Do të habiteni të mësoni se Posta Shqiptare qysh nga viti 2019 është shoqëri me humbje. Madje po shkon drejt falimentimit, si pasojë e keqadministrimit dhe e shpërdorimit të të ardhurave. Me largimin e Ervin Bushatit, Posta Shqiptare nga viti 2022 drejtohet nga Ardit Demiri. Edhe ky vazhdon traditën e harxhimit të parave në tendera luksi.
Karriget rrotulluese dhe raftet, 346 milionë lekë
Prokurimet manipulohen, fryhen fondet limit dhe çohen në drejtim të biznesmenëve që favorizohen nga Ardit Demiri. Aq shumë padrejtësi bëhet nëpër këto tendera, sa procedurat zgjasin me muaj të tërë, si pasojë e denoncimeve që bëjnë kompanitë në Komisionin e Prokurimit Publik.
Tenderi më i ankimuar i këtij viti ishte ai i blerjes së mobiljeve. Vazhdon e bën këtë tender çdo vit, sikur nëpër zyrat e Postës i hanë dollapët dhe karriget. Në fakt, këtë radhë i janë mërzitur ngjyrat! Ato u bënë problem deri në KPP dhe atje u vendos se si do të veprohet.
Drejtor Demiri i trishtuar me pamjen e zyrës urdhëroi tenderin me objekt “Blerje Pajisje Mobilimi”, me fond limit 28.841.800 lekë pa TVSH. Nëse përfshijmë TVSH, në fund realizimi i kontratës shkon në 34,610,160 lekë.
Me lehtësinë e blerjes në pazar të rrushit dhe kumbullave, Demiri porosit karrige rrotulluese për vete dhe drejtuesit e tjerë, ndenjëse lloj lloj, dyshe, treshe, dollapë druri dhe hekuri,
Por veçanërisht karrigen e tij e do me certifikatë dhe standarde të larta cilësie. Standard që përdoret për të përcaktuar kërkesat në lidhje me dimensionet që duhet të ketë një karrige për drejtuesin në mënyrë që të sigurohet një qëndrim i përshtatshëm për të punuar dhe gjithashtu përshkruan metodat e testimeve të kryera.
Standardi specifikon kërkesat që duhet të plotësojnë këto karrige për sa i përket sigurisë, forcës dhe qëndrueshmërisë për një përdorim rreth 8 orë në ditë dhe për një person që peshon deri në 110 kg. Pra, operatori ekonomik duhet të disponojë dhe paraqesë certifikatat e cilësisë dhe raportet e testimit të produktit që do të përdor Demiri.
Të gjitha zyrat e Postës Shqiptare janë të pajisura dhe të mobiluara, sepse janë investuar thuajse çdo vit. U munduam duke kërkuar në dokumentet e tenderit se si e justifikonte drejtor Demiri projektin e blerjes së mobilieve të reja, por nuk gjetëm asnjë rresht, përveç një grafiku furnizimi sipas filialeve të Postës.
Dyshojmë se ky tender është planifikuar jo sipas nevojës, por sipas oreksit të drejtorit për të bërë tendera dhe për të shpërdoruar paratë e shoqërisë.
Precedenti është vendosur nga drejtorët e tjerë paraardhës, që ndërrojnë mobiliet e zyrave sipas shijeve personale.
Kështu, sipas shpalljes së bërë në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 21, datë 28 maj 2018, thuhet se kjo shoqëri shtetërore, zhvillon tender për të blerë mobilje zyrash. Sipas të dhënave të specifikuara në njoftimin zyrtar, që ka shpallur drejtoria e “Posta Shqiptare”, vlera e blerjes së mobiljeve është fiksuar në shifrën 270 milionë, 754 mijë e 500 lekë pa pagesën shtesë 20% TVSH, ose në vlerë totale 330 milionë lekë. Shkaku i zëvendësimit të pajisjeve nuk lidhet me amortizimin e daljen jashtë funksionit të tyre, por me ngjyrën. Drejtori i mëparshëm kishte qenë i LSI dhe e kishte tepruar me ngjyrën e kuqe. Kështu që duhej shtuar pak mavi nëpër zyra.
Shumica e karrigeve dhe tavolinave të punës ekzistuese ishin me veshje e rimeso me ngjyrë të kuqe. Prandaj urgjent u bë tenderi për “Blerje pajisje mobilimi për zyra” (karrige, tavolina pune, rafte, dollape metalik, dollape druri dhe dollape prej xhami….etj). Pra u ndërruan të gjitha nga e para, edhe pse ishin të gjendje pune.
Pa, kaluar një vit, sërish është bërë një tender tjetër për mobilim.
Më konkretisht, Posta në vitin 2019 ka blerë 300 milionë lekë mobilje të reja.
Kjo punë ka vazhduar edhe me drejtorët e tjerë. Në vitin 2022, Ervin Bushati i planifikoi, ndërsa tenderin e mobilieve e bëri komisioni i Ardit Demirit.
Sipas tabelës, tenderi i pajisjeve për mobilje është me vlerën 5583 000 lekë.
Pra, ndërrimi i mobiljeve të zyrave nuk ishte i domosdoshëm të bëhej pas këtyre tenderave që rreshtuam. Gjithsesi Ardit Demiri ka vazhduar me planin e tij, për të ushqyer abuzimin me tenderat.
