Nga Edward P. Joseph
Nëse është që mund ta kuptojë përplasjen e shëmtuar dhe të panevojshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ai është Volodymyr Zelensky. Kërkojini presidentit ukrainas t’u japë autonomi rusëve etnikë dhe Zelensky do të bëjë menjëherë tri pyetje: A do ta pranojnë rusishtfolësit që jetojnë në Ukrainë e jo në Rusi? A do ta njohë Rusia sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës? Dhe, a do të na lejojë, më në fund, dhënia e autonomisë që të anëtarësohemi në NATO?
Paaftësia e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, siç është rasti me Kosovën dhe Serbinë, është në themel të luftës vetëshkatërruese të pushtetit perëndimor me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në vend që ta shikojnë autonominë në mënyrë strategjike – siç do ta bënte Zelensky, dhe siç bën presidenti rus Vladimir Putin – zyrtarët e administratës së Biden janë po aq dogmatikë sa kryeministri i Kosovës që ka tërhequr zemërimin e Perëndimit.
Uashingtoni është fokusuar te detyrimi i kahershëm i Prishtinës, pranuar së fundmi nga Kurti, për të krijuar një shoqatë të komunave me shumicë serbe. E acaruar me kryeministrin e Kosovës që nuk bën të ditura kushtet e tij për themelimin e shoqatës, dhe e zemëruar me operacionin e fundit, të pamatur të forcave speciale të policisë në veriun e mbizotëruar nga serbët, administrata Biden tashmë e ka ndëshkuar Kosovën dhe është gati të shkaktojë më shumë dhimbje.
Duke mos u përkulur nën presion, Kurti deri tani ka hedhur poshtë kërkesat e SHBA dhe BE për të tërhequr forcat speciale, për të hequr kryetarët e rinj të bashkive nga ndërtesat komunale dhe për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja. Kurti këmbëngul që fillimisht serbët që sulmuan NATO-n dhe policinë e Kosovës më 29 maj duhet të sillen para drejtësisë, si pjesë e planit me pesë pika të kryeministrit për të ulur tensionet. Për të shmangur një bojkot tjetër të zgjedhjeve nga serbët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – e cila kryesisht mbështet linjën e Kurtit – ka propozuar që të paktën 20 përqind e votuesve të nënshkruajnë një peticion për zgjedhje të reja.
Me sfidën e tij, Kurti ka zemëruar Shtetet e Bashkuara, aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, ka armiqësuar popullsinë serbe të Kosovës dhe ka nxitur presidentin serb Aleksandar Vuçiç, pikërisht në momentin që autokrati përballet me protesta të brendshme të paprecedent. Dëshira e Ëashingtonit për të vendosur sanksione të tjera ndaj Kosovës është e kuptueshme.
Është gjithashtu një gabim i rëndë. Uashingtoni dhe Brukseli kanë shumë faje për krizën, përfshirë dhunën e paramenduar të ushtruar nga serbët kundër paqeruajtësve të NATO-s. Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokratik në Prishtinë, ndërkohë që lëvdohet një autokrat manipulues, pro-rus si një “partner përherë e më i mirë (i SHBA)”, siç tha ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, duhet ta bëjë të mendohet pak Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Në vend që të lejojë zhgënjimin të udhëheqë politikën ndaj Kosovës, ose të lejojë iluzionin për të udhëhequr politikën ndaj Serbisë, Blinken duhet të rishqyrtojë urgjentisht qasjen e administratës së tij. I bindur nga vartësit e tij, Blinken me sa duket ka arritur një mirëkuptim me Vuçiç. Mbështetja e Serbisë për Ukrainën përkthehet në butësi të SHBA-së ndaj Vuçiçit, i cili ka ringjallur nacionalizmin serbomadh që e çoi Beogradin në konflikt me fqinjët e tij dhe NATO-n në vitet 1990. Siç shpjegoi Hill, në lidhje me ndihmën për Ukrainën, “kur njerëzit janë në një linjë, marrëdhëniet përmirësohen”. Kjo frazë shpjegon qëndrimin e administratës Biden ndaj Serbisë.
Ajo çka duhet të shqetësojë Blinken është mungesa e shqetësimit të Moskës nga ndonjë prej arritjeve të administratës Biden me regjimin e Vuçiçit. Marrëdhëniet serbo-ruse vazhdojnë përballë votave të Beogradit kundër Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Teksa armatimet moderne perëndimore e kthejnë valën e luftës kundër Rusisë, Kremlini ka hedhur poshtë raportet – të konfirmuara nga Vuçiç – se municionet serbe të epokës sovjetike kanë gjetur rrugën drejt Ukrainës. Versionet pro-ruse, të organizuara nga Beogradi në kundërshtim me BE, e gjejnë rrugën në të gjithë Ballkanin.
