Anuela Ristani zhduk mobiljet e Erion Veliajt nga zyrat dhe bën tender për mobilimin e selisë së bashkisë Tiranë. Poltron rrotullues, raft librash, tavolinë ovale si e Shtëpisë së Bardhë, kasafortë sekrete, komplete kolltuqesh, kredencë, garderobë, pasqyra për tualet dhe një listë e gjatë mobiliesh që do t’ia ndryshojnë pamjen nga brenda zyrave.
E gjitha kjo u kushton taksapaguesve të kryeqytetit 465 milionë lekë pa llogaritur shtesën e TVSH-së në vlerën e kontratës. Jo vetëm kaq, por nga xhepat tona paguhet edhe fatura e korrupsionit gjatë procedurës së tenderit. Tashmë nga një denoncim që është bërë në KPP kemi mësuar se kriteret janë qepur për një kompani të caktuar.
Super kontrata për mobilijet e Anuelës
Komisioni i tenderit i autorizuar nga kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e ka ndarë prokurimin në dy lote: Loti 1: “Pajisje për zyra” dhe Loti 2: “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë”.
Vlera e pritshme e kontratës është 46,482,958 lekë pa TVSH, ose 473,784.09 Euro pa TVSH, e ndarë në lote: Loti 1: “Pajisje per zyra”, me fond limit 15,408,601 lekë pa tvsh; Loti i dytë – “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë” me fond 31,074,357 lekë pa tvsh. I çuditshëm është afati i sjelljes së mobiljeve që, sipas njoftimit të bashkisë, është 1 vit. Epo, duhet kohë e gjatë për të mobiluar zyrën e kryetares sipas shijeve të saj.
Çfarë moblijesh dëshiron Anuela për zyrën e saj?
Një preventiv i larmishëm prej 58 artikujsh është vendosur si detyrë speciale para bizneseve prodhuese të mobilerive dhe tregtarëve. Kryetarja kërkon “Poltron rrotullues”. Kjo pajisje është në modë për drejtuesit.
Ky që ka parositur kryebashkiakja është me tapiceri prej lëkure ekologjike, me shpinore të lartë. Me një mekanizëm që lejon fiksimin e pozicioneve të ndryshme të përshtatshme në ulje. Shpinorja duhet të jetë e përshtatshme në pozicionet vertikalisht si dhe para e prapa. Duhet të ketë krahë anësore. Të ketë përshtatëse piston me gaz për nivelimin e lartësisë. Thellësia e ulëses, e përshtatshme për përdorues të rritur. Bazamenti duhet të jetë metalik ose plastik me 5 degëzime në formë ylli dhe me rrota sferike në ekstremet e tyre. Të plotësojë kërkesat e standardit “SH EN 1335-1:2021, SSH EN 1335-2:2018”
Më tej kërkohet tavolinë mbledhje ovale, si e Shtëpisë së Bardhë.
Etazher dhe kredencë e ulët drejtuesi. Hapja e kanateve duhet të jetë “shty dhe tërhiq”, pa doreza dhe aksesorët e përdorur të jenë cilësorë mundësisht prej metali të kromuar. Duhet garderobë për veshje/zhveshje; Kolltuqe komplet (3+2+1) me skelet druri, stil modern dhe tapiceri me lëkurë ekologjike. Mbushje me sfungjer cilësor. Modeli, seti, ngjyra, etj, do të përcaktohet nga kryetarja në momentin e lidhjes së kontratës;
Shpërndarës ushqimi me rrota. Ushqimi i kryetares duhet dërguar në zyrë ose në verandë, se drejtuesja nuk mund të shkojë në mensë. Duke parë sendet e porositura, duket që kryetarja nuk pëlqen asgjë nga mobiljet e Veliajt. Madje po ndërron edhe pasqyrat e tualetit. Xhami i pasqyrës të jetë i cilësisë së lartë, porosit kryetarja. Ngjyrat të jenë të ndryshme dhe përcaktimi i saktë i tyre do të bëhet në kushtet e lidhjes së kontratës. Montimi sipas kërkesave të Autoritetit. “Të paketohen që të mos dëmtohen gjatë transportit, të jenë me korniza druri”, shkruhet tek specifikat. Është porositur edhe poltron pritje dyvendësh (kolltuk dyvendësh); Raft për bibliotekën; Raft lodrash; Mobilje për kuzhinë, lavamani i inkastruar, frigoriferi, etj.
