Imagjinoni një skenar në të cilin, për 1 ose 2 vite nga tani, bota tronditet nga një luftë e madhe që shtrihet nga Evropa në Paqësor. Kjo ide nuk është edhe aq absurde sa mund të mendoni. Për dekada me radhë SHBA-ja nuk është përballur me perspektivën e një përplasjeje ushtarake në disa fronte njëherësh.
Pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, ka shkaktuar konfliktin më të madh të Evropës ndër breza, dhe ka provokuar një luftë të tërthortë midis fuqive të mëdha. Në Azinë Lindore po rriten shanset për luftë, dhe këtë e treguan tensionet e nxitura nga vizita në gusht në Tajvan e kryetares së Kongresit Amerikan Nancy Pelosi.
Në Lindjen e Mesme, SHBA-së mund t’i detyrohet të zgjedhë midis luftës kundër Iranit dhe pranimit të tij si një shtet me armë bërthamore. Nëse i mblidhni këto kriza së bashku, atëherë do të kemi një situatë të paprecedentë në dekadat e fundit. Natyrisht, zakonisht skenarët e makthit nuk përmbushen vërtet. Ka të ngjarë që asnjë nga këto situata të mos e tërheqë SHBA-në në luftë, dhe afatet kohore më të besueshme drejt konfliktit ndryshojnë sipas rajonit. Por mendimi serioz për to, tregon se sa i madh është bërë rreziku i një lufte të madhe.
Dhe kjo na kujton se krizat e sotme janë më shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, nga sa duken në plan të parë. Kundërshtarët e Amerikës mund të mos jenë zyrtarisht aleatë, por ata janë të rreshtuar në një zonë shumë të rëndësishme, në zemër të Euroazisë.
Një SHBA që shpërndan energjitë sa andej-këtej nuk mund të reagojë ndaj një problemi pa analizuar më parë ndikimin në aftësinë e saj për t’u marrë me të tjerët. Në disa aspekte, gjendja e vështirë ku ndodhet sot Amerika i ngjan periudhës para Luftës së Dytë Botërore.
Si atëherë, ashtu edhe tani, sistemi ndërkombëtar po goditet nga shumë drejtime. Japonia kërkonte dominimin në Lindjen e Largët. Gjermania e Hitlerit synonte dominimin në Evropë dhe madje përtej saj. Italia e Musolinit po kërkonte të krijonte një perandori në Mesdhe dhe Afrikë.
Bashkimi Sovjetik do ta luftonte Hitlerin, por vetëm pasi e ndihmonte atë të gllabëronte Evropën Lindore. Midis atyre shteteve revizioniste kishte pak afërsi. Ideologjitë e ndryshme raciste që motivuan Gjermaninë naziste dhe Japoninë Perandorake ishin në thelb të papajtueshme midis tyre. Edhe pse Berlini, Roma dhe Tokio nënshkruan Paktin e tyre Trepalësh në vitin 1940, mosbesimi i fortë bëri që ajo të ishte pak më shumë se një marrëveshje për të hedhur në erë rendin ekzistues dhe për të ndërtuar perandori të veçanta në mesin e rrënojave.
Gjithsesi diktatorët e mbështetën njëri-tjetrin në momente kritike. Mbështetja e Musolinit e ndihmoi Hitlerin për pushtimin pa gjakderdhje të Austrisë dhe Sudeteve në vitin 1938. Sulmi i gjerë i Gjermanisë ndaj Evropën Perëndimore në vitin 1940,e motivoi Japoninë të pushtonte zona të gjera të Azisë Juglindore dhe Paqësorit.
Situata në Evropën Lindore është shumë e tensionuar për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Putini, në kuadër të një fushate për të rivendosur epërsinë ruse nga Azia Qendrore në Detin Baltik. Një sulm-rrufe i suksesshëm në shkurt mund t’i kishte dhënë Rusisë një pozitë dominuese në Evropën Lindore, duke e shtuar presionin ndaj NATO-s.
Por gabimet e rënda të rusëve dhe rezistenca e ukrainasve e shmangën këtë skenar. Por edhe një Rusi e dobësuar ushtarakisht do të ketë ende shumë aftësi për të krijuar telashe, dhe konflikti i Ukrainës është larg fundit. Si Ukraina po ashtu edhe Rusia kanë synime ambicioze. Kievi kërkon çlirimin e të gjithë territorit të pushtuar, përfshirë Krimenë. Ndërsa Moska synon ta kthejë Ukrainën në një shtet vasal të varfëruar. Ndërkohë, mund të ketë nisur numërimi mbrapsht për luftën në Ngushticën e Tajvanit. Pekini e përdori vizitën e Pelosit në Tajvan si pretekst për nisjen e disa stërvitjeve ushtarake agresive.