Ndërsa Serbia diversifikon furnizimin e saj me gaz, Beogradi ka dyfishuar naftën ruse. Nocioni se Vuçiç do t’i japë Perëndimit depozitat e litiumit të Serbisë duket fantazi tani që qytetarët serbë – shumë prej të cilëve kundërshtojnë ashpër minierat e litiumit – janë mobilizuar kundër presidentit të tyre dominues. Alter egoja pro-ruse e Vuçiçit, shefi i inteligjencës Aleksandar Vulin, sapo mori pjesë në një konferencë të madhe të sigurisë në Moskë, “duke iu sinjalizuar qendrave të fuqive perëndimore se Serbia ka një alternativë (ruse)”. Serbia mbetet vendi i vetëm evropian – përveç Bjellorusisë aleate të Kremlinit – që nuk e sanksionon Rusinë.
Çështja është se Putin beson se ai, jo Perëndimi, po fiton në Ballkan, me kosto shumë të ulët. Nga këndvështrimi i Kremlinit, çrregullimi në një rajon ku Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë avantazhin strategjik është provë se administrata Biden nuk di se si ta përdorë pushtetin. Nëse Vuçiç – pa armë bërthamore apo rezerva masive të naftës dhe gazit – mund të ngatërrojë Perëndimin, atëherë edhe Putin mundet. Moska e kupton se Kosova – jo energjia apo vëllazëria sllave ortodokse – është shtysa për marrëdhëniet serbo-ruse dhe për destabilizimin rajonal të nxitur nga Beogradi.
Me bindje thuajse fetare, zyrtarët amerikanë mbështesin autonominë serbe si gralin e shenjtë për mbylljen e çështjes së Kosovës. Në realitet, lejimi i shoqatës për serbët e Kosovës – pa avancuar njohjen e Kosovës nga serbët dhe nga aleanca e plotë e NATO-s – është një propozim me zarar. Nuk është rastësi që edhe Rusia përkrah skemën e autonomisë serbe, në të njëjtën gjuhë ungjillëzuese si zyrtarët e SHBA dhe BE. “Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe do të garantonte të drejtat, sigurinë dhe besimin në të ardhmen (për serbët në Kosovë)”, deklaroi ambasadori i vjetër rus në Serbi Alekander Botsan-Kharchenko për agjencinë e lajmeve TASS në fund të muajit të kaluar.
Kremlini e kupton atë që Uashingtoni dhe Brukseli nuk kuptojnë: Asociacioni i propozuar është një mjet për të projektuar ambicien serbe, jo për të mbrojtur serbët e Kosovës. Vuçiç nuk dëshiron asnjë version të asociacionit në përputhje me sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin e Kosovës. Pavarësisht garancive me shkrim nga zyrtarë të lartë të SHBA, Uashingtoni nuk ka treguar se mund ta bindë Beogradin që të pranojë një formë stabilizuese të autonomisë – edhe përgjatë linjave të paqarta të propozuara nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Përkundrazi, zyrtarët i bëjnë presion Kosovës që të negociojë jashtë propozimit serb për autonomi, edhe pse ata pranojnë se ai është jashtëzakonisht i papranueshëm. Vërtetimi i një pozicioni hapjeje shkatërrues është një grackë klasike negociuese. Në këtë rast, ndërmjetësuesit perëndimorë harrojnë se Vuçiç ka përmbysur marrëveshjen Kosovë-Serbi të bërë më 18 mars, ditën kur BE dhe SHBA e shpallën atë si “ligjërisht të detyrueshme”, edhe pse presidenti serb refuzoi ta nënshkruajë atë.
Shtetet e Bashkuara, apo edhe BE e NATO nuk duket se e kuptojnë as rrezikun e vlerësimit të përsëritur të taktikave fizikisht shkatërruese serbe në veri të Kosovës. Ndërsa një oficer amerikan i KFOR-it në terren vlonte për sulmet e 29 majit nga serbët, shefat fyenin Kurtin, duke i lejuar Vuçiçit t’ia hidhte paq/ Kjo është e pafalshme duke pasur parasysh përdorimin e mjeteve shpërthyese të dizenjuara me kujdes që kërkojnë përgatitje, të cilat nuk mund të kishin kaluar pa u vënë re nga Beogradi.
