“Tigrat” e tenderëve përplasen për paratë e mishit të luanit që po ndan kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Furnizimi me ushqim i kafshëve të Kopshtit Zoologjik nuk ka qenë më parë tërheqës për bizneset, por tani fondi është rritur. Dhe ndërsa jemi në fund të muajit e tretë të këtij viti, kafshët presin ushqimin, por Lali Eri akoma nuk ka vendosur kujt do t’ia xhirojë paratë.
Gjërat nuk i kanë shkuar sipas planeve, pasi miqtë e kryebashkiakut po tregohen të paduruar dhe kanë nisur të rrjedhin jashtë pakënaqësitë. Nexhmi Balla, themeluesi i firmës ‘Nelsa shpk’ ka denoncuar në KPP tenderin me objekt “Blerje mish për kafshët e Kopshtit Zoologjik për vitin 2024”.
Sikur shihet në dokumentin që disponojmë, gara për këtë tender është mbyllur më datë 15 janar 2024 dhe fituesi ka përvetësuar 90 milionë lekë nga taksat e qytetarëve. Katër firma kishin paraqitur oferta për këtë tender mes tyre dhe ‘Nelsa shpk’, por duke qenë se kjo e fundit kishte përfituar tenderin e frutave, Veliaj 90 milionë lekëshin ja ndau firmës M.C.CATERING SHPK, në pronësi të Gentjan Prençit, djalit të biznesmenit Njazi Prençi.
Prençi e përfitoi këtë tender pa garë sepse ofertat e tjera Veliaj i skualifikoi që në fazën e parë të tenderit dhe më tej i hapi rrugën firmës M.C.CATERING SHPK .
Denoncimet
Nexhmi Balla, i mësuar të përfitojë gjithçka nga bashkia dhe konkurrentit tjetër Argent Daci (person fizik) e denoncuan tenderin duke i nxjerrë të palarat. Në këtë ankesë ”NELSA” shpk pretendon se operatori ekonomik ”MC Catering” shpk nuk ka përcaktuar numrin e punonjësve të disponueshëm stafin që do të angazhohet për realizimin e kontratës dhe nuk ka paraqitur të dhënat për mjetin.
Në këtë pikë KPP shprehet se si komision i kanë dërguar “Mc Catering” informacion për këtë çështje më datë 19 shkurt 2024 dhe firma i ka vënë në dispozicion. “Nga verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur në sistemin elektronik nga operatori ekonomik “MC Catering”shpk komisioni i shqyrtimit të ankesave konstaton se në përmbushje të këtij kriteri operatori ekonomik ka paraqitur Formularin Përmbledhës të Vet deklarimit sipas Shtojcës 8 të dokumenteve të tenderi”, sqaron KPP, duke rrëzuar kështu kërkesën e “Nelsa” SHPK.
Ndërsa ankimuesi tjetër, Argent Daci P.f. pretendon që edhe firma fituese edhe firmat e tjera konkurruese nuk zotërojnë kapacitetin e plotë profesional, kanë mungesë të licencës nën kategoria II.1 A për këtë objekt.
Këtë pretendim KPP e ka pranuar dhe situata nuk e favorizon firmën e Njazi Prençit.
“ Nuk mund të lejohet kualifikimi i një operatori ekonomik në rast se ai ka mungesë dokumentacioni dhe nuk plotëson kriteret e përcaktuara nga autoriteti kontraktor. Sqarojmë, se kriteri për licencat, duhet parë dhe vlerësuar në tërësinë e tij, me të gjitha elementet e përcaktuara nga ligjvënësi, si dhe të kërkuara dhe përcaktuara nga autoriteti kontraktor në dokumentet e tenderit, pasi, referuar mangësive të konstatuara në dokumentacion nuk arrihet të vërtetohet disponimi i licencës së kategorisë II.1.A, parë kjo në këndvështrimin e vlerësimit të të gjitha të dhënave, që përmban licenca. Ndërkohë KPP gjykon, se fakti që subjektet kanë dorëzuar licenca të kategorisë II.1.A, jo domosdoshmërisht do të thotë që është përmbushur kriteri”, thuhet në dokument.
Kështu, në përfundim KPP vendosi që të anulohet ky tender sepse është abuziv dhe po blihen ushqime që nuk janë të certifikuara. Si duket Veliaj po rrezikon luanin, shqiponjën dhe kafshët e tjera mishngrënëse në kopshtin zoologjik!
Afera e mëparshme
Biznesmeni Nexhmi Balla i përfshirë në këtë ankesë sapo nxori në pah edhe abuzimet e veta. Sikur përmendëm pak më lartë firma e tij “Nelsa” Shpk ka përfituar një lot tjetër për ushqimin në Kopshtin Zoologjik. Është prokurimi me objekt “Blerje bukë, fruta, perime për kafshët e Kopshtit Zoologjik për vitin 2024”, i cili është mbyllur më datë 16 janar 2024 me vlerë 60 milionë lekë.
Menjëherë shihet që prokurimi ka marr ‘Red Flag” sipas vlerësimit të Open Data, që tregon riskun e korrupsionit. “MC Catering” shpk dhe “NELSA” shpk kanë paraqitur ofertat e tyre, ku kjo e fundit është shpallur fituese shpejt e shpejt.
Epo duke qenë se është mësuar me tendera pa garë, nuk e pranonte dot faktin që Veliaj të bënte pazare edhe me rivalin e tij, Prençin.
Për momentin tenderi është anuluar nga KPP, e cila kohë e fundit është “përzier” në tenderat e Lali Erit duke dhënë vendime sfiduese. Kurajoja e këtij institucioni për të mbrojtur “të drejtat” e luanit të Kopshtit Zoologjik koincidon me hetimet e SPAK për drejtorët e Lali Erit lidhur me skandalin e inceneratorit, ndërkohë që një grup i madh i auditimit i KLSH ndodhet në zyrat e bashkisë duke kontrolluar letrat e tenderëve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post