Në Shqipëri forca të shumta të policisë u përplasën sot me anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, (MEK) të cilët konsiderohen si opozita e regjimit politik në Iran. Prej shumë vitesh, falë një marrëveshjeje me Qeverinë shqiptare, ata jetojnë në Kampin Ashraf 3, të ndërtuar prej tyre në një sipërfaqe të madhe në zonën e Manzës pranë Durrësit. Tensionet pasuan ndërhyrjen e policisë në brendësi të kampit Ashraf 3, për të ushtruar kontrolle në zbatim të një urdhri të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Anëtarët e organizatës akuzuan policinë për ushtrim dhune duke njoftuar për të paktën një të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Policia mohoi që gjatë operacionit të saj të ketë patur të lënduar, duke saktësuar se kanë nisur verifikimet për rastin e personit të vdekur.
Momente të gjata tensioni pati sot pak para mesditës në kampin Ashraf 3 ku strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, të cilët protestuan pasi qindra forca të policisë, kishin hyrë më herët brenda kampit për të ushtruar kontroll, mbi bazën e një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme. Kontrolli, sipas një njoftimi të policisë synonte verifikime të të gjitha mjediseve dhe zyrave.
Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare mbi objektivin e këtij kontrolli, por mësohet se ai është kryer pas dyshimeve për përgatitjen e sulmeve kibernetike ndaj vendeve të treta. Ministria e Brendshme shpjegoi më pas se “vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi i muxhahedinëve, prej vitit 2014, kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”.
Sipas ministrisë së Brendshme “brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit”. Vetë anëtarët e organizatës MEK, dhe avokati i tyre Genc Gjokutaj, kanë folur për ushtrim dhune nga policia, përdorim të gazit lotsjellës dhe shkopinjve të gomës. Në mjediset e spitalit të kampit kishte disa të lënduar që po merrnin ndihmën e shpejtë, ndërkohë që një person rezulton të ketë vdekur, për shkak të dhunës, siç u shpreh avokatit Gjokutaj: “Mendojmë se ka vdekur nga gazi lotsjellës dhe nga goditjet me sende të forta. Eshtë e dukshme pamja e tij me lëndime dhe hematoma në ballë. Ka ardhur prokuroria për të bërë kqyrjen dhe pritet ekspertiza ligjore”.
Ministria e Brendshme mohoi që punonjësit e policisë të kenë ushtruar dhunë. “Gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”. Në një dalje për mediat pasdite, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se “garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Nuk është prekur qoftë dhe një anëtar me dorë”, deklaroi ai duke shprehur keqardhjen “me reagimin e anëtarëve të organizatës MEK ndaj Policisë së shtetit gjatë aksionit, sepse Shqipëria u ka ofruar gjithshka që lidhet me strehimin e tyre për qëllime humanitare, i ka ofruar ndihmë, siguri dhe mbrojtje ndaj të gjitha kërcënimeve që vinin dhe nga shërbimet sekrete të Iranit. Eshte e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi i tyre ndaj veprimeve të policisë së Shtetit”, u shpreh ai.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, shpjegoi se që në mëngjes ka patur njëntakim me drejtuesit kryesorë të kampit duke u shpjeguar atyre vendimin e Gjykatës. Ai shpjegoi se brenda strukturës që shtrohet në afro 40 hektarë, ka mbi 127 godina të cilat do të duhej të kontrolloheshin.
“Pasi u konstatuan paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës, sa i përket evidentimit të sallave të serverave, pajisjeve kompjeterike, në gati 17 objekte, nisi një rezistencë e organizuar duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës e duke u përballur me policinë. Pas këtij momenti është kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme, dhe në asnjë rast nuk është përdorur dhunë mbi rezidentët. I është kërkuar drejtuesve të flisnin me grupimet që udhëhiqnin rezistencën, por kjo nuk ndodhi. Pas kësaj policia ka përdorur procedurat standarte për menaxhimin e turmës dhe i vetmi mjet kanë qenë spray individual, pjesë e pajisjeve të punonjësve të policisë”, shpjegoi ai.
Lidhur me të paktën 21 të lënduar nga radhët e anëtarëve të MEK-ut, Drejtori i Policisë shpjegoi se “është vepruar për të hapur rrugën për lëvizjen e mjeteve dhe trupave policore”, ndërkohë që “janë 15 punonjës policie të lënduar dhe disa automjete të saj të dëmtuara”.
Zoti Rrumbullaku tha se në zbatim të vendimit të Gjykatës së posaçme “janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, dy tabletë, 3 karta memorie dhe material të bollshme shkresore që u tentuan të asgjësoheshin me djegie nga disa anëtarë të MEK”. Pas konferencës së shtypit, policia shpërndau dhe disa video, ku shihet një anëtar i organizatës MEK, me një thes të zi në dorë, prej nga nxjerr disa letra dhe nis t’i djegë ato. Avokati Gjokutaj nga ana e tij, tha se nuk është lënë asnjë dokument apo procesverbal mbi materialet e sekuestruara. Aty nuk është zhvilluar kontroll, por një bastisje”.
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, reagoi me ashpërsi ndaj ngjarjes. Sipas një deklarate të publikuar në faqen online të Kampit Ashraf 3 “veprimet e policisë shqiptare të kujtojnë sulmet kriminale të forcave të Nouri al-Maliki në kampin Ashraf në Irak midis viteve 2009 dhe 2015”. Rezistenca iraniane i bën thirrje qeverisë së SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara që të dënojnë “këtë sjellje kriminale dhe barbare”, pasi ata janë zotuar vazhdimisht se do të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të Ashrafit. Këshilli u kërkon gjithashtu SHBA-ve dhe OKB-së të “sigurojnë garancitë e nevojshme për të parandaluar këto lloj sjelljesh të jashtëligjshme që shkelin në mënyrë flagrante shumë traktate ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën në lidhje me Statusin e Refugjatëve, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa Evropiane mbi të drejtat e njeriut.”
Por ministri i Brendshëm Çuçi reagoi duke deklaruar se “së pari, ky Këshill, duhet të ketë të qartë që nuk ka patur dhunë, në asnjë moment. Nuk e di nga kanë dalë në këtë konkluzion. E kundërta ka ndodhur. Ata i kanë rezistuar veprimeve të policisë. Duhet ta kenë të qartë ata dhe çdokush, se vendimet e gjykatës nuk diskutohen, por zbatohen. Aq më pak të kundërshtohen”./VOA
Discussion about this post