Hill e ka bërë zakon të fajësojë Kosovën – një vend në të cilin ai nuk është i akredituar – ndërkohë që injoron lëvizjet nxitëse të Beogradit. Në dhjetor, Vuçiç e quajti Kurtin “llum terrorist”. Në prill, Vuçiç promovoi bojkotin e zgjedhjeve nga serbët, duke e etiketuar qeverinë e Kosovës “pushtuese”. Me kërkesa zhvatëse, presidenti serb vazhdon të bllokojë serbët e Kosovës që të zgjedhin liderët e tyre.
Dimrin e kaluar, zyrtarët e SHBA dhe NATO-s i dhanë besim kërkesës së pacipë të Beogradit për të dërguar trupat e tij në Kosovë dhe racionalizuan barrikadat kërcënuese të vendosura shpesh në veri të vendit. Në versionin aktual të sindromës së Stokholmit, zyrtarët perëndimorë, duke përfshirë një gjeneral të Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane, tani e konsiderojnë Vuçiçin si çelësin e stabilitetit, disa ditë pasi udhëheqësi serb vendosi forcat e tij në gatishmëri të lartë dhe nuk arriti të parandalonte sulmet ndaj NATO-s, duke nxitur një shtimi i trupave të KFOR-it.
Nuk ka dyshim se Kurti, duke injoruar thirrjet e qarta dhe të koordinuara të SHBA-së dhe NATO-s, ka luajtur rol në nxitjen e dhunës. Fatkeqësisht, të tillë janë edhe negociatorët e SHBA dhe BE, të udhëhequr nga shefi i punëve të jashtme të BE, Josep Borrell. Në mars, BE dhe Shtetet e Bashkuara lejuan Vuçiç të largohej nga Ohri – vendi i negociatave kryesore midis Beogradit dhe Prishtinës – pa një angazhim që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetar komune.
Kjo mbikëqyrje çoroditëse sakatoi negociatat për autonominë, në të cilat përfaqësuesit e zgjedhur serb do të luanin një rol kritik. Zgjedhjet e suksesshme do t’i kishin legjitimuar përfaqësuesit në sytë e të gjitha partive, duke përfshirë ato në Prishtinë, dhe do të shënonin një kthesë nga largimi i hidhur dhe i prodhuar serb mbi targat në fund të vitit të kaluar. Pranimi i papritur nga Kurti i shoqatës u dha negociatorëve mundësinë për t’i bërë presion Vuçiçit për këtë shfaqje jetike të mirëbesimit. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe BE panë se si Beogradi po projektonte një bojkot të zgjedhjeve të 23 prillit në veri – të organizuara nga Kosova dhe lëvduar nga SHBA – duke krijuar terrenin për krizë.
Kërcënimet e fshehura keq të SHBA për të rrëzuar qeverinë Kurti për shkak të shoqatës – një taktikë e ashpër e përdorur edhe në vitin 2020 nga administrata Trump – errësojnë dështimin e administratës Biden për të krijuar apo edhe për të kuptuar kushtet për të arritur autonominë. Siç mund të zbulojë përfundimisht administrata në Ukrainë, autonomia është një çështje e statusit përfundimtar, që përfaqëson levën e fundit të një vendi të përballur me një fqinj armiqësor, irredentist, si Rusia apo Serbia.
Fatkeqësisht, marrëveshja Bruksel-Ohër që Shtetet e Bashkuara dhe BE ia imponuan kryesisht Serbisë dhe Kosovës është vetëm e përkohshme në natyrë. Kjo do të thotë se qasja perëndimore mbështetet në një kontradiktë: Kosova duhet të bëjë një lëshim të statusit përfundimtar për autonominë, por Perëndimi mund të premtojë vetëm – në rastin më të mirë – përparim në rritje në marrëdhëniet me Serbinë dhe me përpjekjen e Kosovës për personalitet të plotë ndërkombëtar.
Edhe nëse Prishtina i përmbush të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë themelimin e Asociacionit, Kosova nuk ka asnjë garanci për kërkesat e saj thelbësore strategjike. Serbët e Kosovës mund të ruajnë besnikërinë e tyre ndaj Beogradit dhe të sfidojnë Prishtinën. Serbia ende mund ta refuzojë njohjen de jure të Kosovës. Dhe, mbi të gjitha, Kosova mund të mbetet jashtë NATO-s – garancia unike e sovranitetit dhe integritetit territorial të Prishtinës.
Rruga e Kosovës drejt aleancës mbetet e bllokuar nga katër anëtarë të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA, përfshirë Blinken, pohojnë se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do t’i mundësojë Uashingtonit të apelojë ndaj katër pengesave.
