Deputetët socialistë në komisionin parlamentar të ligjeve miratuan të martën ndryshimet ligjore për funksionimin e komisioneve hetimore sipas propozimeve të koleges Ermonela Felaj të depozituara vetëm 12 ditë më parë në Kuvend.
Në rendin e ditës ishin futur për shqyrtim dhe dy projektligje të propozuara nga deputetët e opozitës Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho të depozituara në prill të vitit 2022, por nismëtarët nuk u paraqitën në mbledhjen online.
Gjatë diskutimeve deputetët e PS-së argumentuan se ndryshimet disiplinonin punën dhe praktikën e funksionimit të këtyre komisioneve dhe si nevojë e interpretimeve që Gjykata Kushtetuese i kishte bërë ligjit që daton në vitin 2002 gjatë vendimmarrjeve të saj.
“Këto ndryshime disiplinojnë si sjellje ato që kthehen në normë të detyrueshme “- tha kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka, relatore e projektligjit, duke shtuar se “rregullat e vendosura në ligj do të krijojnë konsolidimin e një praktike të mirë në këtë veprimtari parlamentare”.
Ndryshimet parashikojnë synon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare dhe që që të mbyllë dyert e këtyre komisioneve për publikun përmes interpretimeve evazive për mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, shtetëror apo kur publiciteti mund të sjellë përhapjen e të dhënave sekrete.
Nismëtarja e ligjit tha se për mbledhjet me dyer të mbyllura është marrë si model ligji i Bundestagut gjerman dhe kodi i procedurës penale.
Po ashtu, i jepet përparësi në vendimmarrje rolit të mazhorancës politike, në rolin e sekretarit dhe vendimet me shumicë të anëtarëve, por sipas nismëtares Felaj këto ndryshime kanë hequr mekanizmat bllokues të punës në komisione.
Pandeli Majko kërkoi nga kolegët që të ketë një komunikim dhe konsensus me opozitën duke vlerësuar propozimet e Tabakut dhe e konsideroi komisionin hetimor për inceneratorët “si një nga komisionet më serioze dhe si një model për t’u konsideruar”.
Po ashtu, Felaj, tha se do merren në konsideratë ato propozime të draftit të Tabakut që reflektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke i cilësuar të përafërta me propozimet e saj.
Por socialistët nuk pranuan propozimin e Tabakut për përbërjen me numër të barabartë anëtarësh mes opozitës e mazhorancës dhe strukturën me dy sekretarë, duke vijuar të mbajnë shumicën dhe sekretarin e komisionit, të cilit i jepet rol kyç në detyrimin që të kundërfirmosë shkresat për provat dhe dëshmitarët.
Pas mbledhjes, Tabaku i cilësoi ndryshimet e bëra nga PS si instrumente të mazhorancës për të kontrolluar këto komisione.
“Ky ligj qartësisht ka shkaktuar probleme për mazhorancën sepse duke zbatuar ashtu siç ishte vuri para drejtësisë ministra”- tha ajo për mediat, duke iu referuar komisionit të fundit hetimor për inceneratorët të drejtuar nga Tabaku.
Sipas saj, socialistët nuk e ndryshuan ligjin për të reflektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por “e ndryshuan për ta bërë atë si instrument që sa herë do qeveria të pengojë një komision hetimor siç ka bërë deri më sot”.
Që pas komisionit të bujshëm për aferën e inceneratorëve, mazhoranca ka refuzuar çdo kërkesë tjetër të opozitës, duke mohuar të drejtën kushtetuese për të kontrolluar qeverisjen, me pretendimin se ligji në fuqi ka nevojë për rregullime.
Rrëzimi i kërkesave për komisionet hetimore parlamentare e ka shtyrë opozitën e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha që të radikalizojë qëndrimin e vet në Kuvend duke tentuar të bllokojë veprimtarinë parlamentare./BIRN
Discussion about this post