Një grup punëtorësh po gërmojnë prej disa ditësh në afërsi të mureve antike të amfiteatrit, por ata nuk kanë lidhje me projektin koncesionar të qendrës historike të Durrësit që u bë i njohur javën e kaluar. “Ne jemi pjesë e misionit arkeologjik italo-shqiptar, që i ka nisur ekspeditat verore në vitin 2002,” tha Elvana Metalla, bashkëdrejtore e këtij misioni.
Sipas arkeologes së Institutit të Arkeologjisë, njohuritë e tyre për zbatimin e projektit të ardhshëm në pjesën historike janë shumë të pakta, njëlloj siç janë të pakta edhe kontaktet e projektuesve me specialistët e fushës në Durrës. “Askush nuk na ka pyetur lidhur me situatën e zbulimeve të mëparshme në këtë territor mjaft të pasur me elemente arkeologjike,” shtoi ajo.
Ndërkaq, banorët e shtëpive pranë amfiteatrit janë të shqetësuar lidhur me të ardhmen e tyre. Abdulla Deliallisi, i cili banon në këtë zonë tha për BIRN se tashmë banorët janë konfuzë. “Se çfarë po ndodh në këto dy vjet e kemi marrë vesh vetëm nga mediat. Askush nuk na ka bërë të njohur se si do të veprohet për sistemimin e familjeve, para se të fillojnë punimet,” tha inxhinier Deliallisi.
Në takimin e vetëm me përfaqësues të familjeve, që u organizua para 6 muajsh në Pallatin e Kulturës ‘Aleksandër Moisiu’, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, paraqitën vetëm fotot e projektit, por nuk iu përgjigjën pyetjeve konkrete mbi mënyrën e kompensimit të familjeve apo transferimit të tyre në një hapësirë tjetër.
Sipas titullareve të ministrisë dhe të bashkisë, përgjigja e kësaj pyetjeje i takon ministrisë së Financave. “Nuk jemi pyetur në asnjë moment,” shprehet Deliallisi, i cili drejton edhe shoqatën “Durrësi Autokton”. Megjithëse jemi listuar si grup interesi në këtë projekt, shoqata që unë drejtoj nuk është ftuar në asnjë takim lidhur me të ardhmen e qendrës historike të qytetit, gjithnjë nëse ka patur takime të tilla”. Fjala “koncesion” që u publikua ditët e fundit e ka bërë edhe më të paqartë situatën e banorëve.
Cila do të jetë e ardhmja e tyre?
Ata i mbështesin ndryshimet që synojnë njohjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, por në të njëjtën kohë kërkojnë edhe zgjidhje dinjitoze për sistemimin e tyre.
Largimi i banorëve, 50 vjet në kërkim të zgjidhjes
Ministria e Kulturës ka bërë publik për konsultim planin për menaxhimin e zonave arkeologjike në qytetin e Durrësit – të financuar nga Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, i cili i jep përparësi menaxhimit të tyre nga ente jofitimprurëse. Publikimi i planit të menaxhimit është shoqëruar me aludime në media se amfiteatri antik i qytetit bregdetar mund të jepet me koncesion – ngjashëm me Parkun Kombëtar të Butrintit.
Banorët që jetojnë në zonën arkeologjike kërkojnë që përpara zbatimit të projektit, ti jepet zgjidhje shpronësimit të banesave të tyre. Ata theksojnë se nuk është i vështirë trajtimi i familjeve pranë amfiteatrit, mjafton të kujtosh periudhën e zbulimit të tij. Deri në vitin 1970 në kodrinën ku u gjet monumenti u prishën 33 shtëpi dhe u transferuan 50 familje.
“Të gjitha ato u sistemuan kryesisht në pallate pranë portit dhe hekurudhës, pra shumë pranë amfiteatrit,” thotë Eugen Simaku, duke kujtuar edhe tregimet e prindërve. Më pas përpjekjet për ta hapur edhe pjesën e mbetur të shkallareve dhe arenën u ndërprene, pasi shteti komunist nuk kishte para për punimet si dhe për sistemimin e dhjetra familjeve të tjera. Ndërsa pas viteve ’90 projektet kanë qenë të shumta, por vullneti për ta zgjidhur problemin një herë e mirë ka munguar plotësisht.