Në fakt, tre palët e vijës së ashpër—Bukureshti, Bratislava dhe Madridi—kapen pas pozicioneve të tyre për arsye që nuk kanë të bëjnë me sjelljen e Kosovës. Ka pak prova që Uashingtoni ka investuar shumë për t’i bërë këta aktorë – të cilët mbajnë çelësin e përparimit në të gjithë rajonin – të ndryshojnë mendje, qoftë edhe përkohësisht. Spanja dhe Sllovakia, për shembull, mund t’i kthejnë lehtësisht trupat e tyre në misionin e KFOR-it, i cili është status neutral. Madridi mund të imitojë Bratislavën dhe të hapë një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë – një hap që do të shkonte larg për të siguruar Kosovën se autonomia serbe mund të çonte në anëtarësimin në NATO.
Në vend të kësaj, Spanja, së bashku me Rumaninë, votuan në prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kështu bëri edhe Serbia, duke shkelur hapur detyrimet e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE. Pengimi flagrant karakteristik i Beogradit nuk ka tërhequr asnjë nga kritikat e drejtuara ndaj Prishtinës për zvarritjen e saj në shoqatë.
Me pak fjalë, do të duhen më shumë se sa sanksione të mira që Shtetet e Bashkuara të dalin nga kriza që Uashingtoni dhe Brukseli ndihmuan në krijimin. Pretendimi se Shtetet e Bashkuara kanë një partner në Beograd dhe një armik në Prishtinë, as nuk do ta zbusin ngecjen aktuale në veri dhe as nuk do të çojnë në stabilitet.
Pavarësisht agjendës së tij të furishme globale, Blinken duhet të ushtrojë personalisht kontrollin mbi politikën e SHBA për Ballkanin. Si fillim, administrata e Bidenit duhet të disiplinojë ambasadorët e saj në rajon, duke kufizuar ekskursionet e Hill në politikën e një vendi, Kosovës, që nuk i përket më Serbisë. Ndarjet midis ambasadave të SHBA në Beograd dhe Prishtinë kanë tërhequr vëmendjen e partnerëve kryesorë të BE dhe kanë minuar autoritetin e Blinken.
Në thelb, Blinken duhet të vendosë nëse çrregullimi rajonal dhe dëmtimi i besueshmërisë së SHBA ia vlejnë përqafimin me kokë të një autokrati serb të refuzuar nga një pjesë e gjerë e popullsisë së tij. Në fund të fundit, Uashingtoni ka një model alternativ. Në Hungarinë fqinje, ambasadori i SHBA, David Pressman, ka dëshmuar se një qasje e qëndrueshme, e përqendruar te vlerat, mund të arrijë shumë më tepër ndikim – mbi një autokrat shumë më të frikshëm – se çdo gjë e arritur në Serbi.
Në vend të qortimeve të hartuara me ngut, Blinken duhet të mbajë një fjalim të konsideruar tërësisht mbi politikën e SHBA-së ndaj Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Blinken duhet të ripërqendrojë vlerat demokratike si thelbin e politikës dhe partneritetit të SHBA me BE. Ai duhet t’i drejtojë të dërguarit dhe ambasadorët e tij që t’ua përcjellin këtë mesazh liderëve të Ballkanit, përfshirë Vuçiçin.
Blinken duhet ta ndjekë këtë fjalim me një vizitë – jo në rajon, por në Athinë, Bratislavë, Bukuresht dhe Madrid – katër kryeqytetet që mbajnë çelësin e avancimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht strategjisë perëndimore, në rajon.
Blinken duhet të mbyllë turneun e tij në Bruksel, me Borrell dhe përfaqësuesin special të BE në rajon, Miroslav Lajçak. Blinken duhet t’u kujtojë këtyre diplomatëve se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mban emrin e BE. Brukseli nuk mund të fshihet më pas vijës se është thjesht një ndërmjetës. Në vend të më shumë “paqartësie konstruktive”, Shtetet e Bashkuara dhe BE duhet të fokusohen në qartësi. Prioriteti urgjent është një sekuencë e hekurt hapash që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin për të zbatuar marrëveshjen, shumë përpara fundit të vitit.
Në këtë mënyrë, Blinken do t’i largojë Shtetet e Bashkuara dhe BE nga konfuzioni dhe kriza, duke i dërguar një sinjal Moskës për vendosmërinë parimore për të konsoliduar Ballkanin në Perëndim, përkrah Ukrainës.
Edward P. Joseph jep mësim në menaxhimin e konfliktit në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. Ai shërbeu për shumë vite në Ballkan, duke përfshirë ushtrinë amerikane dhe si Zëvendës Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Discussion about this post