Anulohet tenderi skandaloz 338 milionë lekë i Anuela Ristanit për “materiale pastrimi”. Ndarja e tregut të tenderave të materialeve të pastrimit është përcaktuar gjatë pandemisë COVID 19, por ujërat janë trazuar me ardhjen e në pushtet të kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani. Kështu në prokurimin e 338 milionë lekëve të Drejtorisë së Objekteve Publike, drejtori Olsi Isufaj papritur ka lënë jashtë duke e skualifikuar kompaninë “Pastrime Silvio” të Fiqiri Allmuçës. I pakënaqur me këtë vendim, Allmuça ka kërkuar ndihmë tek miku i tij në krye të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, disa ditë para shkarkimit nga SPAK. Miku i mirë në ditë të vështirë. Myzyri ka reaguar duke e anuluar tenderin.

Tenderi i fryrë me më shumë se dyfishin e çmimeve në treg
Çdo vit bëhet furnizimi me materiale pastrimi që i kushton Drejtorisë së Objekteve Publike afro 150 milionë lekë, referuar tenderave të zhvilluar. Por këtë vit fondi limit i tenderit është përllogaritur në vlerën 33,798,872.50 lekë (pa tvsh).

Lista përmban produkte të tilla si sapun i lëngshëm, solucion larës WC dezinfektues, fshesë merimangash me shkop, fshesë pastrimi, furça për pastrimin e WC-së, solucion larës për mobilje, kosha plastik për hedhjen e mbeturinave, kove plastike me shtrydhje, lecka për larje xhamash, letër higjienike (38665 copë) qese mbeturinash etj.

Përtej kujdesit të kryetares për higjienën në bashki, duket qartë se këtu ka një fryrje të fondit për këtë qëllim. Këtë nuk e themi ne, por e tregojnë ofertat e operatorëve ekonomikë.
Ofertat u hapën në 20 mars 2025 dhe mes 9 operatorëve pjesëmarrës kishte propozime me vlerë tregu që e nxirrnin zbuluar “përllogaritjen” e komisionit të Anuelës dhe të Olsit të Objekteve.
Kështu, operatori ekonomik ofertues “Pastrime Silvio” sh.p.k bëri ofertë ekonomike 21 600 541 lekë
pa Tvsh. “Malvina Visoka”, person fizik, ka bërë ofertën ekonomike 15 774 770 lekë pa Tvsh. Po ashtu, “Besim Kamberi” p.f ka bërë propozimin 20 685 913 lekë pa Tvsh.
Operatori ekonomik ofertues “EURO MEGA 2010” sh.p.k ka bërë ofertën ekonomike 12 597 822 Lekë pa Tvsh. Ndërsa bashkimi i operatorëve ekonomik “Murati D” sh.p.k dhe “Atlantik 3” sh.p.k kanë ofruar ta bëjnë furnizimin me 19 872 705 Lekë pa Tvsh.
Edhe “Capital Group” ka bërë ofertë më të ulët 12 597 822 lekë, por është skualifikuar nga komisioni.
Për çudi në këtë tender ka pasur edhe oferta me vlerë zero lekë. I tillë është operatori ekonomik ofertues I&V COMPANY sh.p.k, që nuk ka paraqitur fare propozim.
Një pyetje në lind pasi mësuam këto oferta: A kanë bërë studim tregu njerëzit e Anuelës, apo e kanë vënë fondin limit sipas planit të shefave për të përvetësuar buxhetin?!
Denoncimi në KPP
Në datën 5 maj 2025, nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankimi i operatorit ekonomik “Pastrime Silvio” SHPK, për procedurën e prokurimit.
Kompania e Fiqiri Allmuçës kundërshton vendimmarrjen e komisionit të vlerësimit të ofertave për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga operatorët ekonomikë “Euro Mega 2010” SHPK, “Malvina Visoka” SHPK, “Murati D” SHPK, “Besim Kamberi” P.F., “Ë.Center” SHPK dhe “Anbim” SHPK.
Olsi Isufaj ka vazhduar procedurën më 26 maj 2025, duke shpallur fitues Hair Shametajn, pronarin e kompanisë EURO MEGA 2010.
Siç do ta shohim më poshtë, personi që është shkelur në kallo nga ky vendim është i fuqishëm. Kështu, më 27 qershor 2025, KPP nën drejtimin e Jonaid Myzyrit vendosi ta rrëzojë tenderin duke kërkuar anulimin.