Kalemi i Demirit nxjerr 100 milionë lekë më tepër
Manipulimi i procedurës së prokurimit në këtë rast ka nisur me përllogaritjen e fondit limit. Vetëm nëse e ke mendjen të përvetësosh, mund ta llogaritësh fondin rreth 100 milionë lekë më tepër se sa mesatarja e tregut për këto produkte. Nëse shohim ofertat e kompanive që morën pjesë në treg, ato variojnë nga 190 deri në 230 milionë lekë. Ose këto kompani i bëjnë karriget prej kartoni, ose komisioni e ka vendosur fondin aq sa i ka urdhëruar drejtori, pa e testuar tregun.
Në dokumentin më poshtë janë ofertat e operatorëve ekonomikë në këtë tender.
Siç, shohim firma “KLAME” ka ofruar ta bëjë furnizimin me 198 milionë lekë (pa TVSH), “Erald” 202 milionë lekë, Eduard Xhixha 229 milionë lekë, “M.Lezha” 230 milionë lekë, “Leon Konstruksion” 239 milionë lekë, “ERZENI/SH” 272 milionë lekë.
Tenderi anulohet në KPP
Rezultatet e tenderi janë anuluar në KPP dhe nuk dihet se si do të shkoja loja e mobiljeve deri në fund. Fillimisht kompania me ofertën më të ulët u skualifikua për mospërmbushje kriteresh. Kompania “KLAME” nuk e pranoi këtë verdikt dhe ankimoi në Komisionin e Prokurimeve Publike ku kërkoi shfuqizimin dhe anulimin e skualifikimit të dy kompanive të tjera që kishin mbetur në lojë.
Objekti i ankesës ishte “Shfuqizimi i vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kualifikimin e ofertave të paraqitura nga operatori ekonomik “M.LEZHA” SHPK dhe “ERZENI/SH” sh.p.k.”. Ndër të tjera, kompania pretendonte se ishte paracaktuar fituesja dhe kriteret ishin hartuar që t’i përshtateshin një kompanie të favorizuar.
“Për ngjyrat e mobiljeve duhet të kontaktohet paraprakisht Autoriteti Kontraktor! Kërkesa e mësipërme, që ka të bëjë me caktimin e ngjyrave të mobiljeve në një kohë tjetër, është twrwsisht e paligjshme, pasi jo vetëm që pengon punën për prodhimin e mobiljeve, por na le të dyshojmë se e keni paracaktuar fituesin dhe vetëm ai i di ngjyrat. Ne duam të caktohet qysh në këtë fazë ngjyra e mobileve, pasi afati për realizimin e kontratës është i shkurtër dhe nuk ka kohë të hyjmë në bisedime më vonë, pasi na çon përpara vonesave të prodhimit të mallit”, thuhet në një pikat e kundërshtuara.
Kjo ankesë e përmbysi vendimin e parë të komisionit.
I ndodhur para këtij vendimi të KPP, Posta në prill 2024 negocioi me “KLAME” duke ndryshuar kriteret dhe më pas e shpalli fituese këtë kompani.
Përmbysja e vendimit dhe fitorja e “KLAME” shpk e dërgoi sërish tenderin në KPP, sepse këtë radhë do të ankohej kompania “M.LEZHA” shpk.
Operatori kërkonte shfuqizimi i vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kualifikimin e ofertës të paraqitur nga “KLAME” SHPK në procedurën e zhvilluar më datë 7 maj 2024, nga Posta Shqiptare Sh.A. Të njëjtën gjë kërkohej edhe ndaj “ERALD” SHPK.
Sipas ankesës, firma që fitoi tenderin, nuk përmbushte kriterin financiar, ku pjesëmarrësit duhet të paraqesin kopje të certifikuara të bilanceve të viteve: 2020, 2021, 2022. Kriteri konsiderohet i përmbushur, nëse në dy bilance të njëpasnjëshme nuk ka raport negative ndërmjet aktivit dhe pasivit.
Kjo ankesë e ka pezulluar tenderin përkohësisht deri në marrjen e një vendimi të ri nga KPP.
Ndërkohë që vazhdon “lufta” për të marrë paratë e Postës për mobiljet, po e mbyllim këtë raportim me bilancin e shoqërisë Posta Shqiptare.
Siç duket nga grafiku më sipër, Posta është zhytur në humbje vitet e fundit. Drejtor Demiri nuk e ka dorëzuar akoma në QKB pasqyrën financiare të vitit 2023, megjithëse ligji e detyron, por ka çuar me vonesë atë vitit 2022.
Sipas dokumentit të firmosur nga Ardit Demiri, pranohet se në vitin 2022 (kur mori detyrën e administratorit), e ardhurat gjithsej për vitin 2022 janë 2.974 miliardë ose 7.61 % mosrealizim të krahasuar me programin. Ndërsa shpenzimet janë 2,971 miliardë lekë. Pra, çdo lek që kishte në arkë (përveç rrogave) Demiri e shpërdoroi në tendera.
Menaxhimi i shoqërisë shtetërore do të vinte në këtë nivel, jo vetëm për shkak të korrupsionit, por edhe të paaftësisë. E si mund t’i lihet në dorë drejtimi i një kompanie që e ka xhiron 3 miliardë lekë, një personi që është diplomuar për Histori-Filologji? Për aktivitetin partiak, Demiri është shpërblyer me detyra të tilla si prefekt, Drejtor i Konvikteve të Shkollave të Mesme, Bashkia Elbasan, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dega Elbasan e me radhë. Kështu, ndodh, kur bordi i shoqërisë është vetëm sa për të marrë lekë shtesë disa zyrtarë, ndërsa urdhrat i jep PS e Elbasanit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post