidhur me disa figura të të majtës tradicionale si Fatmir Xhafaj apo Arta Dade, ai nuk mund ta konkurrojë Ballukun në marrëdhënien me socialistët. Edhe promovimet që ai ka bërë në administratën bashkiake janë tërësisht të huazuara nga jashtë strukturave të PS-së, kryesisht mjaftistë dhe të mjaftizuar nga shoqëria civile dhe rrethi i njohjeve personale të kryebashkiakut.
I vetëdijshëm se brenda PS-së ai nuk e ka aspak të sigurtë triumfin ndaj Ballukut, Veliaj i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Sali Berishës, një praktikë e zbatuar me sukses ndaj Manastirliut gjatë periudhës së pandemisë kur ish-kryeministri e sulmonte atë rreth 3 herë në ditë dhe amnistonte Veliajn për katastrofën mjedisore, aferat me pastrimin e Tiranës dhe, madje, edhe inceneratorët. Ditët e fundit Berisha ka filluar një fushatë sulmesh ndaj asaj që ai e quan dyshja Rama-Balluku për një numër projektesh në infrastrukturë.
Bateritë e sulmit të ekipit të Berishës janë drejtuar drejt zv. Kryeministres dhe, siç duket, janë orientuar për të lidhur çdo skandal korrupsioni me Ballukun dhe punën e saj. Jo më kot përfaqësuesit e strukturave që drejtohen nga Berisha në PD, fajësojnë Ballukun dhe Ahmetajn edhe për aferën e inceneratorëve dhe amnistojnë Erion Veliajn duke e përmendur atë shkarazi, pa fakte dhe pa provat që zbuloi komisioni hetimor parlamentar i kësaj afere.
Çuditërisht, këtë fushatë e drejtojnë dhe e përfaqësojnë deputetë të Partisë Demokratike të grupit të Berishës që e braktisën komisionin apo nuk firmosën raportin e këtij Komisionit Hetimor. Ai raport zbuloi se Veliaj kishte kryer shkelje të hapur të ligjit, duke gënjyer në emër të Këshillit Bashkiak dhe duke marrë vendime që nuk i ka në kompetencë, vetëm e vetëm që projekti i inceneratorit të Tiranës të shkojë përpara sa më shpejt. Janë pjesë e grupit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të Berishës ata që lëvdojnë Erion Veliajn për situatën e pastrimit të qytetit. Çfarë tjetër nëse jo një referencë pozitive dhe amnistim i kryebashkiakut në dosjen e inceneratorëve është kjo?
Aleanca Berisha-Veliaj do të testohet edhe më qartë në muajt e ardhshëm kur të përzgjidhen kandidatët dhe kur pritet që Veliaj të mbështesë kandidatët e Berishës në qytetet rrotull Tiranës në shkëmbim të një kundërshtari të dobët në Tiranë. Dhe duket se kundërshtari i Veliajt nga radhët e PD-së është përcaktuar. Problemi i vetëm i Veliajt për momentin është të bindë Metën që të mjaftohet me kandidatin e Berishës, natyrisht në shkëmbim të favoreve.
Në qytetet rrotull Tiranës, Partia Socialiste ka hedhur poshtë kandidatët e Veliajt që në zgjedhjet e kaluara. I bindur se ai nuk do të mund të përcaktojë kandidatët e tij në këto qytete, ai do ta përdorë influencën e tij sado të kufizuar për të bërë pazaret përkatëse me opozitën dhe për të marrë fitoren në Tiranë. Sigurisht, nëse do t’ia ketë dalë të mundë Ballukun brenda Partisë Socialiste.
Discussion about this post