Grupet e muxhahedinëve iranianë, të strehuar në Shqipëri tash e dhjetë vjet, abuzuan me mbështetjen që u ofroi shteti shqiptar, i cili rrezikoi edhe sulme terroriste nga Irani, thotë për Radion Evropa e Lirë Enri Hide, profesor i Gjeopolitikës dhe Sigurisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Evropian të Tiranës.
Sipas tij, “misioni i tyre në Shqipëri ka marrë fund” dhe “ata duhet të largohen”.
Si pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), mijëra iranianë u strehuan në Shqipëri nga viti 2013, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara.
Një ditë më herët, kampi i tyre në Manëz të Durrësit u bë cak i bastisjeve të policisë, e cila sekuestroi dhjetëra kompjuterë.
Operacioni rezultoi me dhjetëra të plagosur – në mesin e tyre dhe disa policë – për shkak të rezistencës që shfaqën banorët e kampit.
Policia e Shtetit Shqiptar, fillimisht, nuk dha detaje për bastisjen e urdhëruar nga gjykata, por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha se dyshohet për disa vepra penale, përfshirë: provokim lufte, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike, ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe keqpërdorim i pajisjeve.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi zëdhënësin e grupit MEK në Shqipëri, Shahriar Kia, për këtë çështje, por ai nuk pranoi të fliste, duke thënë se “kjo është kërkesë e Qeverisë shqiptare”.
Profesori Hide shpreh besimin se shkeljet e grupit lidhen me ndërhyrjet e tij në “sistemet kompjuterike të vendeve të tjera”.
“Në fakt, shpeshherë është aluduar edhe për veprimtari të tjera të natyrës së paligjshme të këtij grupi, brenda vendit tonë, që lidhen me krime të ndëshkueshme nga kodi penal shqiptar, por ato nuk kanë sjellë reagimin e institucioneve shqiptare në formën e tanishme. Kjo do të thotë se ka pasur informacion të sigurt dhe të provuar se veprimtaria e tyre bie ndesh me statusin që kanë dhe me marrëveshjen që kanë bërë”, thotë Hide, duke shtuar se ka pasur shpesh mundësi të takojë dhe bisedojë me drejtues të kampit.
Marrëveshja që Qeveria shqiptare nënshkroi me grupin MEK, kur u dakordua t’i strehojë anëtarët e tij në vitin 2013, thotë se ata nuk duhet të angazhohen në ndonjë aktivitet politik dhe duhet t’i respektojnë ligjet e vendit.
Kush është MEK-u?
Pjesëtarët e grupit MEK e konsiderojnë veten disidentë në mërgim dhe alternativë ndaj regjimit klerik të Iranit.
MEK-u nisi veprimtarinë dekada më parë, si grup marksist që kundërshtonte sundimin e shahut të atëhershëm të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi.
Ai e mbështeti Revolucionin Islamik të vitit 1979, por shpejt u kthye kundër Qeverisë klerike, duke kryer një sërë atentatesh dhe sulmesh me bomba në Republikën Islamike.
Grupi sulmoi edhe personelin amerikan në Iran, gjatë viteve 1970.
Për kohë të gjatë, ai ishte në listat e organizatave terroriste të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.
SHBA-ja e hoqi nga kjo listë në vitin 2013, për t’i ofruar mbështetje në luftën e tij kundër regjimit islamik të Iranit.
Me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe OKB-ja, MEK-u u largua nga Iraku – ku kishte kampin – në vitin 2013, dhe u vendos në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.
Rreth 2.500 pjesëtarët e tij që fillimisht u strehuan në lokacione të ndryshme në Shqipëri, ndërtuan kampin Ashraf-3 afër Durrësit, në vitin 2019.
Ai përbëhet nga 127 ndërtesa dhe gjendet në një sipërfaqe prej 40 hektarësh.
Si reagoi SHBA-ja ndaj bastisjes?
Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetjen e tyre për bastisjen në kampin Ashraf-3, duke thënë se janë informuar se ajo është kryer në mënyrë të ligjshme.
“Policia e Shtetit Shqiptar na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne e mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit dhënë Radios Evropa e Lirë.
Aty, po ashtu, theksohet se Qeveria amerikane nuk e konsideron MEK-un si “përfaqësues demokratik të popullit iranian”.
“Qeveria e SHBA-së nuk ofron mbështetje ose trajnim për [MEK-un], nuk kontribuon me fonde për organizatën dhe nuk mban kontakte të konsiderueshme, përtej çështjeve që lidhen me zhvendosjen e [MEK-ut], që ka përfunduar në vitin 2016”, tha Departamenti amerikan i Shtetit.
