Rizgjedhja e Emmanuel Macron duhet kuptuar edhe si një përgjigje e demokracisë ndaj sulmit të Rusisë kundër Europës dhe porosi për zhvillimin e mëtejshëm të projektit europian, shkruan Frank Hofmann për Deutsche Welle.
Rezultati për habi është shumë i qartë: Gati 60% e francezëve vendosën sërish për Emmanuel Macron, por sidomos ata i treguan kufirin konkurrentes radikale të djathtë, Marine Le Pen që fitoi pak më shumë se 40% të votave. Por Le Pen do të mbetet në politikë, dhe me këtë edhe kërkesat, që Franca të dalë nga NATO dhe Bashkimi Europian të bllokohet.
Në qershor rizgjidhet parlamenti francez. Dhe rezultatet në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale para dy javësh – një e treta e votave për të djathtën ekstreme dhe rreth 20% të votave për populistin e majtë, Jean-Luc Mélenchon e bëjnë të qartë: Francezët duan që diçka të ndryshojë me rrënjë. Parisi, kryeqyteti dhe klasa politike e tij janë prej kohësh shumë të papëlqyer në rajonet franceze. Por tani ndjenja e zhgënjimit “ata atje lart, ne këtu poshtë” manifestohet në kritikën ndaj demokracisë si e tëra. E ky është më shumë se një sinjal paralajmërimi.
BE duhet perceptuar si komunitet mbrojtës
Pesë vitet e kaluara lëvizja e krijuar në fillim nga Macron e më pas si parti “La République en Marche” e ka keqësuar deficitin demokratik me nxjerrjen jashtë loje të kampeve politike të njohura si socialistët e majtë nga njëra anë dhe konservatorët nga ana tjetër. Këtë duhet ta ndryshojë Macron dhe partia e tij, në mënyrë që Franca të mos zhytet në nacionalizmin e ekstremeve.
Kjo ka të bëjë me Europën dhe me partnerin më të rëndësishëm, Gjermaninë. Bashkimi Europian perceptohet në Francë si një klub për koncernet e mëdha dhe jo si komunitet që mbrojtës brenda vendit dhe jashtë. Që prej dy muajsh sulmi rus ndaj Ukrainës tregon se shumë vetë kanë të drejtë me këtë vlerësim. Sulmi i rusëve është edhe një sulm kundër Europës së lirë dhe demokratike.
Para pesë vjetësh Macron u zgjodh me një program të qartë politik për Europën, i përgatitur nga Clement Beaune, ndërkohë sekretar shteti për Europën në Ministrinë e Jashtme franceze. 40-vjeçari i ka treguar Macronit vetëm 4 vjet më të madh se çfarë duhet bërë në BE – integrim më të thelluar të BE dhe demokratizim të saj.
Por deri tani Bruksel ende nuk ia ka dalë të marrë vendime mbi bazën e shumicës në çështje të politikës së jashtme të BE. Absurde: Miku i Putinit dhe kryeministri joliberal hungarez, Viktor Orban mund të bllokojë vendime të rëndësishme me veto, – në një kohë që Rusia sulmon me armë demokracinë në Europë, taksapaguesit francezë dhe gjermane duhet të mbështesin me fonde kundërshtarin më të madh që ka BE brenda radhëve të veta. Kështu mendojnë shumë francezë.
Tani e ka radhën Berlini
Rezultati zgjedhor në Francë është për këtë arsye një shans i dytë për Europën, e sidomos për Gjermaninë. Macron prej më shumë se pesë vjetësh kërkon që Bashkimi Europian të stabilizohet si bllok i fuqishëm në botë mes dy fuqive SHBA dhe Kinës, me një element të fuqishëm gjermano-francez. Këtë propozim nuk donte ta ndiqte ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Trashëgimia politike europiane e ish-kancelares Merkel përmban një bilanc katastrofal të integrimit të BE, krahasuar me kancelarët si Helmut Kohl dhe Helmut Schmidt. Idetë e Macronit për thellim të mëtejshëm të integrimit mes të dyja vendeve, Merkel iu përgjigj vetëm me një ripërtëritje me gjysmë zemre të marrëveshjes gjemano-franceze.
Qeveria e sotme e SPD, Të Gjelbërve dhe FDP-së në Berlin e ka mundësinë ta korrigjojë këtë gabim. Me zgjuarsi ndërmjetësuesit e Të Gjelbërve/Aleanca 90 e futën në marrëveshjen e koalicionit forcimin e BE. Jo si SPD më parë me një kapitull patetik për Europën, por me propozime konkrete në shumë drejtime të politikës që çojnë në një hap të madh drejt kthimit të Europës në një bashkësi të shteteve të bashkuara të Europës. Pikërisht për këtë bëhet fjalë tani. Që nga e diela topi ka kaluar në anën e Berlinit./DW/
Discussion about this post