Ndërkaq, kryetarja ka edhe sekrete. Sidomos tani, që “spiunët” e SPAK-ut të tipit “Nesti Angoni” janë shtuar, duhet një kasafortë e sigurt. Kasaforta duhet të ketë strukturë me trashësi jo më pak se 1.5 mm. Të ketë dy ndarje horizontale nga brenda, ku të krijohen tre hapësira. Dera të jetë e pajisur me dorezë dhe bravë automatike sekrete.
Moblijet duhen testuar në laborator jashtë shtetit, që kushton 10 mijë euro!
Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është vendosur më 23 qershor 2025, por një denoncim e ka pezulluar për momentin tenderin derisa KPP të marrë vendim.
Më 2 qershor 2025, një prodhues mobiljesh nga Tirana, i interesuar për të marrë pjesë në tender, ka ankimuar në KPP kriteret e vendosura nga komisioni i Anuela Ristanit. Kompania i quan kriteret “diskriminuese” dhe në shkelje të ligjit për prokurimet.
Një nga kushtet e vendosura është testimi i mobiljeve, i cili nuk u realizoka në Shqipëri, por jashtë vendit! Referuar faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit nuk rezulton që në Shqipëri të ketë një subjekt të akredituar për Testimin e Mobilerive apo aksesorëve të tyre.
Bashkia ka anashkaluar faktin se përpara se të arrish të finalizosh një testim zyrtar si fillim duhet të prodhosh produktin, që të prodhosh produktin sipas specifikimeve të kërkuara, cili do kohën e vet, të paktën disa javë dhe muaj. Pasi të jetë prodhuar produkti final vijohet me hapin tjetër të nënshkrimit të një marrëveshje me Laboratorin e Certifikuar për Testimin e Mobilerive, që e ka faturën mbi 10.000 Euro. Më tej vijohet me dërgimin e mostrave me furgon jashtë vendit, pasi nuk rezulton të ketë laborator të akredituar në Republikën e Shqipërisë për testim mobilerish. Pra, të bësh një testim jashtë vendit, përveç se duhet një thes me lekë, nevojiten minimalisht 3-4 muaj kohë.
“Kërkesa e bashkisë nuk i shërben qëllimit për arsye se edhe ata operator ekonomik që mund t’i kenë raportet e testimi për tavolina apo dollapë, sërish nuk i kanë në mënyrë koncize sipas përmasave dhe specifikave teknike që i duhen kësaj procedure. Nëse ata i kanë pasur (specifikimet) atëherë i bije që këta kishin informacion paraprak për specifikimet teknike dhe këto të fundit i’u janë dhënë përpara se te publikohej procedura e prokurimit, ç’ka do të përbënte shkelje të barazisë së tenderave në kuptim të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në denoncimin e kompanisë të dërguar në KPP.
Një kriter tjetër që bëhet me qëllim përjashtimin e konkurrentëve në këtë tender, lidhet me tonazhin e automjeteve që do të përdoren për transportimin e mobiljeve. Njësi e prokurimit kërkon mjete me kapacitet më shumë se 1.5 ton.
“Autoriteti kontraktor ka dështuar të argumentojë teknikisht se mjetet që mbajnë 500 apo 600 kg nuk arrijnë dot të kryejnë transportin e mallrave me sukses. Ne e dimë se nuk ka mall që peshon me shumë se 100-200 kg, ç’ka do të thotë se kemi të bëjmë me kriter diskriminues dhe pengues për operatorët ekonomikë”, theksohet në denoncim.
Po ashtu, sipas kushteve të bashkisë, operatori ekonomik duhet të deklarojë se zotëron në pronësi ose me qira ambiente prodhimi/magazinimi jo me pak se 1000 m2.
Bizneset janë të pajisura me leje mjedisi e cila jepet vetëm pasi janë kontrolluar ambientet ku ushtrohet aktiviteti i mobilerisë. Prandaj kërkesa për ambientin vetëm sa shton burokracinë në ngarkimin e operatorëve ekonomik me përgatitjen e dokumentacioneve të tyre.
“Kërkojmë pezullimin e procedurës deri në shqyrtimin e plotë të ankesës”, përfundon dokumenti.
Kujtojmë se më 11 shkurt 2025, pas arrestimit për korrupsion të Erion Veliajt, Anuela Ristani u komandua nga kryeministri Rama të drejtojë Bashkinë e Tiranës.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post