Me siguri që zyrtarët kinezë preferojnë të arrijnë qëllimet e tyre – kontrollin e Tajvanit dhe dëbimin SHBA-së nga Paqësori Perëndimor – pa ndonjë luftë të madhe. Ka gjasa që kaosi i ushtrisë së Putinit në Ukrainë e ka bërë presidentin kinez Xi Jinping më të kujdesshëm për përdorimin e forcës.
Por forcimi i ushtrisë kineze në 3 dekadat e fundit i jep Xi-së një mundësi shumë më të mirë për ta nënshtruar Tajvanin me forcë, nëse do të dëshirojë ta bëjë këtë gjë. Dhe ai mund të detyrohet të përdorë forcën për të marrë atë që dëshiron. Shanset që Taipei t’i nënshtrohet paqësisht një Kine neo-totalitare zvogëlohen çdo vit që kalon.
Ndërsa SHBA dhe aleatët e saj, duken gjithnjë e më të vendosur për të penguar synimin e Pekinit për dominim rajonal. Pastaj është Lindja e Mesme, një rajon vazhdimisht nën tensione të mëdha, të cilin amerikanët do të donin ta injoronin. Lufta midis Uashingtonit dhe Teheranit ishte gati të niste gjatë vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, pas shtimit të tensioneve që nisën me tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, dhe që kulmuan me vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani në një sulm me dron.
Thuhet se përparimet e Iranit në pasurimin e uraniumit i kanë dhënë atij aftësinë për të prodhuar një armë bërthamore brenda një kohe të shkurtër. Prandaj, SHBA dhe Izraeli duhet të shqyrtojnë nëse nevojiten më shumë metoda shtrënguese për ta penguar Iranin ta kalojë këtë vijë të kuqe.
Një krizë e fortë mund të shpërthejë shumë shpejt nëse dështojnë negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të 7 viteve më parë. Lufta midis SHBA-së dhe rivalëve të saj nuk është e pashmangshme në asnjë nga këto zona. Tensionet e mëdha me Kinën dhe Rusinë e detyrojnë Uashingtonin të sillet me shumë kujdes ndaj Iranit.
Po ashtu, administrata Biden duhet të jetë e kujdesshme për të mos e provokuar Xi-në, në një kohë që po përballet fort në Ukrainë me Putinin. Sigurisht, rivalët e Amerikës janë miq me shumë pikëpyetje ndaj njëri-tjetrit. Xi nuk e shpëtoi Putinin nga “moçali” e tij në Ukrainë.
Nëse Kina, Rusia dhe Irani do ta dëbonin SHBA-në nga Euroazia, ata mund të përplasen me njëri-tjetrin. Pasi asnjëri nuk mund t’i arrijë qëllimet e tij pa u përballur me sukses me një superfuqi, e cila u jep atyre një motivim të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Mos prisni që Rusia, Irani dhe Kina të kryejnë vetëvrasje për njëri-tjetrin, por mos mendoni se do të jenë indiferentë ndaj fatit të njëri-tjetrit. Shpeshherë qeveria e SHBA-së e ka të vështirë të menaxhojë më shumë se një krizë në të njëjtën kohë, pasi vëmendja e politikë–bërësve kryesorë është e kufizuar.
Për më tepër, Amerika ka aktualisht më pak aftësi për t’u përballur me sfida të shumta ushtarake sesa në çdo periudhë tjetër që nga Lufta e Ftohtë. Reduktimet e rëndësishme për sektorin e mbrojtjes në fillim të viteve 2010, të kombinuara me një mjedis kërcënues në përkeqësim, e detyruan SHBA-në të miratonte një strategji të mbrojtjes për “një luftë”, në vend të standardit të dy luftërave, siç përcaktohet nga dokumentet strategjike të viteve 1990 dhe 2000.
Pra kjo do të thotë se Pentagonit i mungojnë mjetet për t’u angazhuar në 2 ose më shumë luftëra njëkohësisht. Siç ka treguar lufta e Ukrainës dhe një grup analizash jopartiake, SHBA-së i duhet dëshpërimisht një rritje në shpenzimet e mbrojtjes për të vënë në dispozicion aftësitë, për të rritur rezervat e municioneve, dhe për të forcuar bazën industriale të nevojshme për të fituar një luftë, për të mos folur për 2 apo 3 të tilla që ndodhin në të njëjtën kohë.
Marrë me shkurtime Shënim: Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, dhe anëtar i Bordit të Politikës së Jashtme të Departamentit Amerikan të Shtetit./ Bota.al
Discussion about this post