Kush fshihet pas kompanisë “Pastrime Silvio”?
Në këtë tender të përvitshëm marrin pjesë të njëjtët aktorë qysh prej dy dekadash. Këta marrin tenderat e institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore përmes procedurave fiktive. Kështu Malvina Visoka është personazh i SPAK në dosjen e tenderave të Universitetit Bujqësor që shkoi para dy ditëve në gjykatë.
Pronari i “W Center” Bledar Shemaj më 20 dhjetor 2024 është i dënuar nga Gjykata Antikorrupsion me 4 muaj burg për falsifikim dokumentesh të tenderave.
Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar për Shemajn u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë për një periudhë kohe prej 8 (tetë) muajsh, me kusht që i të mos kryejë vepër tjetër penale.
Shemaj falsifikoi dokumentet në procedurat për prokurimin me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, marrëveshje kuadër, e datës 11 janar 2019, me vlerë 143.618.333 lekë pa TVSH.
Fiqiri Allmuça, themelues i “Pastrime Silvio” shpk ka qenë i proceduar penalisht për konsumimin e veprës penale te “shkeljes se rregullave te mbrojtjes ne pune” në vitin 2008, kur 2 punëtorë te firmës së tij u plagosën teksa po pastronin xhamat e një banke në Tiranë. Kompania “Pastrime Silvio” ka marrë rreth 4 milionë euro tendera të dyshimtë në mungesë konkurrence në 3 vite.
Në vitin 2023, drejtoresha e QSUT-së, Albana Fico, firmosi një tender me vlerë 380 milionë lekë në mënyrë abuzive firmës në favor të “PASTRIME SILVIO” SHPK, të Fiqiri Allmuçajt.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbim pastrimi i ambienteve të jashtme”, për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas Balliut, 7 kompani janë skualifikuar nga kjo garë vetëm që fituesi të jetë “Pastrime Silvio” Sh.p.k e Allmuçajt, madje ndër to edhe oferta më të ulëta.
Fiqiri Allmuça ka qenë ortak me Vaid Taren, në kompaninë tjetër po me emrin ‘Silvio’, themeluar në vitin 2005, me objekt pastrim dhe mirëmbajtje godinash. Të dyja kompanitë kishin si adresë; Ndjesia Bashkiake nr. 2, Tiranë Rruga Fatmir Haxhiu.
Vaid Tare është një nga personazhet e skeduar dhe hetuar për pastrim masiv parash të pista në Shqipëri, të cilat vinin kryesisht nga Holanda. Vaid Tarja është gjithashtu një spekulant dhe mashtrues me damkë. Në një rast ka mashtruar tatimet dhe ka përvetësuar 3.7 milionë USD, ku për këtë vepër penale është dënuar me vendim të formës së prerë.
Vetëm vitet e fundit, ‘Pastrime Sivio’ e Fiqiri Allmuçës, tashmë në emrin e Bule Allmuça, ka marrë 105 tenderë të dyshimtë dhe kientelistë, me vlerë miliona euro. Nga 65 tenderë, kompania ‘Pastrime Sivio’ ka marrë 24 tenderë vetëm në Bashkisë së Tiranës dhe degët e saj për shërbim pastrimi dhe dezinfektimi, me ofertë gati sa fondi limit.
Nuk dihet se si do të shkojnë seritë e reja të telenovelës ku personazhet kryesore janë Anuela Ristani (paralajmëruar për shkarkim nga Rama) Jonaid Myzyri (i shkarkuar nga SPAK) drejtor Olsi Isufaj, Fiqiri Allmuça, Hair Shameti dhe të tjerët. Sido që të shkojë, paratë që do të ndahen janë nga buxheti i taksapaguesve të kryeqytetit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post