“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues pervec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar Open Data Albania tenderin më të fundit të kryebashkiakes së Tiranës, Anuela Ristani. Për kë e bën Anuela këtë favorizim? Është një kontratë vlerë afro 1.7 miliardë lekë që u dedikohet vëllezërve Alfons dhe Edmond Bitri.
Tender me “Flamur të kuq” korrupsioni
Kryetarja e komanduar në vend të Erion Veliajt duhet të ketë marrë ndonjë komandë që t’ua japë patjetër kontratën pronarëve të “Almo Konstruksion” vëllezërve Bitri.
Prokurimi për të cilin po raportojmë është me objekt “Ndërtimin e Unazës Mustafakoc-Veski-Kocaj, Asfaltimin e Unazës që lidh 5 fshatra”.
Fondi Limit i miratuar për këtë projekt është 166 226 327,00 lekë pa TVSH. Dhe janë lekët e buxhetit për vitin 2025, që kryebashkiakja i tenderon vetëm disa ditë para mbylljes së veprimeve finaciare.

Tenderi është shënuar me “Flamur të kuq”, që sinjalizon riskun e korrupsionit. Më konkretisht, në datën e mbajtjes se tenderit, më 5 nëntor 2025, janë janë regjistruar 29 firma pjesëmarrëse. Gjithsesi, Anuela e ka kthyer procedurën në farsë me një të rënë të tastierës. 9 kompani me oferta më të ulëta ose që mund të vlerësoheshin me më shumë pikë se sa firma e vëllezërve Bitri, janë skualifikuar menjëherë.

Oferta e kompanisë “Almo Konstruksion” me vlerë 96 563 276,00 pa TVSH është shpallur fituese më datë 16 dhjetor 2025.
Por kjo nuk është oferta më vlerën më të ulët. Kështu, Bashkimi Operatorëve ekonomik “BLERIMI” shpk & “METEO” shpk ka bërë propozimin me vlerë 89,972,295.00 lekë pa TVSH.
Po ashtu, bashkimi i operatorëve ekonomik “EUROTREMA PEQIN” shpk & “BEQIRI” shpk ka bërë ofertën me vlerën 93,745,152.40 lekë pa TVSH. Ndërsa kompania “SHPRESA-AL” shpk ka ofertë të përafërt me atë fituesen, por më të ulët, me vlerë 95,995,137.00 lekë pa TVSH.
Vëllezërit Bitri, 10 milionë euro tendera për 2 javë
Vëllezërit Alfons dhe Edmond Bitri, më 5 nëntor 2025 morën tenderin 2.7 miliardë lekë me firmën e drejtorit të FSHZH, Dritan Agolli. Të nesërmen, në datë 6 nëntor 2025, Agolli iu dha vëllezërve kontratën tjetër me vlerë 4.6 miliardë lekë. A po përdoret kompania “Almo Konstruksion” shpk për të mbyllur llogaritë e korrupsionit të drejtorit Agolli, apo të shefit të tij?
I pari është tenderi me objekt “Transformimi urban në hapësira publike kryesore, Rajoni 4: Rikualifikimi i rrugës “Butrinti”, Sarandë”. Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë që hidhen në një rrugë që është asfaltuar me dhjetëra herë dhe është në gjendje të shkëlqyer. Financimi i këtij objekti është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2025-2027. Fondi Limit i caktuar për projektin është 270,481,056 lekë pa TVSH.

Mirëpo, janë edhe ca miliarda lekë të tjera që Dritan Agolli kërkon t’u gjejë vendin. Kjo është kontrata me objekt “Ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Divjakë: “Ferma e dijes dhe agroturizmit të ullishteve, Divjakë”.
Këtu luhet loja për më shumë lekë. Por shihni sa gjeniale është ideja për korrupsion. Merren paratë për fermë dhe ngrihet hotel me pishinë buzë detit. Jo vetëm hoteli, por edhe 40 hektarë tokë rreth e rrotull. Për këtë projekt është parashikuar Fondi Limit 458,267,729 lekë pa TVSH. I do hoteli këto lekë! Për të justifikuar qëllimin ngrihet edhje një punishte vaji ulliri aty pranë. Por fondi nuk justifikohet se punishtja e vajit, edhe më e sofistikuara të jetë, nuk kushton më shumë se 200 mijë euro. Lekët e tjera? Me sa studiuam dokumentet dhe preventivin, hoteli do të hajë më tepër lekë.

Tenderi i hapur më 9 tetor dhe i mbajtur më 27 tetor 2025 është një kryevepër korrupsioni. Nga 21 kompani pjesëmarrëse, 10 janë skualifikuar menjëherë.
Po si mundet të justifikohet që brenda dy ditëve të njëjtës kompani i jepen tendera me vlera kaq të larta, me favorizim të hapur në shkelje të ligjit për prokurimet? Me sa duket vëllezërit Bitri kanë hyrë në rrethin e ngushtë të besuar të “Rilindjes”.
“Almo Konstruksion” shpk është në listën e kompanive të favorizuara në tendera nga Evis Berberi, ish-drejtori i ARRSH që është në burg për korrupsion dhe nga FSHZH, që drejtohet nga Dritan Agolli, edhe ky nën hetim nga SPAK.
Tender që ilustron më tepër marrëdhënien me drejtorin Agolli, është ai me objekt “Rikonstruksion rruge Unaza Lumalas – Melçan – Porodinë, Bashkia Korçë”, në vitin 2020. Plot 450 milionë lekë mori kompania fituese “Almo Konstruksion”. Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti se në specifikimet e tenderit thuhet se gjatësia e kësaj rruge është vetëm 3.6 km. Pra, u hodhën mni 100 milionë lekë për 1 km rrugë fshati.
Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj u ka dhënë 1.3 miliadë lekë vëllezërve Bitri para se të futej në burg. Bëhet fjalë për tenderin “Rikualifikim urban i zonës mbrapa pallateve të vjetra Rr. e Balshajve”, me fond limit 136 501 735,00 lekë pa TVSH. Banorët thonë se firma akoma nuk ka mbaruar punimet.

Ndërsa në vitin 2022, Erion Veliaj u dha vëllezërve Bitri tenderin me objekt “Rikonstruksion i rrugës Xhorxh W. Bush dhe rehabilitimi i fasadave” me fond 1.05 miliardë lekë. Edhe ky tenderi u shënua me “Flamur të kuq” nga Open Data Albania.

Në përfundim, jemi të bindur se Anuela Ristani nuk vepron e vetme në këtë aferë korrupsioni. Dilema është, se nga e mori kryetarja porosinë për vëllezërit Bitri, nga qelia e Veliajt apo nga kryeministri Rama?
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post