Pasi kompensuan financiarisht në mënyrë të kënaqshme 5 nga familjet që banonin mbi shkallare në vitin 2014, gjithçka ishte premtuar në fushatë zgjedhore mbeti në vend. “Qeveria e kërkoi zgjidhjen te tërmeti i 26 nëntorit,”thotë Eugen Simaku, familja e të cilit banon mbi monument. Instituti Teknik i Ndërtimit shpalli të dëmtuara rëndë nga tërmeti 11 banesat mbi shkallare, megjithëse asnjë përfaqësues i tij nuk ishte dukur në zonë. “Asgjë nuk ishte e vërtetë,” shprehet Simaku. Në ditët pas tërmetit, në ato shtëpi ne u strehuam që të gjithë, pasi ishim më të sigurtë”. 45-vjeçari mendon se kjo ishte një mënyrë për ti larguar drejt pallateve që po ndërtohen në Spitallë për familjet e dëmtuara nga tërmeti, pra 4-5 kilometra larg qendrës së qytetit.
Bashkia edhe në këtë rast nuk dha asnjë sqarim, madje edhe kur mes saj, Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit u nënshkrua një marrëveshje fillestare. Eugen Simaku tha se ai e vlerëson synimin që kanë projekte të tilla, por mbi të gjithë kërkon siguri për të ardhmen e familjes së tij”. Pozitiv e quan projektin edhe Albert Doda, një inxhinjer durrsak, i cili 5 vjet më parë ka investuar në ngritjen e një hoteli, duke shfrytëzuar mjediset e një banese 80-vjeçare në bulevardin “Epidamn”. Gjendja aktuale e rrugicave brenda mureve të kalasë mesjetare, sipas ing Dodës nuk e promovon dot qendrën historike të qytetit të lashtë. “E gjithë kjo zonë është e banuar intensivisht dhe realizimi i një projekti të tillë kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe shumë vullnet nga ana e investitorëve,” shprehet Albert Doda.
Ai tregon rastin e transformimit të kalasë në qytetin fqinj të Barit në Itali. “Zona shumë pranë portit në vitet ‘90 njihej për problemet e shumta të drogës, por situata ndryshoi plotësisht brenda pak viteve dhe tani kalaja në Barin e vjetër është kthyer në një vlerë turistike mjaft tërheqëse. Ata u mbështetën në investimin e Komunitetit Europian dhe e transformuan krejtësisht pjesën historike” kujtoi inxhinieri. Sipas tij, zbatimi i këtij projekti duhet të fillojë me sistemimin dinjitoz të banorëve. Ai kujton se projektuesit kanë parashikuar largimin e 202 familjeve, “një operacion shumë i vështirë.” “Këto familje e kanë ndërtuar jetën e tyre prej gati një shekulli në këtë territor dhe nuk mund të largohen, sikur të mos kenë patur asnjë kontribut në zhvillimin e saj” u shpreh Albert Doda. Madhështia e projektit koncesionar dhe mungesa e vullnetit për të gjetur zgjidhje për kompensimin e banorëve kanë krijuar idenë se zbatimi i tij mund të kryhet vetëm në disa faza.
Ndërsa ndonjë tjetër, i bie shkurt duke thënë se edhe ky do të jetë një projekt 3D.
“Çdo ditë qeveria na thotë se jemi në krizë, ndërsa megaprojekti kërkon shumë para për tu zbatuar,” tha Abdulla Deliallisi, kryetar i shoqatës “Durrësi Autokton”, i cili ka vënë në dijeni kreun e shtetit për situatën e krijuar. “Prej 30 vitesh amfiteatri ishte aty, dhe për zbulimin e plotë të tij nuk u hodh asnjë lopatë dhe,” theksoi ai. “Le ta realizojnë në disa faza zbatimin e projektit, por mbi të gjitha të gjejnë zgjidhje për sistemimin e familjeve dhe kompensimin e tyre,” përfundoi inxhinier Deliallisi.
Discussion about this post