A mund të shkëputet marrëveshja me MEK-un?
Vendimi për shkëputjen e marrëveshjes eventuale me MEK-un, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, tha se i takon Qeverisë së Shqipërisë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se nuk është menduar për dëbimin e grupit, por shtoi se anëtarët tij “duhet t’i respektojnë ligjet e shtetit shqiptar”.
Sipas profesorit Hide, “është e paimagjinueshme” që ky vendim të merret vetëm prej Qeverisë shqiptare.
“Edhe Qeveria jonë, edhe SHBA-ja do të shprehen se ky vendim i takon Shqipërisë. Por, nuk ka asnjë shans që Shqipëria të vendosë e vetme”, thotë ai.
“Çështja është se ata kanë blerë shumë hapësira toke rreth e qark, kanë investuar në ngritjen e kampit, rrethimin e tij, sigurinë e tij. Ka shumë pikëpyetje nga kanë ardhur këto fonde. Sigurisht që nuk janë të gjitha të SHBA-së ose të OKB-së”, thotë Hide.
Media të ndryshme të huaja, si Guardian dhe Al Jazeera, shkruajnë se MEK merr fonde nga Arabia Saudite, por REL-i nuk i konfirmoi në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Policia e Shqipërisë: Gjashtë drejtues të MEK-ut nën hetime
Policia e Shqipërisë njoftoi të mërkurën se gjashtë drejtues të MEK-ut janë nën hetime për disa vepra penale, përfshirë mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës.
Policia tha se gjatë bastisjes së bërë me urdhër të gjykatës, ajo ka hasur në “kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehohen në rezidencë”.
REL-i bisedoi me Dorjana Bezatin, gazetare e Televizionit Top Channel në Shqipëri, e cila përcolli nga afër ngjarjen:
“Në orët e para [të bastisjes] gjithçka ka qenë e qetë. Unë kam qenë jashtë rrethimit, sepse gazetarët nuk janë lejuar brenda as nga policia, as nga sigurimi privat i kampit. Prej jashtë, gjithçka është dukur e qetë. Kemi parë vetëm lëvizje të automjeteve të policisë, si dhe banorë të kampit që hynin e dilnin lehtësisht nga kampi”.
“Pas orës 9:00, kur policia ka gjetur një sallë [në kamp], me shumë pajisje teknologjike, kompjuterë, serverë dhe të tjera, dhe ka tentuar t’i sekuestrojë ato, ajo ka hasur në rezistencën e muxhahedinëve, të cilët e kanë cilësuar [bastisjen] si cenim të privatësisë dhe agresion ndaj qytetarëve të paarmatosur dhe të lirë”, thotë Bezat.
Përfaqësuesit e MEK-ut thanë se një i moshuar vdiq si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia gjatë bastisjes, por ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Çuçi, dhe policia mohuan përgjegjësinë.
Bezat thotë se banorët e kampit nuk janë parë me “lëndime fizike”, për dallim nga punonjësit e policisë që “kanë qenë të gjakosur”.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin
Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë u tensionuan prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të MEK-ut strehë të sigurt, një dekadë më parë.
Shqipëria pësoi një sulm të madh kibernetik vitin e kaluar, për të cilin Qeveria e vendit dhe kompani të ndryshme të teknologjisë fajësuan Ministrinë e Jashtme iraniane.
Sulmi, që besohej se ishte hakmarrje ndaj Shqipërisë për strehimin e disidentëve iranianë, bëri që Qeveria shqiptare t’i pezullonte marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se Teherani ishte pas sulmit në ueb-faqet e Qeverisë shqiptare.
Po vitin e kaluar, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri dënoi me 15 vjet burgim iranianin Bijan Pooladrag, i akuzuar për terrorizëm.
Ai u arrestua në tetor të vitit 2020 nën dyshimet se ishte vënë në shërbim të inteligjencës iraniane dhe se po përgatitej për të goditur eksponentë të MEK-ut, të strehuar në Shqipëri. Vetë Pooladrag ishte fillimisht pjesë e grupit, por më vonë u shkëput dhe jetoi jashtë kampit të tij.
Më herët, në tetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër iranian për përfshirje në, siç u tha, “aktivitete që cenojnë sigurinë në vend”. Dy vjet më pas u dëbuan edhe dy diplomatë të tjerë – njëri dyshohej se ishte anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa tjetri pjesë e njësisë operacionale të shërbimeve sekrete iraniane./REL
Discussion about this post